Lista Serbe: Na mashtruan, nuk e dinim se po nderonim heronjtë e UÇK-së

  • 01 February 2018 - 12:22
Lista Serbe: Na mashtruan, nuk e dinim se po nderonim heronjtë e UÇK-së

Seanca e jashtëzakonshme e mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës filloi me një minutë heshtje për të nderuar ish-luftëtarin e UÇK-së, Haradin Balaj, i cili ndërroi jetë. Balaj ishte i dënuar nga Tribunali i Hagës me 13 vjet burgim. Një minutë heshtje u kërkua edhe për dëshmorët Zahir Pajazti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu. Por, pas kësaj deputetët e Listës Serbe kishin braktisur seancën në shenjë proteste

Sipas Tanjug-ut deputetët e Listës Serbe ishin viktima të një kurthi politik pasi nuk kanë pasur përkthim në gjuhën serbe dhe nuk e kanë ditur se kë po e nderojnë dhe për shkak të kësaj në atë moment ata mbetën në sallë.

"Është e pakuptueshme që sot në Evropë një institucion, i cili prezantohet në një mënyrë demokratike, nderon kriminelët dhe terroristët e luftës, dhe është e turpshme të vihen në lojë demokracia dhe deputetët e një grupi deputetësh duke i ndalur me mashtrim në sallë duke iu mohuar përkthimi”, kanë deklaruar deputetët e Listës Serbe.

Sipas burimit të Tanjug-ut “deputetët e Listës Serbe asnjëherë nuk do t’i nderojnë vrasësit e baballarëve, nënave e fëmijëve serbë, ndërsa po të ishim të informuar për qëllimin e drejtuesve të Parlamentit, ne do ta shprehnim në mënyrë eksplicite dhe zëshëm protestën tonë dhe do të pengonim shuplakën publike ndaj popullit serb dhe vrasjen e serishme të viktimave serbe”. 

(Kosova Sot)