'Me seancën për Gjykatën, populli u maltretua për 8 orë'

  • 04 August 2015 - 23:48
'Me seancën për Gjykatën, populli u maltretua për 8 orë'

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda, thotë se ai në seancën e fundit ku u votua themelimi i Gjykatës Speciale, akuzoi pozitën dhe opozitën sepse niveli i debatit ishte i ulët.

Ai ka thënë se Kuvendi, sidomos “brezi i ri i politikanëve”, duhet të ketë kulturë ndryshe të politikës.

Deda ka thënë se ai nuk vepron si fanatik partiak dhe ka mendime personale të cilat i shprehu edhe në seancën e fundit.

“Unë kam përgjegjësi publike dhe jam zgjedhë me emër dhe mbiemër deputet. Në situata të tilla para se me qenë deputet unë nuk kam heshtë. Unë nuk e shoh veten në rol të të qenurit fanatik, partiak. Kam mendim politik, kam dëshirë të avancohet politika por me racionalitet”, ka thënë Deda në Interaktiv të KTV’së.

Ai thotë se asnjë gjë nuk i ka pëlqyer në seancën e fundit. Thotë se për 8 orë u maltretua populli i Kosovës pa asnjë nevojë.

“Asnjë gjë nuk më pëlqeu. As gjuha, as argumentet as gjëra të tilla. Mendoj se i kemi maltretu popullin kot për 8 orë. Nuk na takon t’i maltretojmë njerëzit në atë mënyrë sepse ne jemi të zgjedhurit e tyre”, ka thënë Deda.

“Kemi pasë edhe herën kur nuk ka kaluar amandamentimi kushtetues dhe fjalimet kanë qenë argumentative në shumicën e rasteve”, tha veç tjerash ai.