Kadrijaj:Keqqeverisja nuk e ka të gjatë

  • 01 February 2018 - 14:07
Kadrijaj:Keqqeverisja nuk e ka të gjatë

Analisti politik Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot", se kryeministrat e kaluar, pa marrë parasysh gabimet me ose pa qëllim, në përgjithësi kanë qenë bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar, por kryeministri aktual i ka thyer normat. "Këto deklarata për kryeministrin aktual janë rezultat i mosbashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë, konkretisht SHBA dhe Britaninë e Madhe, që përveç mosdhënies së vizave për kryeministrin, tani kanë filluar uljen e autoritetit të tij përmes medieve, e dihet ndikimi e medieve amerikane në nivel botëror, por edhe ato kanë ndikim edhe në uljen e imazhit karshi qytetarëve të vendit nga vjen, në këtë rast qytetarët e Kosovës tanë do ta shohin atë si një kryeministër që nuk i besohet", u shpreh ai. "Kryeministri e filloi qeverisjen jo mirë dhe me vendime autokrate dhe kundërligjore, saqë edhe partnerët e koalicionit kanë filluar mospajtimet me kryeministrin, andaj e kemi situatën në të cilën ministri i Financave nuk e përfill vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave, si dhe lideri i AKR-së është deklaruar se nuk pajtohet me vendimin e kryeministrit për rritjen e pagave me arsyetimin se kryeministri nuk e ka gjendjen financiare aq keq për ngritjen e pagave", theksoi ai. "Keqqeverisja e kryeministrit aktual ka bërë që mos të ketë përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë, por njëherësh edhe nga partnerët e koalicionit. Ndaj, ky mosbesim nga partnerët e koalicionit jep edhe një sinjal që nuk janë të kënaqur me performancën e kryeministrit dhe po përgatiten për zgjedhje të reja parlamentare, sepse kjo lloj qeverisjeje është çdo ditë edhe më e dëmshme për perspektivën e Kosovës. Në bazë të asaj që shihet në terren, mendoj se kjo qeverisje nuk ka jetë të gjatë më larg se fundi i marsit dhe i vetmi nder që mund t'i bëjë kryeministri aktual qytetarëve të Kosovës është të japë dorëheqje, sepse ka treguar që nuk di të qeverisë, por edhe kabinetin qeveritar më të dobëtin deri më tani e ka pasur pa kritere morale dhe profesionale", vijoi më tutje Kadrijaj. Sipas tij, nga fundi i marsit të sivjetmë do të shpallen zgjedhje të reja, muaji prill muaj i fushatës zgjedhore, ndërsa në muajin maj do të certifikohen zgjedhjet dhe qershori do ta gjejë Kosovën me një Qeveri të re. 

(Kosova Sot)