GAP: Ja kush do të përfitojë nga falja e borxheve

  • 05 August 2015 - 12:25
GAP: Ja kush do të përfitojë nga falja e borxheve

Qeveria e Kosovës përmes Ligjit për Faljen e Borxheve synon të falë atë që në fakt konsiderohet borxh i humbur.

Kështu është bërë e ditur gjatë prezantimit të raportit: Kush do të përfitojë nga falja e borxheve? të Institutit GAP.

Sipas këtij raporti, në bazë të deklaratave të Ministrisë së Financave, gjithsejtë shuma e borxheve që do të falen është 670 milionë euro. Nga kjo shumë, 465 milionë euro (69%) janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike, 148 milionë euro (22%) janë borxhe të bizneseve aktive ndaj ATK-së, dhe 57 milion euro (9%) janë borxhe ndaj Doganës së Kosovës.

Sipas GAP, prej ndërmarrjeve publike me vlerën më të madhe të borxhit është KEK-u, me vlerë 346.3 milion euro.

Borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj KEK-ut janë amvisëritë me afër 84% të totalit të borxhit. Pasojnë bizneset dhe institucionet (12%), konsumatorët e mëdhenj industrial (3%), konsumatorët e tjerë (1%), dhe ndriçimi publik (0.08%). Kjo nënkupton se përfituesit më të mëdhenj të faljes së borxheve ndaj KEK-ut janë amvisëritë apo ekonomitë familjare. Por, në bazë të përgjigjeve të KEK-ut, nga 346 milion euro borxhe, janë ngritur padi për një shumë prej vetëm 60 milion euro”, thuhet në raportin e GAP-it.

 Studimi i Institutit GAP konstaton se pjesa tjetër e borxhit edhe ashtu konsiderohet e humbur në bazë të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.

Ndërsa, borxhi ndaj kompanive rajonale të ujësjellësit (KRU) është rreth 48 milion euro.

Kurse, borxhi ndaj kompanive rajonale të mbeturinave (KRM) është rreth 23.4 milion euro. Kompania me nivelin më të lartë të borxhit është KRM “Prishtina”, kjo për shkak të numrit të konsumatorëve. Kurse, borxhi total ndaj ATK-së deri në fund të vitit 2008 është 168.6 milion euro. Pjesën më të madhe të këtyre borxheve apo 88% e zënë bizneset aktive.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës filloi procedurat për faljen e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve të grumbulluara deri më 31 dhjetor 2008 në shkurt të këtij viti. Ndërsa,  në korrik, Kuvendi i Kosovës aprovoi Ligjin për Faljen e Borxheve.  (Kosova Sot)