Mafio-oligarkët keqpërdorin drejtësinë

  • 08 February 2018 - 07:13
Mafio-oligarkët keqpërdorin drejtësinë

KRIMINALITETI ËSHTË SHTRIRË NË INSTITUCIONE

PRETENI:Me argatë të politikës në institucionet e drejtësisë nuk mund të ketë shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur

Me këtë sistem drejtësie tërë- sisht në duar të pushtetarëve të inkriminuar dhe të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, Kosova rrezikon të mbetet gjithmonë jashtë BE-së. Analistët pyesin se pse prokuroria nuk e ka guximin të vërë prapa grilave "nëntokën kriminale" dhe pushtetarët e niveleve të larta në të dyja nivelet? Sipas tyre, Kosova është shndërruar në një shtet mafioz, pa sundim të ligjit, të kontrolluar në tërësi nga nëntoka e kriminalizuar, e cila ka inkriminuar të gjitha partitë pa dallim, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal. Pse në këtë vend pushtetarët e nivelit qendror, pushtetarët e nivelit lokal, mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze as që lodhen dhe nuk i frikë- sohen as ligjit, as Kushtetutës, përderisa vazhdojnë t'i kenë në dorë gjyqësorin e tërë dhe prokurorinë e frikësuar e shantazhuar dhe jo vetëm? - është pyetja e njohësve të këtyre rrethanave. Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha për "Kosova Sot" se ky sistem i drejtësie dhe tërë- sisht institucionet e tjera shtetërore janë në duar të pushtetarëve të inkriminuar dhe të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të cilët janë ngushtë të lidhur edhe me krimin ndërkombëtar, prandaj Kosova do të mbetet gjithmonë jashtë BE-së, derisa nuk ndërpritet kjo lidhje serioze kriminale."Dhe, e them me plot siguri se nëse nuk ndërmerren hapa urgjentë të pastrimit të organeve të sigurisë dhe drejtësisë, edhe të inteligjencës nga dora e nëntokës, akoma duket se është mirë sot gjendja çka do të na ndodhë nesër apo në të ardhmen, pasi do të na presin gjëra edhe më negative", u shpreh ai për "Kosova Sot".

Shteti i kompromentuar

Sipas Miftarit, sot po të kërkosh drejtësi në organet e sigurisë, polici, prokurori, gjyqësi, vetëm rrezikon veten."Në disa raste të veçanta rrezikon edhe jetën tuaj nëse kërkon drejtësi dhe ligj sepse aq shumë është kapur shteti nga mafia politike dhe ekonomike. Në një shtet ku dështimi proklamohet si sukses, në një shtet ku nuk mund të punësohesh apo të shkollohesh pa dhënë mitë ose pa pasur të njohshëm…lidhje apo fuqi politike, tregon se sa poshtë kanë rënë gjërat në një shtet ku studentet e bukura nuk mund kalojnë provimin te profesori pa u bërë "dashnore" të "profesorit", krejt kjo tregon se çfarë shteti ligjor e arsimor po ndërtojmë", potencoi ai."Më pastaj në një shtet ku shumica e kuadrove profesionale po migrojnë jashtë vendit dhe ku shumica e qytetarëve të atij vendi tentojnë të migrojnë jashtë shtetit, është një sinjal që tregon se çfarë shteti të poshtër, të padrejtë dhe shtet kukull, të kapur nga krimi e korrupsioni, kemi. Me qeveri kukulla, siç i patëm deri tani dhe e kemi sot", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

"Duhet ta konstatojmë me keqardhje se fatkeqësisht edhe prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, së bashku me mafiooligarkët, e që këta mafiooligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin lokal", vlerësoi Naim Miftari për "Kosova Sot" 

Duhet një strukturë e re politike

Për të shkelur qëndrueshëm dhe për të ecur sigurt në perspektivën evropiane, duke pasur shtet të mirëfilltë ligjor, analisti politik Jeton Kelmendi konsideron se paraprakisht duhet të ndryshohet, për të mos thënë rrënohet, tërë kjo strukturë politike dhe të zëvendësohet me një strukturë tjetër të re, ngase ndryshe nuk do të lirohet drejtësia e kapur nga krimi dhe korrupsioni, që janë bërë vegla në duart e njerëzve të politikës. "Sado që është munduar një kohë të gjatë të punohet në drejtimin e përmirësimit dhe avancimit të organeve të drejtësisë, të cilat janë tejet të dobëta, tash e dy dekada nga fillimi i ndërtimit të shtetit të Kosovës pas çlirimit mendoj se është një dështim i madh, kryesisht për faktorin mbështetës ndërkombëtar që kishin për mision vendosjen e konturave të shtetit të ri dhe të një drejtësie të pavarur, por kjo u bë e pamundur, sepse në të gjitha strukturat, nga më të ulëtat e deri në më të lartat, në drejtësi u vendosën dhe vazhdojnë të jenë njerëzit e dirigjuar nga politika dhe parapolitika", u shpreh ai."Nga ana tjetër, struktura të fuqishme politike, apo do të thosha shefa të shtetit, secili i ka njerëzit e vet në drejtësi dhe natyrisht që drejtësia vazhdon të jetë e kapur nga këta njerëz", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". Dihet se deri më tani ligjin e kanë shkelur presidenti, kryeministri, kryeparlamentari dhe vetë ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtësia ka dështuar.

Të korruptuarit kanë mbështetje në drejtësi

Me argatë të politikës në institucionet e drejtësisë nuk mund të ketë shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur edhe sipas ish-kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, Hasan Preteni. "Kosova nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur, ata i ka vendosur aty politika, u ka dhënë paga të mira, privilegje jetësore, e ata politikës po ia kthejnë me heshtje të rasteve, derisa mbajnë nga disa vende pune. Ndaj tyre nuk kërkohet transparencë dhe llogaridhënie, e kjo për ta është lumturi i dyanshme. Pa largimin dhe përgjegjësinë penale për titullarët e KGJK-së dhe KPK-së nuk ka progres", tha Preteni për "Kosova Sot". Edhe analisti Naim Kelmendi dështimin e shtetit ligjor në Kosovë për të gjitha këto vite, veçmas në këta 10 vjet pavarësi, e sheh tek faktori politik që ka ndikim të madh në të gjitha segmentet e së drejtës."Duhet ta konstatojmë me keqardhje se fatkeqësisht edhe prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, së bashku me mafio-oligarkët, e që këta mafio- oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin lokal", vlerësoi ai. "Duke qenë në pozitë dhe veprim në kundërshtim me ligjin, ndodh që prokurorët në Kosovë shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë e mosndërmarrjes së veprimeve ligjore pa asnjë argument, apo duke i lënë që këto lëndë të parashkruhen nëpër sirtarë", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot"

"De-fakto është pikërisht nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës që nuk atakohen nga një drejtësi që bashkëjeton ngushtë me politikën dhe kështu, fatkeqësisht, politikanët e lidhur me krimin qëndrojnë mbi ligjin dhe derisa e kemi këtë situatë vetëm mund të flasim pa fund dhe pa cak për perspektivën tonë ëndërrimtare evropiane", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)