KGJK, avokat i korrupsionit në drejtësi

  • 24 January 2018 - 08:12
KGJK, avokat i korrupsionit në drejtësi

ANALISTËT VLERËSOJNË SE KUPOLA E SISTEMIT KA DËSHTUAR TËRËSISHT

Duke parë të gjitha dobësitë që po e përcjellin sistemin e drejtësisë në Kosovë, njohësit e kësaj fushe, profesionistë dhe analistët politikë, theksojnë se pika e dobët e këtij organizimi jofunksional të drejtësisë kosovare duhet kërkuar tek KGJK-ja, KPK-ja dhe Zyra Prokurorit Disiplinor, që, sipas analistëve, janë shndërruar në një repart mbrojtës ndaj korpusit të gjyqtarëve joprofesionistë, pa etikë dhe të paaftë e të tejkorruptuar. Kjo është, sipas njohësve të kësaj fushe, një arsye e fuqishme pse duhet kërkuar reformimin e plotë të Gjyqësorit nga KGJK-ja, kreu "kukull e marionetë" e politikës ndërhyrëse e urdhëruese në drejtësi , për të vazhduar tutje me pastrimin e drejtësisë nga elementët e tjerë në Gjyqësor, sepse edhe KGJK-ja, si dhe ZPD-ja, po i mbyllin sytë para shitjes e trafikimit të lëndëve, nga një pjesë e madhe e gjyqtarëve në Kosovë, por edhe joprofesionalizmit dhe paaftësisë e ndikimit të tyre. Madje, sipas analistëve, është pikërisht kjo arsyeja se pse shumica e lëndëve, që po bëhen objekt i shitblerjeve, po zgjidhen me procedura të përshpejtuara dhe në favor të atij që ka paguar përmes pazareve, dhe në këtë mes lojën e mirë po e luajnë në rolin e sekserëve edhe vetë avokatët sekserë. Dyshohet madje që po bëhet shitblerja e lëndëve nëpër restorante, e disa edhe nëpër zyra të gjyqtarëve, në mes të gjyqtarëve dhe palëve, me ndërmjetësim të avokatëve të caktuar trafikantë të njohur edhe për publikun, disa prej tyre goxha me reputacion e të lidhur me politikën dhe me gjyqtarë të korruptuar. Si emërues i krejt kësaj gjendjeje, sipas analistëve politikë e profesionistëve të fushës, del konstatimi se Kosova ka nevojë për gjyqtarë e prokurorë, hetues dhe avokatë të mirëfilltë, me etikë dhe integritet profesional dhe të cilët nuk e shesin e nuk e trafikojnë drejtësinë, sikur edhe për avokatë të mirëfilltë e me etikë ,të cilët nuk do ta luajnë rolin e sekserëve në trafikimin e drejtësisë!

Image

Degjenerimi i sistemit 

Një konstatim të tillë, me dyshimet për të gjitha këto parregullsi të cekura më lartë, e jep njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari. "Këshilli i Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës është i shndërruar krejtë- sisht në një bastion politik që i mbron prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që tërë ditën sorollaten nëpër restorante. Dhe, niveli se ku jemi sot në organet e drejtësisë më së miri tregon akuzat e tmerrshme për drejtësinë e një shteti serioz, që para disa ditësh që i bëri një prokuror i Kosovës, ku i akuzoj prokurorin dhe gjyqtarët se i kanë shndërruar gjykatat në çerdhe të KAZANOVËS, domethënë çerdhe amorale apo prostitucioni, e kjo tregon deri ku kemi shkuar në aspektin negativ se si sundon ligji sot. Zinxhiri i dështimit të organeve të drejtësisë shkon duke filluar nga pranimi në punë me tendenca politike, si ndikimet e presidentit Thaçi pastaj Kadri Veselit, pastaj vijnë ndikimi i LDK-së dhe AAKsë dhe ndikime nga krimi i organizuar nga jashtë, prandaj sot nuk kemi drejtësi, kemi shmangie nga sundimi i ligjit, ku interesin e përbashkët e kanë politikanët e korruptuar, avokatët, prokurorët , gjyqtarët,dhe mafia e Kosovës, ku fatkeqësisht ka të implikuar edhe zyrtarë ligjorë ndërkombëtarë, që vendin tonë e shohin si pre e gjahut", u shpreh ai." Enver Peci i KGJK-së dhe Ismet Kabashi i KPK-së e shumë 'Kabashë të tjerë' janë aty me detyra të posaçme nga nëntoka politike,prandaj sot i kemi gjykatat tona si "bursa" ku çdo gjë shitet dhe blihet nga krimi i organizuar", potencoi Miftari për "Kosova Sot" . Analisti Ragip Guraziu thotë se për të gjithë këto hapësira manipulimi që po lejohen në drejtësi, në Prokurori e Gjyqësor, duhet kërkuar përgjegjësi nga KGJK-ja, duke filluar për periudhën nga 2009/2010, sepse që nga ajo kohë është instaluar sistemi më i skajshëm i kapur nga interesat e gupeve të mëdha politike. "Kjo për faktin që kemi parasysh se prej formimit të saj nga politika ndikuese e përcaktuese, atëherë të ndikuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu në duet që sollën njerëzit e vet të preferuar -Enver Pecin, kryesues të KGJK-së dhe Ismet Kabashin - kryesues të KPKsë, që të dy jorastësisht nga Mitrovica e të dëgjueshëm, që u bënë aleatë dhe merrnin urdhra e vepronin të ndikuar 100% prej politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, gjegjësisht u bënë tërësisht në shërbim të tyre dhe e devijuan këtë sistem", theksoi ai. "Prej asaj kohe është shndërruar Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një repart mbrojtës ndaj korpusit të gjyqtarëve joprofesionistë, pa etikë dhe të paaftë e të tejkorruptuar, prandaj është koha që urgjentisht të nisë reformimi i Gjyqësorit që nga KGJK -ja, si kreu "kukull e marionetë" e politikës ndërhyrëse e urdhëruese në drejtësi , për të vazhduar tutje me pastrimin e drejtësisë nga elementët e tjerë në Gjyqësor", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

PRETENI: DUHET TË BALLAFAQOHEN KGJK-JA DHE KPK-JA

Për një llogaridhënie të detajuar të këtyre institucioneve është edhe njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni. "Duhet të ballafaqohen KGJK-ja dhe KPK-ja. Në të gjitha raportet e BE-se, Raporti i Progresit në vazhdimësi konstaton se në Kosovë nuk ka shifra të harmonizuara sesa kallëzime penale janë realizuar, sa aktakuza janë ngritë, sa aktgjykime janë shqiptuar? Të gjitha të dhënat janë të paharmonizuara edhe atë me qëllim. Duan mjegull, duan të krijojnë huti dhe këtë po e arrijnë. Pushteti " Gjyqësor" është në aut, jofunksional, jollogaridhënës dhe në shërbim të politikës ditore", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

Image

Trafikimi i lëndëve 

Analisti politik Florim Zeqa është më se i bindur që shumica e lëndëve të zgjidhura në procedura të përshpejtuara janë produkt i shitblerjeve, ku si zakonisht ato zgjidhen në favor të atyre që kanë paguar përmes pazareve të fshehta nëpër restorante apo zyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve. "I gjithë kontrabandimi i lëndëve kryhet nëpërmjet sekserëve, ku në të shumtën e rasteve janë avokatët me reputacion në opinionin publik. Ashtu sikurse kapësit e shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët edhe avokatët sekserë të shitblerjes së lëndëve janë 4-5 persona, të cilëve dyert e Prokurorisë u hapen në çdo kohë e në çdo orë. Të njëjtët avokatë, paradite i sheh në një seancë gjyqë- sore, ndërsa pasdite në tjetrën. Kjo dukuri nuk është se ka filluar sot, por që nga viti 2009/2010 e këndej, gjegjësisht nga themelimi i KGJK-së nga politika me prokurorë dhe gjykatës të dëgjueshëm dhe servilë të politikës dhe mafio-oligarkëve ekonomikë", potencoi ai. " KGJK-ja nga viti 2009 e këndej është shndërruar në divizion mbrojtës të aferave korruptive të qeveritarëve, ndaj korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve joprofesionistë, pa etikë dhe të paaftë për të vepruar konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot". 

Image

Kanuni zë vendin e drejtësisë 

Analisti Mustafë Kadrijaj thotë se kjo gjendje duhet të ndryshohet me urgjencë, ngase si e tillë është filluar e ndërtuar nga ditët e para të pasluftës dhe ka mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite. "Si rezultat i mosfunksionimit të trekëndëshit, Polici- ProkuroriGjyqësor, sot kemi neglizhencë në vendime gjyqësore, kemi vendime të devijuara dhe të ndikuara po nga grupet joformale", u shpreh ai. "Në bazë të asaj që shihet, Policia dhe Prokuroria në përjashtim të rasteve të rralla, por të izoluara, në përgjithësi kryejnë detyrat e veta, por hallka këputet pikërisht tek gjykata, sepse avokatët përmes joshjeve, përmes mitës me gjyqtarët i neglizhojnë lëndët ose e devijojnë verdiktin gjyqësor, varë- sisht nga kërkesat e të akuzuarave dhe të gjitha këto vendime dhe pazare bëhen jashtë institucioneve, pra nëpër kafene dhe restorante", vijoi më tutje Kadrijaj për "Kosova Sot". Sipas tij, më shumë se kurrë Gjyqësori ka nevojë të largohet nga ndikimet politike dhe oligarkia që po dëmton çdo ditë e më shumë shtetësinë e Kosovës, që përveç dëmit që po shkaktojnë duke gjykuar me tendencë dhe sipas kërkesave të padronëve të tyre, njëherësh kjo i shtynë qytetarët e Kosovës të bëjnë edhe gjykime sipas Kanunit, sepse nuk kanë besim në gjykata.

(Kosova Sot)