Qarri: Prishtina e Shpendit, më e ndotura

  • 01 February 2018 - 14:17
Qarri: Prishtina e Shpendit, më e ndotura

Duke qenë se qyteti më i ndotur në Kosovë po del Prishtina, e cila për një mandat të plotë katërvjeçar u qeveris nga VV-ja dhe Shpend Ahmeti, që tani e mori edhe mandatin e dytë, analisti politik Gani Qarri thotë se kjo flet më së miri se sa e papërgjegjshme ka qenë kjo qeverisje. "Fatkeqësisht Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti me gjithë lidhjet e tij të forta me mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend, ende nuk ka mbërri të bëjë zgjidhjen e duhur për ngrohjen e të gjitha shtëpive dhe lagjeve të kryeqytetit, në mënyrë adekuate. Kështu që problemi i ajrit të ndotur në kryeqytet jo vetëm se vazhdon të jetë alarmant, por këto ditë ai i ka tejkaluar të gjithë parametrat normalë dhe është bërë i rrezikshëm, sidomos për shëndetin e qytetarëve në Prishtinë. Në kryeqytet kuotat e ndotjes ka kohë që janë tejkaluar, madje koeficienti ka arritur deri në atë shkallë saqë të konsiderohet si kërcënim permanent për banorët dhe sipas deklarimeve publike ndotja ka arritur të jetë më e larta në Botë, duke ia tejkaluar edhe Indisë, Pakistanit e Bangladeshit, të cilat deri më tani ishin të pakonkurrencë në këtë drejtim dhe tradicionalisht njiheshin ndër vite për papastërtinë e lartë të ajrit, deri në mjegullim", u shpreh ai. "Për të gjitha këto, fajtorë janë pikërisht organet përkatëse shtetërore dhe komunale të kryeqytetit, të cilat kanë investuar fare pak në këtë drejtim dhe pothuajse nuk janë interesuar asnjëherë sa duhet për përmirësimin e gjendjes aktuale të ndotjes së ajrit... Për aq më tepër, në Kosovë ka edhe shumë faktorë të tjerë të ndotjes së ajrit, që për vite të tëra injorohen dhe nuk mbikëqyren as kontrollohen nga askush, si p.sh. filtrat e stërvjetëruar të termocentraleve si ai "Kosova B" të pandërruar që nga vitit 1985 e këtej asnjëherë, ndaj krejt përgjegjësinë për të gjitha këto e mban pikërisht klasa aktuale politike, e cila që nga paslufta e këtej nuk ka ndarë as një për qind të buxhetit të shtetit për mjedis, duke rrezikuar kështu, hapur dhe në vijimësi, jetën e qytetarëve", tha analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)