Nimic: Jemi optimist, nuk rrezikohet identiteti i maqedonasve

  • 01 February 2018 - 14:48
Nimic: Jemi optimist, nuk rrezikohet identiteti i maqedonasve

Ndërmjetësuesi i OKB-së për zgjidhjen e kontestit të emrit, Methju Nimic gjatë konferencës për shtyp që pati para mediave me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov tha se është shumë optimist se mund të gjendet një zgjidhje për kontestin e cila nuk do të rrezikonte identitetin e maqedonasve madje do ta mbronte atë identitet. Ai u shpreh se populli maqedonas nuk duhet të brengoset për “humbjen” e gjuhës dhe identitetin e tyre nëse arrihet marrëveshje me Greqinë. Ai madje theksoi, se nëse vjen puna deri te identiteti, atëherë nuk ka marrëveshje.

“Ne po negociojmë për emrin e shtetit dhe jo për gjuhën dhe identitetin e maqedonasve. Tani është koha për zgjidhje, tani është momenti dhe ne duhet ta kapim atë. E di që nuk është lehtë por më tutje do të bëhet më vështirë prandaj këto muajt që vijnë janë kyçe dhe deçiziv për një zgjidhje për të dyja vendet” tha Nimic.

Nimic tha se zgjidhja është shumë afër dhe flitet për javë, e muaj për ta zgjidhur çështjen, e jo vite. Në të ardhmen nuk do të ketë situatë më të lehtë, prandaj duhet të zgjidhet çështja tani, pra duhet të ecet përpara.

(Kosova Sot)