Beqiri:Sektori privat, i margjinalizuar

  • 23 January 2018 - 17:45
Beqiri:Sektori privat, i margjinalizuar

Sipas Beqirit, pushtetarët në njërën anë rrisin pagat e veta në kundërshtim me çdo normë, falin borxhin e shtetit për interesa politike personale, e kanë ndrequr jetën e tyre dhe mandej dëshirojnë të ketë edhe të tillë që kanë vullnetin të festojnë për këtë 10- vjetor. "Sipas ASK-së, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ka qenë 367 euro, derisa në vitin 2016 arriti në 371 euro, që u rrit me vetëm 1.09 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 337 euro, me një rritje prej vetëm 4 eurosh", theksoi ai. "Sektori i ndërmarrjeve publike ka pagën më të lartë mesatare, në vitin 2012 ishte 518 euro, derisa në vitin 2016 ishte 660 euro, që u rrit për 27.41 për qind. Paga neto nga 465 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 586 euro, një rritje prej 26.02 për qind", tha ai. Por, sipas Beqirit, jo të gjithë sektorët patën rritje të shprehur të pagave nëpër vite. "Në sektorin publik, paga bruto, për periudhën 2012- 2016, u rrit për 118 euro. Te sektori privat kishte vetëm një rritje prej 4 eurosh, brenda periudhës në fjalë, nga 367 në 371 euro. Te ndërmarrjet publike, pati rritje më të madhe me 142 euro më shumë se viti 2012. Paralel u rritën edhe pagat neto", ka potencuar ai.

(Kosova Sot)