Dialogu i Thaçit e forcoi ndikimin e Serbisë në Kosovë

  • 24 January 2018 - 08:27
Dialogu i Thaçit e forcoi ndikimin e Serbisë në Kosovë

PASOJAT E NJË PROCESI TË KOMPROMENTUAR

Vendi ynë nuk po përfiton asgjë nga bisedimet e Brukselit 

Ekspertë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të fushës së sigurisë kanë bërë akuza në adresë të pushtetarëve të Kosovës, duke i bërë ata fajtorë se përse po e ndihmojnë Serbinë që të përfitojë nga i ashtuquajturi dialog me Kosovën. Analistët ndërkaq thonë se Serbia po synon të zvarrisë sa më shumë dialogun me Kosovën, për shkak se përfiton nga zvarritja dhe për ta mbajtur "status-quonë" në Kosovë. Ata thonë se edhe vizita e Vuçiqit në Kosovë ishte për përfitime politike, kinse duke lansuar mesazhe paqeje, për të grumbulluar poenë para bashkësisë ndërkombëtare. Analisti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", tha se Serbia ka shtuar shantazhe me këto dosje ndaj liderëve kosovarë dhe në vazhdimësi ka përfituar nga bisedimet me Kosovën. "Mendoj se për integrimin e Serbisë aq shumë afër BE-së më meritori është Hashim Thaçi. Duke qenë se ky njeri kishte dosje të mëdha dhe se i njëjti po shkon se po shkon në Gjykatën Speciale, ai i shërbeu Serbisë në këto negociata, qofshin teknike apo politike, njëherë si kryeministër e tash edhe si president i vendit, dhe po e integron Serbinë në BE", vlerë- soi ai."Në këto takime serboshqiptare sigurisht se Serbia është përfituese e vetme, pasi që Kosova nuk po përfiton asgjë veç stagnimit dhe mbetjes në atë pozicion ku është", ka thënë Kelmendi.

Image

Hyrja e eskortës së armatosur, e palejuar 

Eksperti i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot", tha se është e saktë se edhe vetë atentati ndaj Oliver Ivanoviqit tregon se serbët janë të interesuar që me çdo kusht t'i zvarritin bisedimet me Kosovën."Edhe akti i vrasjes së Ivanoviqit ka lidhje me këtë proces dhe këtë e konfirmon edhe Ivica Daçiq, kur thotë se pa u zbardhur rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit nuk ka vazhdim të dialogut me Kosovën. Pra, pala serbe bën kushtëzim mbi kushtëzim, duke thënë se pa u zbardhur kjo vrasje e Ivanoviqit nuk ka bisedime me Kosovën", theksoi ai."Nuk do mend se vizita e Vuçiqit ishte një marketing politik i tij dhe në prapavijë është diç tjetër", tha Ibishi. Ai kritikon Qeverinë që lejoi eskortën e armatosur të presidentit serb ta shoqëronte."Edhe para disa vitesh nga vendkalimi i Muçibabës, nga drejtimi i Preshevës për në Kosovë, ishte futur edhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq, bashkë me eskortën e armatosur dhe kjo është e palejuar plotësisht dhe kujtoj se vizitat e tilla të presidentit duhet të jenë vetëm protokollare e jo me forca të armatosura .Veç saj, edhe prezenca e shërbimit sekret (BIA), që po ashtu supozohet të kenë qenë me armë, nuk lejohet në një shtet tjetër, sikurse që ishte te ne", ka thënë Ibishi."Serbët para opinionit të tyre e shfaqin një formë tjetër, se gjoja ata me forcë po vijnë në Kosovë, e jo se kanë ardhur në një vizitë të lejuar nga institucionet e Kosovë, andaj kjo formë e tillë e vizitave duhet të ndërpritet përfundimisht", sugjeron ai. Sipas tij, gjatë dialogut janë bërë shumë gabime të rënda. "Këto çështje ka qenë dashur me kohë të kushtëzohen para caktimit të agjendave të bisedimeve, sidomos për të pagjeturit që janë në varrezat masive në Serbi, por edhe në aspektin e reparacioneve të luftës, ndonëse ishim të përfshirë në Komisionin e Badinterit, por edhe në aspektin e viktimave të luftës dhe në aspektin e shkatërrimeve që i bëri Serbia në Kosovë", ka vlerësuar Ibishi.

Image

Moskushtëzimi i dialogut, gabim i pafalshëm 

Analisti Bislim Aliu tha për "Kosova Sot" se është skandaloze që me ekipin e tij, ku ishte edhe shërbimi sekret, BIA, në Beograd, por edhe në Prishtinë, të vijë lirshëm Vuciqi e të përzihet në punët e brendshme të Kosovës."Kjo nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë, ngase jemi shtet dhe gjithmonë duhet të sillemi si shtet. Andaj, duhet ndaluar politikanët serbë, e posaçërisht Vuçiqin, të përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Punët e brendshme të Kosovës i kryen shteti i Kosovës, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës", potencoi ai."Që nga fillimi kemi bërë gabim të pafalshëm që kemi hyrë në dialog me Serbinë, pa e kushtëzuar me asnjë kusht dialogun, kërkimfalje për masakrat e bëra, dëmshpërblimet e luftës, zbardhja e të pagjeturve dhe njohja e shtetësisë së Kosovës", u shpreh më tutje Aliu. "Kemi hyrë në dialog me Serbinë pa farë kushtëzimi, thuajse Serbia nuk ka bërë asgjë të keqe në Kosovë. Apo thuajse nuk e kemi njohur Serbinë si shtet gjenocidal ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar", theksoi ai. Sipas Aliut, ky gabim i rëndë po na hakmerret tani, ndërsa duhet urgjentisht një qasje e re e dialogut dhe një ekip gjithëpërfshirës në dialog. 

(Kosova Sot)