Nokaj: Vendimmarrja e sfiduar

  • 23 January 2018 - 19:11
Nokaj: Vendimmarrja e sfiduar

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Ardian Nokaj tha për " Kosova Sot" se vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës është sfiduar seriozisht këtë mandat. "Kuvendi po përballet me mungesën e votave për marrjen e vendimeve për disa çështje të proklamuara si prioritete politike në nivel të Kosovës, siç është Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ndërlidhet me liberalizimin e vizave apo edhe me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Problem tjetër i panevojshëm është tentimlargimi i Gjykatës Speciale", u shpreh ai. "Përderisa Demarkacioni me Malin e Zi mbetet peng i mosmarrëveshjeve politike, jo vetëm ndërmjet forcave politike në pushtet dhe opozitë, por edhe ndërmjet vetë partive në pushtet, çështja e ushtrisë së Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë dhe përfshirje të përfaqësuesve serbë në vendimmarrje", ka theksuar Nokaj. "Problemet burojnë te mungesa e një transformimi ekonomik, çka, sipas meje, do të ndikonte që politikanët dhe partitë politike të merreshin më shumë me çështjet zhvillimore të vendit dhe jo me politika të thata dhe arkaike. Te çështja e Demarkacionit, duhet të përmbyllet, ngase kemi të bëjmë me një shtet fqinj, i cili ka luajtur një rol pozitiv historik", potencoi ai. "Problem në vete paraqesin edhe numrat që bëjnë Qeverinë - e interesit , ç'do ligj apo votim kushtëzohet nga individë pseudokriminalë", ka vlerësuar Nokaj. Sipas tij, edhe Ushtria e Kosovës, edhe Demarkacioni kalojnë kur kemi një shtet i cili ka institucione që e bazojnë funksionimin e tyre në shtetin ligjor.

(Kosova Sot)