Paditet Bashkësia Islame në Pejë

  • 04 August 2015 - 22:55
Paditet Bashkësia Islame në Pejë
Ndërtimi i një xhamie me afarizëm në lokacionin e varrezave të vjetra në fshatin Vitomiricë të Pejës, ka krijuar në Drejtorinë e Urbanizmit në Pejë një dosje me dhjetëra dokumente të ndryshme, ankesa, kërkesa dhe peticione nga qytetarët që kundërshtojnë ndërtimin e xhamisë dhe nga Bashkësia Islame e Pejës që pretendon ndërtimin e xhamisë.

Në mesin e gjithë atij grumbulli të dokumenteve gjenden edhe kopjet e padive të ngritura nga disa qytetarë kundër Bashkësisë Islame, për shkak të shkatërrimit të varrezave.

Njëri prej paditësve është edhe Isuf Lajçi, i cili për Gazetën Elajm tha se në ato varreza ka qenë edhe varri i gjyshes së babit të tij, eshtrat e të cilës, siç shtoi ai janë zhdukur.

“Varrin e gjyshes e kemi vizituar rregullisht dhe kemi dashtë ndërkohë edhe me ja ndërtu. Por, kur shkova një ditë e pash që kishin hi me buldozer, kishin gropua dhe varri e eshtrat e saj nuk gjendeshin askund. Unë s’di si kanë mund me hy me gropua aty pa pyet hiq askënd. Unë së pari i kam padit pse kanë luajt me autoritetin e krejt familjes tonë, që e kanë zhduk varrin e gjyshes, dhe së dyti eshtrat e saj ata duhet me i kthye dhe me i varros aty ku kanë qenë”, tregon Lajçi për arsyen e padisë kundër Bashkësisë Islame.

Rreth këtyre padive, Gazeta Elajm ka kontaktuar kryetarin e Bashkësisë Islame në Pejë, Mulla Musli Arifin, i cili tha se nuk ka njohuri për ato padi.

image

“Unë nuk kam informacione për ato padi, sepse nuk më ka ardhur asgjë zyrtarisht për ato”, është shprehur shkurt kreu i Bashkësisë Islame në Pejë.

Ndërkohë, Bashkësia Islame është në pritje të sjelljes së vendimit të ri nga Urbanizmi për lëshimin apo jo të lejes së ndërtimit, për të cilën herën e parë kanë aplikuar tre muaj më parë, por që Drejtoria e Urbanizmit me 2 qershor ka refuzuar me një vendim dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e xhamisë me afarizëm në parcelën kadastrale 2168/1 në Vitomiricë, pronë e Vakufit.

Bashkësia Islame ishte ankuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, e cila me 1 korrik shfuqizoi vendimin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe e kthen lëndën në rishqyrtim.

“Drejtoria e Urbanizmit po vepron në bazë të ligjit. Fillimisht ka qenë kërkesa e Bashkësisë Islame për leje, Drejtoria e ka refuzuar, pastaj ata janë ankuar në Ministri, e ajo e ka kthyer në rishqyrtim. Tash jemi duke i ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe jemi duke e shqyrtuar tërë dokumentacionin e të dy palëve, atyre që janë kundër xhamisë dhe atyre që duan ta ndërtojnë xhaminë, dhe pastaj stafi i Drejtorisë në bazë të ligjit do të merr vendim me kohë. Kurse pala që nuk ndahet e kënaqur me vendimin ka të drejtë ankese në nivelet tjera”, tha për elajm.com drejtori i Urbanizmit Salih Lajçi.

Ai tha se deri tash ka pas presione të ndryshme nga të dyja palët, por nga presionet e tilla, siç shtoi ai, nuk do të ndikohen ne sjellin e vendimit adekuat, të cilin pritet ta sjellë para datës 9 gusht.

Mirëpo, në Bashkësinë Islame thonë se data për ta sjellë atë vendim ka kaluar që dy ditë dhe se sipas ligjit që ata e prezantojnë, ata i kanë duart e lira të vazhdojnë punimet, pasi në afatin kohor prej një muaji, Drejtoria e Urbanizmit nuk ka sjell asnjë vendim.image

Punimet për ndërtimin e kësaj xhamie kanë nisur në muajin maj, por janë ndërprerë pas reagimeve dhe kundërshtimeve të një numri të banorëve të fshatit Vitomiricë, me arsyetimin se atje kanë nevojë për një shkollë të re dhe çerdhe, e jo edhe për një xhami tjetër, pasi fshati ka një xhami.

Projekti për ndërtimin e xhamisë po realizohet nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Civilizimit Islam, më seli në Tiranë, sipas të cilit, donator për ndërtimin e kësaj xhamie është një familje bashkëkohore arabe nga Dubai, transmeton elajm.com.