Neziraj: Minimumi jetik, "luks" në Kosovë

  • 23 January 2018 - 19:09
Neziraj: Minimumi jetik,

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se nuk kanë mbetur shumë ditë deri te festimi i 10- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të gjithë e kemi pasur të qartë se do të duhet kohë për një mirëqenie të mirëfilltë evropiane për qytetarët e vendit. "Nuk kemi pritur se vendi ynë të kthehet në një vend ku mirëqenia elementare është luks, asnjëri prej nesh nuk kemi pritur se do të jetojmë në varfëri edhe pas 10 vjetëve pavarësi , ku ligji shkelet pamëshirshëm nga ata që kanë fuqi, ku qytetarët jetojnë në ankth për të ardhmen e fëmijëve", u shpreh ai. "Edhe pas një dekade qytetari i Republikës së Kosovës nuk jeton mirë dhe me perspektivë. Vendi ynë është më i varfëri në rajon dhe po shihet si vend ku po lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe është vendi më i izoluar në Evropë. Nga shumë raporte ndërkombëtare dhe vendore, vendi ynë shihet me shkallën më të lartë të varfërisë, me ekonominë më të dobët, me institucione jokredibile, gjyqësor të paaftë dhe ku gati gjysma e popullatës është e papunë", vlerësoi Neziraj."Besoj se me qeverisjen 'Haradinaj' po shpresojmë në një qeverisje të re, dinamike,kompetente,vendimarrëse,zhvillimore të fuqishme dhe të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", vijoi më tutje ai.

(Kosova Sot)