Refuzim vizash, izolim dhe artikuj negativë nga Evropa e SHBA-ja

  • 01 February 2018 - 08:28
Refuzim vizash, izolim dhe artikuj negativë nga Evropa e SHBA-ja

SHTYPI BOTËROR PËRKEQËSON IMAZHIN E KOSOVËS 

Revista e njohur amerikane "The Time" ditë më parë ka publikuar një artikull në të cilin ka përmendur pesë politikanët e arratisur më të kërkuar në botë. Në mesin e tyre është edhe kryeministri i Kosovës,Ramush Haradinaj, përkrah Carles Puigdemonit të Katalunisë, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assanget të SHBA-së dhe Mikheil Saakashvilit të Gjeorgjisë. "Vetëm tani ka paralajmërime për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Haradinaj dhe elita politike e Kosovës është duke shikuar për mundësitë e shmangies së kësaj Gjykate", ka shkruar revista. Ndonëse u janë dërguar me shkrim pyetjet në adresën elektronike dhe është kontaktuar zëdhënësi i Qeverisë, Halil Matoshi, për të mësuar se si e komenton Qeveria këtë shkrim, zyrtarët e Qeverisë nuk kanë kthyer përgjigje. Analistët vlerësojnë se kjo politikë në 10-vjetorin e pavarësisë po e dëmton me të madhe imazhin e vendit. Analisti politik, Arsim Haziri tha për " Kosova Sot', se si presidenti i vendit që është bllokuar nga shtetet perëndimore dhe pothuaj është shpallur person non-grata nga shtetet e tjera, po ashtu edhe kryeministri Haradinaj është bllokuar dhe fatkeqësisht çdo ditë e më shumë po i bëhet e pamundshme lëvizja drejt atyre shteteve të fuqishme. "E tëra kjo po ndodh, ngase Kosova kohëve të fundit është qeverisur nga politikanë të pandërgjegjshëm, politikanë që janë orientuar vetëm pas përfitimeve politike dhe ekonomike. Kjo qasje është sistematike dhe jo në interes të kauzave nacionale dhe nga mungesa e politikave publike kemi këtë gjendje të pashpresë", u shpreh ai."Kosova me këta politikanë vetëm çka është duke u izoluar më shumë, me këtë qasje vetëm sa jemi duke i zbehur raportet me fuqitë e mëdha", potencoi Haziri.

Image

Keqqeverisja nuk e ka të gjatë

Analisti politik Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot", se kryeministrat e kaluar, pa marrë parasysh gabimet me ose pa qëllim, në përgjithësi kanë qenë bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar, por kryeministri aktual i ka thyer normat. "Këto deklarata për kryeministrin aktual janë rezultat i mosbashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë, konkretisht SHBA dhe Britaninë e Madhe, që përveç mosdhënies së vizave për kryeministrin, tani kanë filluar uljen e autoritetit të tij përmes medieve, e dihet ndikimi e medieve amerikane në nivel botëror, por edhe ato kanë ndikim edhe në uljen e imazhit karshi qytetarëve të vendit nga vjen, në këtë rast qytetarët e Kosovës tanë do ta shohin atë si një kryeministër që nuk i besohet", u shpreh ai. "Kryeministri e filloi qeverisjen jo mirë dhe me vendime autokrate dhe kundërligjore, saqë edhe partnerët e koalicionit kanë filluar mospajtimet me kryeministrin, andaj e kemi situatën në të cilën ministri i Financave nuk e përfill vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave, si dhe lideri i AKR-së është deklaruar se nuk pajtohet me vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave me arsyetimin se kryeministri nuk e ka gjendjen financiare aq keq për ngritjen e pagave", theksoi ai. "Keqqeverisja e kryeministrit aktual ka bërë që mos të ketë përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë, por njëherësh edhe nga partnerët e koalicionit. Ndaj, ky mosbesim nga partnerët e koalicionit jep edhe një sinjal që nuk janë të kënaqur me performancën e kryeministrit dhe po përgatiten për zgjedhje të reja parlamentare, sepse kjo lloj qeverisjeje është çdo ditë edhe më e dëmshme për perspektivën e Kosovës. Në bazë të asaj që shihet në terren, mendoj se kjo qeverisje nuk ka jetë të gjatë më larg se fundi i marsit dhe i vetmi nder që mund t'i bëjë kryeministri aktual qytetarëve të Kosovës është të japë dorëheqje, sepse ka treguar që nuk di të qeverisë, por edhe kabinetin qeveritar më të dobëtin deri më tani e ka pasur pa kritere morale dhe profesionale", vijoi më tutje Kadrijaj. Sipas tij, nga fundi i marsit të sivjetmë do të shpallen zgjedhje të reja, muaji prill muaj i fushatës zgjedhore, ndërsa në muajin maj do të certifikohen zgjedhjet dhe qershori do ta gjejë Kosovën me një Qeveri të re. 

Image

Fusnota na ndjek nga pas

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani tha për 'Kosova Sot", se këta njerëz që përmenden në mediet në SHBA, e kanë kryer obligimin e tyre ndaj Kosovës, e kanë kryer misionin e tyre, prandaj koha është për t'u larguar nga politika, sepse kanë mbetur politikanë të zorit. "Presidenti Hashim Thaçi ka dështuar në politikën ndërkombëtare me fusnotën dhe i është bërë dëm Kosovës pa kurrfarë nevoje, ngase sot e kësaj dite Kosova figuron në konferencat ndërkombëtare me fusnotë, dhe realisht ky ishte një dështim total në synimet e tyre që përmes fusnotës Kosova të bëhet pjese e BE-së dhe kjo është më qesharake, e mundshme në politikën ndërkombëtare, sepse nuk ka fusnota shkencore", u shpreh ai . Analisti Burjani vlerëson se lufta dhe paqja kanë dallime të mëdha, sepse ishin heronjtë e Kosovës në luftë, e tash në paqe, ata janë bërë pengesë për të shkuar përpara Kosova në integrimet evropiane, në zhvillimin ekonomik të saj, mirëqenien e saj sociale. Analisti Xhevat Meha tha për "Kosova Sot', se gazeta "Times" nuk është një medium çfarëdo lloji, ngase ata nuk shkruajnë pa fakte. "Është shqetësuese se aty përmendet kryeministri Ramush Haradinaj", ka theksuar ai. "Imazhi ynë është shkatërruar më herët se të gjithë janë bashkëfajtorë në pjesën e vet. Doemos se fajtor për këtë gjendje është edhe presidenti Hashim Thaçi ", potencoi Meha. 

Image

Të sakrifikosh shtetin, për individin

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot", se ky grup që mundohet të shfuqizojë Gjykatën Speciale janë e zeza e Kosovës. "Për arsye të dikujt personale ta rrezikojmë Kosovën, të djegim Kosovën. Këta nuk duhet përkrahur dhe se a e dinë këta dallkaukë se Kosova është një shtet i vogël,pa ekonomi fare dhe atë ekonomi të pazhvilluar e vodhën mafio-oligarkët dhe hajnat dhe t'i kundërvihesh aleatit më të fortë në botë, mikut që është më meritori për pavarësinë e Kosovës, kjo nuk është asgjë tjetër pos çmenduri e llojit të vet", u shpreh ai. "Ndaj, e shikoni tani se si SHBA-ja filloi t'i tregojë dhëmbët, njëherë nuk ua tha vizën, tani i ka futur në listën e zezë, dhe se tani gazeta me nam botërore " The Time", Ramush Haradinajn e futi në listën e politikanëve të arratisur", u shpreh më tutje ai. "Dallkaukët nuk e kuptuan një gjë dhe nuk e morën seriozisht se kur fol ambasadori amerikan në Prishtinë, ka folur SHBA-ja, dhe këta vazhdonin lojën e pistë kundër vendit të ndërsyer nga disa matrapazë shkuar matrapazëve",ka thënë Badallaj. Sipas tij, vendi po rrezikon ta dëmtojë imazhin çdo ditë e më shumë me këtë politikë të mbrapshtë.

(Kosova Sot)