Biznesi kriminal tolerohet në kurriz të shëndetit publik

  • 01 February 2018 - 08:18
Biznesi kriminal tolerohet në kurriz të shëndetit publik

Përdorimi i rrezikshëm dhe moskontrollimi i naftës për ngrohje

Përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve, shoqëria civile dhe ekspertë të ekonomisë bëjnë akuza në adresë të Doganave dhe MTI-së, sepse shteti nuk e ka kontrolluar aspak cilësinë e naftës për ngrohje, saktësisht për të kontrolluar sulfurin, si një prej ndotësve më të mëdhenj. Ata pyesin se përse as pas rastit të vitit 2013/2014, kur një skandal i ndotjes së ajrit në shkallë tepër të rrezikshme ishte bërë temë në Prishtinë, kur nafta e përdorur për të ngrohur shkollat e kryeqytetit kishte dalë që ishte e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve, institucionet e shtetit, edhe pse kishin dhënë garanci se do të kontrollohej cilësia e kësaj nafte, sidomos sulfuri, i cili shkakton dëme të jashtëzakonshme në ajër dhe në shëndetin e njerëzve, nuk kanë bërë asgjë. Sipas llogaritjeve, emisionet e dyoksidit të karbonit (CO2) në konsumin vjetor të një familjeje prej rreth 20.000 kilovatë orë, kur shfrytëzohet vaji për ngrohje, në atmosferë në vit emitohen 5,8 tonë dyoksid karboni. Gjatë vitit 2017 janë importuar 30 milionë e 720 mijë litra vaj për ngrohje. Ndaj, analistët po pyesin se përse institucionet nuk e kanë kontrolluar sasinë e squfurit e as një përmbajtje tjetër të rrezikshme të kësaj nafte që është importuar në Kosovë?! Edhe përkundër faktit se nafta që përdoret për ngrohje është duke hyrë me miliona litra në Kosovë pa u kontrolluar dhe për çdo vit është duke u rritur importi, shteti i mbyll sytë, për motive korruptive e përfitimi multimilionëshe. Analistët e shtrojnë edhe pyetjen se përse trupat inspektuese të Ministrisë së Tregtisë dështuan ta kontrollojnë cilësinë e derivateve të naftës. Sipas tyre, janë inspektorët ata që po i mbyllin sytë përballë këtij fakti, sepse bosët e derivateve të naftës janë të lidhur me pushtetarët e rangut të lartë, dhe kjo e tëra paraqet një kontrabandë shumëfish shkatërruese, edhe të buxhetit, edhe të shëndetit në masë dhe të vetë shtetit. 

Image

Shoqata kritikon kërkesën e ministres së Ambientit

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për "Kosova Sot", se e kemi këtë gjendje, ngase ministrja e Ambientit po e ndërron qymyrin me dru, në vend se të heqë akcizën e gazit, ku qytetarët do të furnizohen me 0, 35 cent me një litër gaz propan & butan dhe me garanci edhe ambienti është më i pastër. "Nevojitet edhe masa shtesë, ajo e kontrollimit të gazrave në automjete, standardi euro. Ndërsa, indikatori i tretë është se shumë automjete po qarkullojnë pa katalizator fare", u shpreh ai . Sipas Berjanit, edhe cilësia e derivateve duhet të kontrollohet pas këtyre veprimeve dhe më në fund do të dihet se kush është ndotësi më i madh i ajrit dhe fajtori kryesor . "Kjo kërkesë e ministres së Ambientit, për tarifat në gaz të ngrohjes, është shumë e dëmshme dhe e paarsyeshme, ngase Shoqata e Naftëtarëve nuk pranon asnjë vendim pa miratimin apo konsultim paraprak me Shoqatën, kjo ngase 20 për qind naftë me biodisel nuk kërkohet as në vendet e BE-së. Nuk kemi kapacitet dhe nuk ka sasi nga mund të furnizohemi dhe ajo më kryesorja se kjo e rrit dukshëm çmimin e derivateve në pikat shitëse, ku me këtë vendim dëmtohen konsumatorët", shpjegoi më tutje Berjani. 

Image

Prapaskenat kriminale të industrisë

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se që nga pas lufta naftëtarët e kanë pasur lirinë absolute për të sjellë derivate të llojeve të ndryshme, pa shikuar cilësinë dhe efektin e tij në shëndetin e qytetarëve. "Asnjë nga qeveritë e kaluara nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për kontrolle të cilësisë, dhe efektin e tij në jetën e qytetarëve të vet", u shpreh ai. "Edhe pse kishim një skandal në vitin 2013/2014, në Komunën e Prishtinës lidhur me ndotjen e ajrit në shkolla, prapë nuk ka hapa konkretë, andaj edhe shtrohet pyetja se deri kur për interesa biznesi rrezikohet jeta e fëmijëve tanë, deri kur ky vend ka për të dhënë përgjegjësi për gjithë këto sëmundje që në realitet janë alarmante", theksoi Beqiri. "Gjatë vitit 2017 janë importuar 30 milionë e 720 mijë litra vaj për ngrohje, dhe nuk ka ende zyrtarisht matje të sakta të ndotjes, andaj janë urgjente veprimet të cilat duhet të dihen saktë se ku qëndron problemi, sipas informatave Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar një inspektim për cilësinë e derivateve dhe jam optimist se ministri i ri ka vullnetin për të stopuar një veprim të tillë", vijoi më tej ai. "Kompanitë që tregtojnë derivate janë shtet në vete, ata shpesh e kanë kundërshtuar edhe Administratën Tatimore, duke mos iu bindur ligjeve në fuqi për fiskalizim dhe raportim tek ATK-ja, prandaj mendoj se ka një grusht të fortë brenda kësaj industrie, e cila ka privilegjin të sjellë edhe naftë jocilësore edhe askush deri më tani nuk ka përfunduar prapa grilave e që në vendet normale me një mini- demokraci ata ka qenë dashur që dikush të ishin të burgosur për këtë lloj biznesi", tha Beqiri.

Politika e ka bllokuar kontrollin

Analisti Florim Rrudhani për "Kosova Sot" thotë se kontroll të naftës së ngrohjes nuk ka, sepse sigurisht nëntoka, së bashku me figura politike që janë të përfshira, qëndrojnë mbrapa naftës. "Nëse janë importuar rreth 31 milionë litra naftë gjatë vitit 2017, këtu është e pamundur që figurat politike pa pasur përqindjen e tyre. Ndërkaq, Prokuroria nuk heton asgjë, ngase si mund ta hetojnë vetveten dhe shefat e tyre të vërtetë", potencoi ai. Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot', tha se e kemi këtë situatë me derivatet e cilësisë së dobët, ngase fajtorë janë trupat inspektuese të Ministrisë së Tregtisë, të cilat që nga pas lufta e deri më sot dështuan qëllimisht që ta kontrollojnë cilësinë e derivateve të naftës, e si rrjedhojë sot kemi ndotje të madhe të ambientit. "Duhet të akuzohen dhe përgjegjësia bie mbi inspektorët e MTI-së, që janë ata që po i mbyllin sytë qëllimshëm përballë kësaj kontrabande me cilësinë e dobët të derivateve që po futet në Kosovë, sepse janë" bosët" e derivateve të naftës, ata janë të lidhur me pushtetarët e rangut më të lartë dhe kjo paraqet një kontrabandë shumëfish shkatërruese, edhe të buxhetit, edhe të shëndetit në masë dhe të vetë shtetit", ka vlerësuar Grapci. 

Image

Me tryeza nuk ndalet ndotja

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot', se deri te ndotja e ambientit dhe gjendja në të cilën gjendemi sot ndikojnë shumë faktorë, por faktori kryesor dhe ndotësi më i madh në vendin tonë janë nafta dhe derivatet e saj, sepse kemi një numër të madh të automjeteve, të cilat janë duke përdorur këto derivate të cilësisë së dobët. "Edhe përkundër shumë vërejtjeve dhe aferës që u bë në vitin 2013/2014, për shkak të cilësisë së dobët të naftës, që është përdorur për nxehje nëpër shkollat tona, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në këtë drejtim, përveç fjalëve boshe", u shpreh ai. "Ne ishim dëshmitarë që në Parlament pati fjalime bombastike nga ana e deputetëve, por në fakt me fjalime dhe tryeza rreth ndotjes së ambientit nuk zgjidhet ky problem . Problemi zgjidhet atëherë kur qeveria merr hapa konkretë, në radhë të parë MTI-ja, e cila duhet të angazhojë inspektorët që të kontrollojnë cilësinë e naftës dhe derivateve dhe të marrin masa drastike ndaj atyre që shkelin ligjin", potencoi Neziraj. "Në jemi dëshmitarë se vite me radhë cilësia e naftës është shumë e dobët dhe e dëmshme për jetën e qytetarëve të vendit, por MTI - ja deri më tani ka qenë në gjumë të thellë që nga pas lufta dhe këtu është bërë krimi më i madh, si në aspektin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të vendit, po ashtu edhe në aspektin financiar, sepse në këtë lëmi ka krime të organizuara prapa të cilit qëndrojnë shumë njerëz të këtij vendi që nuk u intereson jeta dhe shëndeti i qytetarit, por vetëm përfitimet e tyre personale", vijoi më tutje ai. Sipas tij, po të kishim një kontroll të rreptë në vendin tonë, nuk do të kishte aq shumë pompa të karburantit, sepse në bazë të madhësisë për metër katrore Republika e Kosovës ka pompa të karburanteve më shumë se Gjermania që ka mbi 80 milionë banorë. 

Image

Alarmi i "Konsumatorit"

Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori|) tha për "Kosova Sot", se individët e fuqishëm, grupet e interesit, lobit politik-biznesor...janë ndotësit kryesorë të mjedisit sociojuridik, politik, biznesor...edhe të oratorisë, të kulturës e të edukatës së paraqitjes publike. "Ata janë edhe shkaktarët më të mëdhenj të pakë- naqësisë së qytetarit konsumator taksapagues. Kontrolle të hyrjes ose të kontrabandimit ose të prejardhjes, por edhe të përbërjes e cilësisë, të përzierjes, shtimit të sulfurit, falsifikimit...kurrë nuk ka pasur mjaftueshëm as me rastin e importit, hyrjes në kufi, gjatë transportit, me rastin e dorëzimit, e as në pikat shitëse, pompat e derivateve", u shpreh ai. "Kontrolle të mirëfillta nuk ka pasur kurrë, as kur ka alarmuar Organizata jonë, as kur janë ankuar e kanë gjëmuar qytetarët konsumatorë e taksapagues", vijoi më tej Kaçaniku. Sipas tij, janë mashtruar e instrumentalizuar mekanizmat e agjencitë, pastaj është abuzuar me sistemin fiskal, por edhe është shkelur kufiri, integriteti territorial dhe është mohuar elementi kushtetues e i shtetësisë së tregut vendor. "Është shkaktuar evazion fiskal buxhetit të shtetit prej 270 milionë euro prej vetëm një importuesi, kontrabandisti për gjithë periudhën e pasluftës, ose rreth 1 miliard euro nga importuesit e kontrabanduesit e tjerë, nga tregtarët e furnitorët, nga shitësit me pakicë", ka vlerësuar ai. Kaçaniku përkujtoi se më vitin 2013/2014 ishte e vetme Organizata "Konsumatori", që kërkoi nisjen e hetimeve për skandalin e naftës për ngrohje që rrezikonte fëmijët dhe nxënësit në Prishtinën, por asgjë nuk ndodhi për të nxjerrë para drejtësisë fajtorët. 

(Kosova Sot)