Hoxha rreshtohet në krahun e Kurtit dhe jep 10 fakte “speciale” për të dorëhequrit!

  • 23 January 2018 - 12:57
Hoxha rreshtohet në krahun e Kurtit dhe jep 10 fakte “speciale” për të dorëhequrit!

Profesori nga Tirana, Elvis Hoxha që është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, të dorëhequrit nga ky subjekt politik ka thënë se janë me status special.

Mbi këtë bazë, Hoxha ka renditur 10 fakte për të dorëhequrit, ku i ka përshkruar për mënyrën e të vepruarit të tyre në aspektin politik.

Duke u rreshtuar hapur në krahun e liderit të VV-së Albin Kurti, Hoxha ka thënë se të dorëhequrit e linçun vetën duke mos pasur mundësi ta linçojnë Kurtin për tërheqjen e tij nga kandidura për kryetar të VV-së.

“Fati i madh i Lëvizjes është se nuk ka në të anëtarë dele, por aktivistë idealë. Fuqi e madhe e Lëvizjes është se ata i linçoi linçimi që nuk i bën dot Albinit. Ne nuk i dijmë shkaqet e vërteta të grupit të të dorëhequrve, të ikurve, të pakënaqurve, të diturve – emra që i kanë ngjitur mbi vete e nuk ua ngjitur askush tjetër. Por e njohim mirë arsyen e tyre: ata e duan, e dashurojnë Lëvizjen, më të votuarën e Kosovës, pa Albinin, më të votuarin e Kosovës”, tha ai përmes një postimi në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Më poshtë e gjeni reagimin e tij të plotë:

“Po flas pak për grupin e të pakënaqurve, sepse ia vlen t’í marrësh disi seriozisht e túa kënaqësh sedrën. Le t’i përshkruajmë pak:
1. Këta janë deputetë specialë, me një status special, pikërisht sepse nuk e respektojnë as statutin e Lëvizjes dhe as organin e saj më të lartë, Këshillin e Përgjithshëm.
2. Si specialë që janë, ata ia refuzojnë të drejtën e fjalës në media sociale aktivistëve të thjeshtë, por ata mund të shkojnë te Batoni dhe tek Adriatiku, madje dhe dorëheqjet mund t’i japin në media sociale.
3. Si specialë që janë, ata mund të vendosin kushtëzime, por nuk mund të durojnë linçime, edhe kur këto linçime vijnë pas kushtëzimeve të tyre.
4. Këta mund të jenë vulgarë, pikërisht sepse janë specialë, ndërsa aktivistët duhet të jenë të edukuar, sepse nuk janë deputetë dhe as të punësuar në organizatë ose në Komunë.
5. Këta specialë janë të ndjeshëm kur kritikohen prej aktivistit, por nuk bëjnë përjashtim prej rregullit. Ata thonë se çështjet e tyre duhet të shtrohen pa dijeninë e aktivistëve dhe të Këshillit të përgjithshëm, në tryeza të ngushta dhe vetëm me Albinin. Si specialë ata presin Albinin, aktivistët që u kanë dhënë votën e që kanë mbledhur vota për ta janë kot, janë një hiç.
6. Dhe janë aq specialë sa mund të të japin dhe një status special: ata mund të të heqin të drejtën për të kandiduar në poste drejtues të Lëvizjes.
7. Këta kanë të drejtën speciale ta krahasojnë LVV-në me Kuvendin e Kosovës, sepse aty janë deputetë, ndërsa nga VV kanë hequr dorë deri sa të gjejnë një banesë tjetër. Këtë krahasim e bëri Visar Ymeri kur ishte ende kryetar për t’i pëlqyer në logjikë Adriatik Kelmendit. Siç duket, tashmë Visar Ymeri e gjente veten shumë të ngjashëm me Kadri Veselin.
8. Me statusin e tyre special, ata mund të veprojnë kundër statutit të organizatës, ndërsa organizata duhet të jetë e detyruar t’i respektojë.
9. Me statusin e tyre special mund të përdorin këtej e tutje gjuhën e analistëve që kanë qenë gjithnjë kundër Lëvizjes. Edhe pse këta e dashurojnë Lëvizjen. Le të thonë se 16-10=2, apo që me fitu vetëm Prishtinën nuk është fitore, po nuk fitove njëkohësisht edhe Dardanën. Historinë mund ta shkruash në shumë mënyra, por vetëm në një mënyrë e bën.
10. Ata nuk mund të marrin pjesë as në zgjedhjen e kryetarit të Lëvizjes, sepse e duan lëvizjen me kusht që të mos jetë kandidatë më i votuari prej anëtarësië. Pra, Lëvizjen e duan po t’ia përmbysin mendimin anëtarësisë së saj.

Fati i madh i Lëvizjes është se nuk ka në të anëtarë dele, por aktivistë idealë. Fuqi e madhe e Lëvizjes është se ata i linçoi linçimi që nuk i bën dot Albinit. Ne nuk i dijmë shkaqet e vërteta të grupit të të dorëhequrve, të ikurve, të pakënaqurve, të diturve – emra që i kanë ngjitur mbi vete e nuk ua ngjitur askush tjetër. Por e njohim mirë arsyen e tyre: ata e duan, e dashurojnë Lëvizjen, më të votuarën e Kosovës, pa Albinin, më të votuarin e Kosovës.
Sipas thënies së plakut në rrëfenja mbi Skënderbeun: nuk është e fortë shpata, por krahu që e mban. Këta e duan Lëvizjen si një shpatë të bukur e të fuqishme, por që varet në mur, që thyhet, që shitet, që përdoret në veshje zyrtare, etj., por natyrisht pa krahun që e mban, aktivistin e thjeshtë dhe Albinin kryetar. Këta e duan shpatën pa krahun, Lëvizjen pa rrënjët. Le të ma fali ky grup krahasimin me Skënderbeun, kur ata vetë kanë bërë krahasime me Hitler dhe Stalin. Ta dijnë madje që unë jam me krahun e Albinit. Madje le të më quajnë anëtar të grupit të Tiranës, sipas një shijeje të hollë kosovariste që paskan patur në shpirt.”

(Kosova Sot)