Qeveritë e pasluftës nxitën NDOTJEN VDEKJEPRURËSE - Lajme - Kosova Sot
Qeveritė e pasluftės nxitėn NDOTJEN VDEKJEPRURĖSE

Qeveritė e pasluftės nxitėn NDOTJEN VDEKJEPRURĖSE

GATI DY DEKADA, RUAJTJA E AMBIENTIT U INJORUA NGA POLITIKA

Duke iu referuar situatës së fundit ambientaliste, ndotjes së ajrit në nivel vendi e në veçanti në kryeqytet, përfaqësues të politikës, analistët politikë dhe ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se institucionet kosovare e kanë injoruar këtë gjendje, e cila asnjëherë nuk do të bëhej publike, po qe se këtë nuk do ta aktualizonte Ambasada Amerikane, prej kur vendosi një matës të cilësisë së këtij ajri. Sipas opinionistëve, përgjegjës për ardhje deri në këtë situatë është i gjithë lidershipi i kësaj klase politike, madje është përgjegjës për të gjitha rastet e shkatërrimit të shëndetit të qytetarëve në Prishtinë e më gjerë. Kjo barrë përgjegjësie bie për të gjitha qeveritë e deritanishme, duke përfshirë edhe aktualen, sepse vazhdimisht kanë ndarë më pak se një për qind të buxhetit për mjedis. Tanimë askush nuk e mohon faktin që numri i faktorëve që po ndikojnë në ndotjen e ambientit, ajrit, ujit, madje edhe të tokës janë të shumtë, por gjithsesi ndotësit më të mëdhenj të ambientit në kryeqytet dhe jo vetëm, janë termocentralet, nafta për ngrohje, qymyri, kamionët, veturat e vjetra etj. Akoma askush nuk e di as nuk flet se kur janë ndërruar filtrat herën e fundit në termocentrale, në "Kosova B", e që thuhet se nuk janë ndërruar qysh se janë vendosur në vitin 1985! Për gjithë këto vite nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze institucionale për studimin dhe luftimin e këtij kërcënimi serioz e vrasës për shëndetin publik të të gjithë qytetarëve në masë, derisa të gjitha qeveritë e pasluftës në të dyja nivelet janë marrë me përfitime nga tenderët dhe lejet, vjedhjet e zhvatjet, duke injoruar dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve, duke bërë kështu që të rritet çdo ditë numri i të prekurve nga sëmundjet kancerogjene! Gazeta i ka dërguar pyetje Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, por nuk kemi marrë përgjigje. Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë për "Kosova Sot" se, bazuar në raportet e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit pranë MMPH-së, pavarësisht faktit se KEK-u operon me stabilimente te stër-vjetruara, nga viti 2014, Termocentrali "Kosova A" nuk i ka tejkaluar emetimet e grimcave të pluhurit, përkundrazi ka operuar sipas standardeve të parapara të BE-së. "Investime në elektro-filtra janë bërë edhe në Termocentralin 'Kosova B'. Si rrjedhojë, në vitin 2003 është bërë riparimi i elektro-filtrit të bllokut B-2, ndërsa në vitin 2006 është bërë edhe riparimi i elektro-filtrit të bllokut 'B-1', me ç'rast është arritur performanca e dizajnit projektues. Sidoqoftë, ashtu siç ka deklaruar edhe ministri i MZHE-së ditë më parë është duke u punuar edhe me Komisionin Evropian që sa më parë që është e mundur të ndërrohen edhe elektro-filtrat e TC-B-së", është shprehur ai.

Image

Situata u neglizhua nga të gjitha qeveritë

Deputeti nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, ish-ministër i Shëndetësisë në mandatin e kaluar, duke numëruar një mal faktorësh që po ndikojnë në ndotjen ambientit, duke filluar nga lejimi i dëmtimit të gjelbërimit, prerjes masive dhe të pakontrolluar të pyjeve, të punës shumë gurthyesve të licencuar e që janë të shumtë, por në dëm të ambientit, pastaj duke përmendur lëndët djegëse, naftën, thëngjillin, importimin e makinave të vjetra, të gomave që shpenzohen e nuk dihet se si shkatërrohen, a riciklohen, por edhe ndikimin e madh në ndotje të vetë termo-elektroneve që rrethojnë Prishtinën, thotë se pesha e përgjegjësisë bie mbi të gjitha qeveritë e deritanishme."Unë mund t'ju them që pas lufte është neglizhuar tërësisht situata e ambientit dhe problematikës ambientaliste, të profesionistëve dhe të disa pak zërave aktivë nga shoqëria civile askush nuk e ka marrë seriozisht çështjen ambientit. Asnjë nga qeveritë e deritanishme nuk e ka marrë dhe nuk e ka trajtuar ambientin si diçka që është e trashëguar nga më parë, por edhe si diçka që duhet t'u lihet pasardhësve tanë", u shpreh ai."I kemi prerë pyjet në mënyrë të pakontrolluar, i kemi shfrytëzuar rrjedhat e lumenjve dhe lumenjtë në mënyrë të pakontrolluar dhe krejt ato kompani kanë nga një leje për ndikim në ambient. Kemi gurëthyes ngado që të shikosh e sillesh nëpër Kosovë, pranë dhe larg vendbanimeve e pranë e larg rrugëve, kudo. Askush nuk e ka bërë të madhe ndotjen e rrugëve nga punimet e ndryshme, del prej arës apo punishtes dhe qet në rrugë me tonelata të tëra baltë e dhe. Jemi duke parë çka është duke ndodhur edhe me Ligjin për duhanin kur përveç deklaratave politike e rrenave duke pirë kafe asgjë nuk është bërë në implementimin e atij ligji. Kemi shpërndarjen e masave plastike në mënyrë të pakontrolluar, kemi nxjerrjen dhe shitjen e thëngjillit në mënyrë të pakontrolluar që shitet gjithandej", tha Rrahmani për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Hidajet Ahmeti vlerëson se ka një numër të madh aktesh e strategjish që rregullojnë çështjen e mjedisit në dy nivelet e qeverisjes, por implementimi i tyre ka mbetur vetëm në diskursin e tyre politik dhe nuk renditet në prioritet e dy niveleve të qeverisjes. "Qeveritë e deritanishme më shumë i kanë kushtuar rëndësi imazhit apo projekteve të betonit që shihen nga qytetarët sesa mjedisit, të cilat projekte përkthehen në vota e në interesa të ngushta politike, klienteliste e klanore, sesa projektet të cilat janë kruciale për shëndetin e qytetarëve. Injorimi i vazhdueshëm i çështjes së mjedisit ka prodhuar një realitet vdekjeprurës për qytetarët e Prishtinës e më gjerë", u shpreh Ahmeti për "Kosova Sot".

Image

Prishtina e Shpendit, më e ndotura

Duke qenë se qyteti më i ndotur në Kosovë po del Prishtina, e cila për një mandat të plotë katërvjeçar u qeveris nga VV-ja dhe Shpend Ahmeti, që tani e mori edhe mandatin e dytë, analisti politik Gani Qarri thotë se kjo flet më së miri se sa e papërgjegjshme ka qenë kjo qeverisje. "Fatkeqësisht Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti me gjithë lidhjet e tij të forta me mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend, ende nuk ka mbërri të bëjë zgjidhjen e duhur për ngrohjen e të gjitha shtëpive dhe lagjeve të kryeqytetit, në mënyrë adekuate. Kështu që problemi i ajrit të ndotur në kryeqytet jo vetëm se vazhdon të jetë alarmant, por këto ditë ai i ka tejkaluar të gjithë parametrat normalë dhe është bërë i rrezikshëm, sidomos për shëndetin e qytetarëve në Prishtinë. Në kryeqytet kuotat e ndotjes ka kohë që janë tejkaluar, madje koeficienti ka arritur deri në atë shkallë saqë të konsiderohet si kërcënim permanent për banorët dhe sipas deklarimeve publike ndotja ka arritur të jetë më e larta në Botë, duke ia tejkaluar edhe Indisë, Pakistanit e Bangladeshit, të cilat deri më tani ishin të pakonkurrencë në këtë drejtim dhe tradicionalisht njiheshin ndër vite për papastërtinë e lartë të ajrit, deri në mjegullim", u shpreh ai. "Për të gjitha këto, fajtorë janë pikërisht organet përkatëse shtetërore dhe komunale të kryeqytetit, të cilat kanë investuar fare pak në këtë drejtim dhe pothuajse nuk janë interesuar asnjëherë sa duhet për përmirësimin e gjendjes aktuale të ndotjes së ajrit... Për aq më tepër, në Kosovë ka edhe shumë faktorë të tjerë të ndotjes së ajrit, që për vite të tëra injorohen dhe nuk mbikëqyren as kontrollohen nga askush, si p.sh. filtrat e stërvjetëruar të termocentraleve si ai "Kosova B" të pandërruar që nga vitit 1985 e këtej asnjëherë, ndaj krejt përgjegjësinë për të gjitha këto e mban pikërisht klasa aktuale politike, e cila që nga paslufta e këtej nuk ka ndarë as një për qind të buxhetit të shtetit për mjedis, duke rrezikuar kështu, hapur dhe në vijimësi, jetën e qytetarëve", tha analisti Gani Qarri. Ndërsa politologu Gurakuq Kuçi konsideron po ashtu se ngarkesa ambientaliste, rritja e ndotjes së ambientit, vetëm sa po e largon akoma më shumë Kosovën edhe nga perspektiva evropiane."Në Kosovë kinse për ruajtjen e ambientit janë të ndaluara përdorimi i qeseve të plastikës, por secili e dimë sa zbatohet! Edhe kjo me ndalimin me thëngjill ishte një veprim amator i radhës. Vetëm nëse shikojmë vendin fqinj, Malin e Zi, që e ka publikuar strategjinë për reduktimin e ndotjes së ambientit 2018-2023 dhe që e përgatit për anëtarësim me 2025 në BE ka shumë zgjidhje pa ndalesa, por me alternativa që jo vetëm e mbrojnë ambientin, por edhe e bëjnë jetën e qytetarit më të mirë. Çdo biznes a fabrikë që e ndot ambientin e ka për obligim të mbajë filtra, ato kurrë nuk ndizen, hapi i parë është detyrimi i përdorimit të filtrave, shtrirja e ngrohjes qendrore në gjitha lagjet e aty ku nuk mundet subvencionimi për ngrohje alternative, jo ndalja e thëngjillit, sepse qytetarët nga varfëria po e përdorin e jo nga kënaqësia. Pastaj, jo ndalimi i doganimit të veturave 10 vjet më të vjetra, por ndalja e korrupsionit me qendrat e kontrollit teknik, të cilat për para çdo veturë lejojnë të kalojë dhe bëjnë vetëm kontrolle formale. Pse nuk intervenojnë tek këto gjëra, sepse shumica e këtyre bizneseve janë të politikanëve dhe zgjidhja është gjoba ndaj qytetarëve, hiqja lirinë e lëvizjes dhe veprime që as vetë nuk u besojnë", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, Ministria e Ambientit është vetëm për punësime dhe zhvatje më shumë të parave dhe vend i mirë për njerëz që idenë nuk e kanë për ambientin apo ekosistemin.

Image

Djegiet e rrezikshme

Analisti politik Ragip Guraziu po ashtu pohon se derisa po konstatohet që një nga shkaktarët kyç të sëmundjeve vrastare kancerogjene është kjo ndotje enorme e ambientit, atëherë përgjegjës janë gjithë kjo klasë politike e pasluftës, për të gjitha rastet vrasëse të kancerit dhe shkatërrimit të shëndetit të qytetarëve në Prishtinë dhe ata duhet të japin llogari para qytetarit."Nuk ka dilemë se kjo është ndotja e ajrit në nivelin më alarmant që prej pasluftës në Prishtinë, por që institucionet kosovare e kanë injoruar këtë gjendje, e cila asnjëherë nuk u bë publike dhe as do të të bëhej publike ndonjëherë po qe se këtë nuk do ta aktualizonte Ambasada Amerikane, prej kur vendosi një matës të cilësisë së këtij ajri në nivel të kryeqytetit. Përgjegjësisë për këtë gjendje nuk mund t'i ikën askush, sepse përgjegjës janë e gjithë kjo klasë politike e pasluftës", u shpreh ai."Tani më është koha që të deklarohen përgjegjësit edhe për kapacitetet e prodhimit të energjisë, të tregojnë se kur janë ndërruar filtrat herën e fundit në termocentralet tona, edhe në "Kosova B", për çka flitet se nuk janë ndërruar qysh nga viti 1985", tha Guraziu për "Kosova Sot". Edhe kryetari i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës, Daut Maloku, thotë se bartës kryesorë të përgjegjësive për situatën e krijuar janë drejtuesit e institucioneve të shtetit, por pa përjashtuar këtu, në rastet specifike, edhe kulturën e ulët qytetare në ruajte të ambientit, për pjesën që i takon qytetarit. "Ka 20-30 vjet që e kemi ngritur këtë çështje, duke i thyer dhëmbët vazhdimisht për rrezikun e ndotjes së ambientit. Të gjithë e dimë hapjen e rrugës për importimin e makinave të vjetra, që vetëm vitin e kaluar janë bërë nja 230 mijë e më shumë, e të cilat janë shumë të rrezikshme për gazrat që lirojnë, për jetën e qytetarit, i cili nuk mund t'u shmanget, por që gjithmonë i eksponohet afërsisë së tyre", tha Maloku për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se të gjitha llojet e djegë- seve të ndryshme të lëndëve në ambient të mbyllur apo të hapur paraqesin rrezik, sepse nuk ka kontroll të duhur."Kemi edhe djegie të fosileve, që janë shumë të rrezikshme për organizmin, të rrezikshëm janë qymyri, nafta, benzina, që janë afër frymëmarrjes sonë", theksoi Maloku për "Kosova Sot"

Image

'B'-ja pa filtra që nga viti 1985

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës e konsiderojnë të domosdoshëm përmirësimin e politikave të mjedisore lidhur me cilësinë e ajrit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndikojnë në përmirësimin e ajrit në Prishtinë dhe komunat e tjera. Ai ka kërkuar të krijohet një buxhet i veçantë për përkrahjen e investimeve të qytetarëve dhe bizneseve, me të cilat ulen shpenzimet e jetesës dhe rritet cilësia e shëndetit, duke investuar në izolimin e shtëpive dhe ndërtesave të paizoluara në Kosovë."Kemi një projekt të jashtëzakonshëm, projektin amerikan të MCC-së, i cili ka ndarë tashmë 22 milionë dollarë. Ky Kuvend të votojë që Qeveria e Kosovës të ndajë 30 milionë euro për këtë qëllim që do të përmirësojë ekonomitë familjare, në veçantit izolimin e shtëpive. Pastaj zgjerimi i projektit të koogjenerimit dhe mbjellja e druve të zonat urbane. Trajtimi i ujërave të zeza, trajtimin e mbeturave...", ka thënë Veseli. Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka kritikuar vendimin e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet, si pjesë e masave për ndalimin e ndotjes së ajrit. Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian gjatë këtij viti do të ndajë 34 milionë euro për ndërrimin e elektrofiltrave për termocentralin 'Kosovën B', filtra këta të cilat nuk janë ndërruar që nga viti 1985. Kjo ministri në masat afatmesme ka kërkuar dhe u ka rekomanduar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe ministrive tjera që të zgjerojnë rrjetin e koogjenerimit në qytetin e Prishtinës dhe qendrat tjera të Kosovës.

(Kosova Sot)

20 orë e 50 minuta më parë
20/02/18