Ja cilat Projektligje miratoi sot Qeveria e Kosovës

  • 05 August 2015 - 14:05
Ja cilat Projektligje miratoi sot Qeveria e Kosovës

Në mbledhjen e saj të rregullt, përveç nismës për lidhjen e Marrëveshjes për vijën shtetërore kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. 

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar lartë rëndësinë e miratimit të këtij akti. 

“Konsideroj se themelimi i Fondit per Garantimin e Kredive do të jetë një përkrahje shumë e madhe për zhvillimin e bizneseve, sidomos bizneseve të reja. Është një praktikë e cila për herë të parë po zbatohet tek ne në Kosovë, dhe nga e cila presim që do të kemi efekte multiplikative për zhvillimin ekonomik", ka thënë Mustafa.

Fondi do të themelohet me mbështetjen e USAID-it, me 20 milionë dollarë të ndara si kapital fillestar. 

Në vazhdim të mbledhjes, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillimin: “Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës”.

Kryeministri Mustafa theksoi se ky është një projektligj i cili siguron kushte shumë të mira për furnizimin me ujë të asaj pjese të vendit, duke e vlerësuar si një të arritur shumë të madhe që kjo të zbatohet. 

Poashtu, është miratuar edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin dhe Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë të Kosovës. 

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina, i është vazhduar kontrata edhe për një mandat tre vjeçar. 

Gjithashtu, është miratuar po ashtu vendimi preliminar për shpronësimin me interes publik të pronave të paluajtshme që preken të Ndërmarrjeve Shoqërore “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb” të cilat preken nga ndërtimi i objekteve ndërtimore për nevoja të Qeverisë së Kosovës. 

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin preliminar për shpronësimet të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit (IBM). 

(Kosova Sot)