Gjyshja 76 vjeçe bart me karrocë nipin e sëmurë në shkollë

  • 23 January 2018 - 19:21
Gjyshja 76 vjeçe bart me karrocë nipin e sëmurë në shkollë

PLAKËS I DUHET QË TË ECË RRETH 24 KILOMETRA NË DITË

Një plake në Kinë i duhet që të ecë rreth 24 kilometra në ditë, me qëllim që ta dërgojë nipin e saj të sëmurë 9- vjeçar, Jiang Haowen, në shkollë dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në provincën rurale Guangxi në Kinën jugore. Kjo gjyshe me vullnet të fortë, e cila është personi i vetëm i cili përkujdeset për djalin e sëmurë, ka deklaruar se, derisa ta ketë fuqinë, do të vazhdojë ta dërgojë djalin me karrocë në shkollë. 

Karroca invalidore

Haowen vuan nga paraliza cerebrale, një sëmundje e cila dëmton lëvizjen dhe koordinimin. Ai nuk mund të ecë dhe ka nevojë për përkujdesje të vazhdueshme. Prindërit e tij u shkurorëzuan kur Haowen kishte vetëm katër vjet. I ati i tij tani punon në një qytet tjetër, derisa nëna e tij është rimartuar. Zonja Shi dhe vogëlushi Haowen jetojnë në fshatin Daizhuyuan, në provincën Guangxi, respektivisht në qarkun Guanyang. Në fillim, plaka përdorte biçikletën për ta dërguar djalin në shkollë, por vitin e kaluar, autoritetet e furnizuan këtë familje me një karrocë invalidore.

Trajtimi nuk dha kushedi çfarë rezultatesh

Djali u diagnostikua me paralizë cerebrale kur kishte vetëm dy vjet. Atë e patën te mjekë të shumtë, por trajtimi nuk dha kushedi çfarë rezultatesh. Për më tepër, familja u rras në borxhe, si pasojë e kostos së trajtimit mjekësor. Gjyshja tregon sesi djali është i zoti sidomos në matematikë dhe ka një memorie të mirë. Përpos që e dërgon në shkollë dhe e merr nga shkolla, gjyshja përkujdeset edhe për të gjitha aspektet e tjera të jetës së nipit të saj. Ajo tani është në kërkim të një shkolle më të mirë për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që ta dërgojë nipin e saj atje, në të ardhmen.

(Kosova Sot)