Korporatizimi kriminal i degradoi të gjitha partitë kosovare

  • 23 January 2018 - 08:13
Korporatizimi kriminal i degradoi të gjitha partitë kosovare

POLITIKA NË KOSOVË, ARTI I MASHTRIMIT DHE ZHVATJES

Asnjë subjekt nuk i rezistoi joshjes për pushtet e para

Lidhja e ngushtë e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe shndërrimi i kësaj politike në lidhje mafioze të pandëshkuar, sipas analistëve, ka bërë që pothuajse të gjitha partitë në vend të marrin model për të keq njëra-tjetrën dhe kështu janë shndërruar në korporata kriminale biznesi, që pushtetin e shohin dhe e shfrytëzojnë për pasurim e zhvatje, por jo edhe rritje të mirëqenies së publikut të gjerë, që detyrohen me ligj e Kushtetutë. Me këtë sjellje kriminale, analistët vlerësojnë se vetë kjo kastë politike e ka bindur veten, pasi që jashtëligjshëm u bënë multimilionerë dhe miliarderë, se janë edhe "mbi ligjin, edhe mbi Kushtetutën", por për interesa personale tentojnë të kundërshtojnë edhe miqtë ndërkombëtarë, të cilët edhe e ndihmuan me luftë e para në çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës. Mirëpo, analistët rikujtojnë faktin se asnjëherë nuk ishte qëllimi i SHBA-së dhe BE-së që të krijohet një shtet me sistem mafioz, por shtet demokratik, i cili do të zhvillohet ekonomikisht dhe politikisht, jo shtet ku ka zhvatje kriminale nga pushtetarët e të dyja niveleve të pushtetit, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, në bashkëkoordinim me mafio-oligarkët e kriminalizuar. Tani është koha që më në fund edhe SHBA-të, por edhe Evropa ta thyejnë heshtjen dhe tolerancën tepër të gjatë dhe besohet që tani më janë lodhur dhe nuk e duan më një Kosovë ku kriminelët shëtisin lirshëm e ku gjykatësit dhe prokurorët ndikohen nga politika, korrupsioni e krimi i organizuar, ngase prokurorët po heshtin, nuk po hetojnë seriozisht dhe nuk po ngritin aktakuza të mirëfillta e serioze kundër shkelësve të ligjit në vend.

Image

Qytetarët u harruan krejtë- sisht 

Analisti politik Ali Hertica thotë se, për fat të keq, duhet të konstaton me keqardhje që shteti i Kosovës dhe shoqëria janë të rrethuar me mjeshtërinë më të madhe nga politikanë hipokritë të lidhur me rrjetet e hajnisë dhe duke harruar tërësisht interesin publik, zotimin e tyre për interesin e qytetarin në qeverisjen e vendit."Kemi harruar se sa fort këto identitete dhe ideologjia që bartin po na e copëtojnë jetën, që tenton të na trullos keq. Qenia njerëzore është shumë e komplikuar dhe e ngarkuar në këtë epokë të këtyre matrapazëve politikë që të mund të definohet vetëm sipas perceptimeve pa dhënë kurrfarë përgjegjësie për punën e tyre ndaj askujt. Kjo bën që të gjitha subjektet politike thuajse janë të shndërruar në të ashtuquajtura korporata të grupeve kriminale dhe duket se vetëm janë duke bërë gara mes tyre se kush është më i zhdërvjellët dhe më i fuqishëm që të zhvatë më shumë dhe pa u penguar nga askush", u shpreh ai për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Faton Mehmeti megjithatë thotë se kjo kastë kriminale politike është shumë afër vdekjes klinike. "Kjo klasë politike ka dështuar, sepse ende kopjon sistemin e qeverisjes parti-shtet. Ne jemi populli më pro amerikan në Evropë, por ne kemi qeverisjen më antiamerikane në kontinent, sepse në mënyrë kategorike kundërshtojnë çdo standard amerikan. Kjo klasë gjendet e rrethuar dhe në një vdekje klinike bie ky proces. Është duke vdekur klinikisht, pasi kopjon në mënyrë të shëmtuar. Kjo histori nuk mund të vazhdojë më kështu. Ka dështuar klasa politike dhe institucionale e Kosovës", ka theksuar ai."Koston, si gjithmonë, e paguan populli i Kosovës. Është i domosdoshëm Ligji mbi pastërtinë e figurës (lustracionit). Jo vetëm kaq. Në Kosovë veprojnë të papenguara dhe pa asnjë kufizim dhjetëra shërbime sekrete. Politike ka dështuar në drejtimin e vendit, korrupsioni është problem i madh dhe mungon paanshmëria në çdo fushë të jetës", vlerësoi Mehmeti për "Kosova Sot".

Pushtetarët i palosën milionat

Analisti Reshat Badallaj thotë se ai personalisht kaherë është distancuar dhe nuk ka mundur që këto grupime politike t'i quajë parti politike, për arsyen se si kanë vepruar që nga paslufta e deri më sot."Këto për mua personalisht nuk janë asgjë tjetër pos BANDA POLITIKE TË MBUSHURA ME PLOT BANDITË DHE KRYEBANDITË. Kur e them këtë, e them me gjithë mend dhe natyrisht i gatshëm që të mbaj përgjegjësi morale, penale, juridike dhe kam një sërë argumentesh pse e meritojnë këtë epitet", u shpreh ai."Këta banditë, kryebanditë, ne i njohim që para luftës, nuk kanë pasur as brekë për të veshur, nuk e kanë mbushur barkun me bukë, e shikoni fotot e shtëpive të tyre ku kanë jetuar, shikoni kolibet e tyre, kurse këta banditë, kryebanditë, çfarë shtëpish, hotelesh e veturash kanë tani", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai thotë se këtë pasuri këta e kanë bërë duke vjedhur e plaçkitur djersën e qytetarit, ndërkaq populli nuk i sheh thasët me para dhe pasurinë e fshehur e të vjedhur që kanë siguruar ekzistencë me këtë hajni më tepër se për 20 breza. "Përse e them këtë me bindje…e them se shumicën prej këtyre banditëve i njoh dhe ia di se çfarë pasurie kishin... Këto banda politike janë të lidhura me krimin e organizuar, me lloj-lloj aferash e skandalesh korruptive, të ndeshur në kundërshtim me ligjin, për hajni. Dhe, ky rrjet i krimit të organizuar u pasuruan jashtëligjshëm", shtoi më tej ai. "Këta hajna, përpos hajnisë, kanë ikur nga fshatrat dhe kanë uzurpuar pronat shtetërore nëpër qytetet dhe kanë ndërtuar shtëpi disakatëshe", potencoi Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Për këtë lloj hajnie ai thotë se edhe faktori ndërkombëtar sa e sa herë u është tërhequr vërejtjen këtyre banditëve, por kot. 

Image

Zaptimi i publikes

Analisti Naim Kelmendi thotë se jo vetëm vitet e kaluara, por sidomos këto zhvillimet e fundit, në skenën politike të Kosovës flasin më së miri për papërgjegjësinë e politikës ndaj interesave të shtetit, në të cilin investuan shumë edhe miqtë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-ja dhe BE-ja, prandaj edhe ndërhyrja e tyre për pastrimin e kësaj kaste politike duhet të jetë në top prioritet të angazhimit të tyre."Politika aktuale në stadin ku është, është për shkak të kapjes së përgjithshme të shtetit. Përpos që kanë zaptuar e ndikuar gjithë instancat publike, po ashtu edhe në masë aspektin social. Pra, kjo politikë është zaptuese e psikikës sociale, dhe prej bashkërendimit me instrumentet e tyre të vendosur në instanca të ndryshme, po arrijnë të mbajnë nën kontroll gjithçka", u shpreh ai."Falë kësaj kaste të inkriminuar politike, Kosova gjithnjë e më shumë e pasqyron një sistem të dështuar të qeverisjes me vlera demokratike. Kjo kastë politike me këtë papërgjegjësi në qeverisjen e shtetit, në të gjitha nivelet, ka krijuar pakënaqësi, mosbesim dhe konfuzitet është në arenën ndërkombëtare", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, me këtë politikë dëshpëruese nuk mund të kemi një qeverisje kredibile. 

(Kosova Sot)