Kontrata miliardëshe, në duart e Kuvendit

  • 24 January 2018 - 08:19
Kontrata miliardëshe, në duart e Kuvendit

Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"

Të paqarta mbeten lëvizja e çmimit dhe detyrimi i qeverisë

Pas miratimit nga Qeveria të marrëveshjes për ndërtimin e TC "Kosova e Re", duhet edhe Kuvendi ta thotë fjalën e tij. Për momentin askush nuk e di se a do ta votojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës marrëveshjen e arritur për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re". Deri në fund të këtij viti pritet të bëhet përmbyllja financiare, e cila duhet të marrë edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës për pjesën e garancisë që pritet të lëshojë Qeveria e Kosovës për marrjen e kredisë. Nga kontrata e publikuar shihet se kompania " Contour Global" do të shpenzojë vetëm 10 euro për blerjen e tokës së nevojshme për ndërtimin e Termocentralit 'Kosova e Re". Ndërkaq, po ashtu mbetet mister se sa do t'i kushtojë kosovarëve ndërtimi i këtij termocentrali dhe sa do të jetë ky shtrenjtim i energjisë elektrike që është paralajmëruar. Përderisa dihet se sa kushton një megavat rrymë prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës, që është në shumën 28.60 euro, gjithashtu mbetet enigmë se sa do të kushtojë nga termocentrali i ri në pronësi të kompanisë "Contour Global", e cila do të prodhojë nga 450 megavat energji elektrike, të cilën është e obliguar ta blejë detyrimisht Qeveria e Kosovës për 20 vitet e ardhshme. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MZHE-së për të mësuar se a do të ketë Qeveria e Kosovës për detyrë të blejë tërë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, pati apo nuk pati nevojë tregu i Kosovës si edhe çështja tjetër se përse kontrata u publikua në gjuhën angleze e jo edhe në gjuhën shqipe, kur gjuhë zyrtarë kryesore është gjuha shqipe, zyrtarët e MZHE-së, por edhe deputetët e opozitës nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Image

Lëvizjet e çmimeve

Zyrtari për informim i KEK-ut, Skënder Bucolli, tha për "Kosova Sot" se çmimi i energjisë elektrike të prodhuar nga KEK-u është 28.60 euro për 1MWh për konsumatorët e rregulluar."Ndërsa për çmimet e importit të energjisë elektrike nuk kemi informatë pasi që për atë përgjegjës është KESCO dhe KOSTT-i", u shpreh ai. Ndërkaq, siç dihet çmimi i energjisë nga importi është më i shtrenjtë sesa ai i prodhimit vendor. Ekspertët thonë se çmimin e energjisë e përcakton Bursa Botërore dhe të njëjtat çmime varen nga sezoni kur blihet energjia e importuar. Analistët thonë se gjatë sezonit të pranverës dhe verës këto çmime të energjisë elektrike janë më të lira, ndërsa gjatë sezonit të vjeshtës e veçanërisht gjatë sezonit të dimrit çmimet e energjisë elektrike të importuara janë dukshëm më të shtrenjta. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha për "Kosova Sot" se çmimet e energjisë elektrike janë të varura nga çmimet e brezave ndërkombëtarë, të cilat lëvizin, pra nuk ka një çmim fiks. Ndërsa analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se deputetët e Kuvendit të Kosovës unanimisht do ta votojnë marrëveshjen me kompaninë amerikane "Contour Global", lidhur me TC-në "Kosova e Re", ndërsa është e vërtetë se çmimi për një ari tokë është vetëm 10 euro."Sipas mendimit tim, kjo nuk prish punë, kur marrim parasysh investimin e madh dhe punësimin, thjesht mendoj se është e pranueshme një marrëveshje e tillë ", vlerësoi ai."Ajo çka është shqetësuese për mua është pretendimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga kjo marrëveshje, çka edhe ka për ta vështirësuar jetesën e qytetarëve dhe të bizneseve", vijoi më tej Beqiri. 

Image

Kostoja e ndërtimit 

Ekonomisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se nëse është e vërtetë që "Contour Global" do ta blejë tokën për ndërtimin e TC-së "Kosova e Re", për vetëm 10 euro, Kuvendi i Kosovës nuk duhet të pranojë një kosto të tillë, duke e ditur që pastaj qytetarët e Kosovës do të bëhen viktima duke e paguar rrymën 200 për qind më shtrenjtë."Kompania që duhet ta ndërtojë TC-në, "Kosova e Re", duhet të jetë më reale dhe më transparente e jo ta keqpërdorë pozitën e tyre si kompani për përfitimet e tyre milionëshe në krahë të një populli ku shumica janë të papunë dhe me paga maksimale deri në 600 euro në muaj. Veç saj duke e ditur që varfëria është mbi mesataren e 50 përqindëshit , prandaj duhet të gjendet një zgjidhje për këtë, ndryshe më mirë mos të ndërtohet", ka vlerësuar ai."Nuk kam asgjë kundër ndërtimit, por që të jetë qytetari viktimë e një qeverie e cila mezi pret që milionat t'i fusë në xhepat e tyre personalë për këtë jam kundër, sepse qytetarët do të vuajnë kur do të detyrohen që të paguajnë rrymën shumë më shtrenjtë. Ndërkaq, sa i përket kontratës që është publikuar në gjuhën angleze nuk është diçka që duhet të përmendet, por kryesorja është se nëse aprovohet marrëveshja për TCnë "Kosova e Re", atëherë do të kemi një problem shumë serioz nga qytetarët e Kosovës, për shkak se mbi 80 për qind të popullatës mund të mbesin pa rrymë, për shkak të mos pagesës dhe çmimit të lartë", potencoi Grapci.

Projekt i zvarritur

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për 'Kosova Sot" tha se Republika e Kosovës ka nevojë për termocentral të ri dhe për këtë ka pasur nevojë shumë më herët që të fillojë ndërtimi e jo të pritet deri më tani."Prodhimi i energjisë është një prej faktorëve kryesorë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja në vend, por prodhimi i energjisë së pari duhet t'i sigurojë nevojat për zhvillimin e vendit dhe pastaj të sigurojë rritjen ekonomike përmes eksportit të energjisë deri në atë masë që mos të dëmtojë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të mos ndikojë në degradimin e vlerave natyrore", u shpreh ai."Deputetë si të pozitës ashtu edhe të opozitës duhet që ta analizojnë kontratën e nënshkruar nga ana e Qeverisë për Termocentralin e ri, sepse vendi ynë ka nevojë për energji, por edhe të shikohet interesi i qytetarëve të vendit dhe mos të bëjnë politikë me këtë projekt të rëndësishëm për vendin", vijoi më tej Neziraj."Vendi ynë është i pasur me pasuri nëntokësore, sidomos me thëngjill dhe që duhet të shfrytëzojmë këto pasuri për interesa kombëtare. Termocentrali i ri duhet të ndërtohet me teknologjinë më të avancuar të djegies së pastër të thëngjillit, me zero emetim të gazrave, e sidomos të sasisë së lirimit të dyoksidit të karbonit. Përmes këtij projekti, që është investimi më i madh që nga paslufta, do të përfitojnë qytetarët e vendit, sepse pritet të ketë gjenerim të vendeve të reja të punës", vlerëson Neziraj.

Duhet të bëhemi konkurrues në rajon

Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') tha për "Kosova Sot" se nuk sheh parti as koalicion, as lobim të fortë partiak, biznesor ose miks... që do të kenë mundësi, guxim ose luks për të marrë përsipër një barrë kaq të rëndë, siç është mosfurnizimi i qytetarit konsumator taksapagues, i ekonomisë, i ndërmarrjeve publike, i bizneseve... i spitaleve e shkollave me energji elektrike."Duke marrë parasysh këto, jam i sigurt se TC "Kosova e Re" do të kalojë në Kuvend", u shpreh ai."Nëse jemi duke kërkuar, nëse kemi nevojë për investime të jashtme, nëse si në rastin konkret kemi nevojë për energji elektrike, nëse kemi nevojë për zhvillim ekonomik e punësim, atëherë duhet të krijojmë kushte më të volitshme për investime të jashtme se shtetet e Rajonit, të cilat na konkurrojnë fuqishëm", vlerësoi Kaçaniku. "Ligji mbi Partneritetin Publiko-Privat parasheh kushte edhe më të volitshme investimi. Le ta harrojmë çmimin prej 10 euro për blerjen e tokës për TC-në, sepse kjo tokë vazhdon t'i mbetet Kosovës e TC-ja pas 20 vitesh po ashtu i mbetet Kosovës, ose le ta shohim nga prizmi i vlerës së investimeve, zhvillimi, prodhimi / furnizimi me energji elektrike, punësimi etj.", ka theksuar Selatin Kaçaniku. Sipas tij, çmimi i energjisë elektrike duhet të jetë konkurrues edhe në nivel rajonal. 

(Kosova Sot)