Azem Syla del sot para gjykatës

  • 01 February 2018 - 10:46
Azem Syla del sot para gjykatës

Azem Syla, ish-deputeti i PDK-së, do të dalë edhe sot para gjyqit. Seanca e kaluar në rastin e ish-deputetit të PDK-së u mbyll për publikun, pasi avokati Besnik Berisha e kërkoi një mbyllje të tillë për të diskutuar rreth përfshirjes së gjyqtarit të Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula, në trupin gjykues të rastit “Toka”

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Kallxo.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve, si dhe ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

(Kosova Sot)