Ja çfarë thotë Jakup Krasniqi për Specialen

  • 04 August 2015 - 23:38
Ja çfarë thotë Jakup Krasniqi për Specialen

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se vendimi i Kuvendit për përshpejtimin e votimit të Gjykatës Speciale, ka shkelje por se për këtë nuk ka qartësi as në Kushtetutë e as në rregulloren e punës së Kuvendit.

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit në vitet 2008-2014 , thotë se procedurat në rastin e votimit të Gjykatës janë të dyshimta dhe opozita ka pas drejtë që e ka kundërshtuar.

Por ai thekson se nuk ka përcaktim të qartë të këtyre procedurave në rregulloren e Kuvendit e as në Kushtetutën e vendit.

"Procedurat realisht mund të jenë të dyshimta dhe me të drejtë opozita i ka ngrit shqetësimet e veta i ka prezentuar komentet e veta dhe është një rikthim shpejt e shpejt në Kuvendin e Kosovës ndonëse as rregullorja e punës së Kuvendit e as Kushtetuta jonë nuk e sqaron këtë çështje mirë, por kur dokumentet qoftë ligji qoftë, Kushtetuta diçka nuk e shpjegon mirë atëherë duhet të shikohet siç janë praktikat tjera në vendet demokratike", tha Krasniqi për televizionin Rrokum.

Sipas tij , vendimi i Kuvendit tashmë është i plotfuqishëm edhe pse opozita mund ta dërgoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

'Por nuk ka me pas ndonjë përfundim pozitiv duke njohur praktikën e deritashme të marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese që shpeshherë nuk kanë qenë as në frymën e Kushtetutës tonë dhe ato zakonisht duhet të jenë në përputhje me frymën kushtetuese ose me frymën e praktikës parlamentare se vendi ynë është Republikë Parlamentare", tha Krasniqi.