Situata me epideminë e gripit sezonal në Kosovë - Lajme - Kosova Sot
Situata me epideminë e gripit sezonal në Kosovë

Situata me epideminë e gripit sezonal në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrjeje edhe raportimin dhe situatën epidemiologjike me gripin sezonal

Sa i përket situatës epidemiologjike, Instituti Kombëtar përcjell me vëmendje ecurinë e rritjes së rasteve të gripit sezonal në të gjitha vendbanimet e territorit të Republikës së Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet të shtuar të rasteve të gripit sezonal.

Gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve.

Nga 01 tetori deri më 02 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të dyshimta në grip (ILI).

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 07 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 165 ose 51 % kanë rezultuar pozitive në influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata).

Në bazë të situatës aktuale Instituti Kombëtar konstaton se:

Kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal.

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore. 

3.      Ministrin e MASHT që të njoftojnë të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Rekomandojmë Inspektoratin shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.

Rekomandojmë Institucionet shëndetësore (veçanërisht SHSKUK):

•       Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)

•       Përdorimi i mjeteve mbrojtëse për profesionistët shëndetësorë

•       Dezinfektimi i të gjitha hapësirave të institucioneve shëndetësore (veçanërisht SHSKUK, repartet infektive, pediatrike dhe gjinekologjike).

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit H3N2 në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Evropë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Shtetet të cilat kanë raportuar intensitet të lartë me grip janë Italia, Bullgaria dhe Irlanda. Ndërsa shtete tjera kanë intensitet mesatar (Anglia, Gjermania, Franca, Kroacia, Sllovenia etj) dhe intensitet të ulët në shtetet tjera.

Në Shqipëri gripi gjithashtu ka kaluar pragun epidemik dhe situata epidemiologjike është e njëjtë edhe në shtetet fqinje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur vigjilencën dhe nuk ka vend për panik në popullatë sepse të gjitha rastet e rënda trajtohen me kujdes në SHSKUK. Situata epidemiologjike nuk varet nga shifrat por nga ashpërsia klinike e sëmundjes dhe nga numri i rasteve të rënda. Instituti Kombëtar dhe Institucionet shëndetësore janë të përgatitur për t’u përballur me raste të shtuara të gripit si sëmundje e paparashikueshme dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike qytetarët do të informohen me kohë.

Si të mbrohemi nga gripi sezonal

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne menyre indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

• Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

• Njerëzit 65 vjeç e sipër

• Gratë shtatzëna.

• Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

• Temperaturë e lartë

• Kollë

• Dhimbje fyti

• Lodhje

• Dhimbje koke

• Diarre dhe vjellje

• Dhimbje barku

• Rrjedhje të hundëve

• Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

• Frymëmarrje te shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

• Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

• Nuk konsumojnë mjaftueshëm lëngje

• Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

• Fortësim të qafës

Të rriturit shfaqin:

• Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

• Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

• Marramendje të papritur

• Konfuzion mendor

• Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

I.                   Vaksinimi.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

• Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

• Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

• vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos :

• Fëmijëve mbi 6 muaj

• Personave mbi 50 vjeç

• Personave me rrezik më të lartë

• Personelit shëndetësor

• Grave shtatëzëna

• Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarëve.

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

• Personave që kanë alergji në vezë

• Gjendje akute me temperaturë

• Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal

• Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

• Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni desinfektues.

• Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

• Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

• Ushqehuni shëndetshëm

• Bëni aktivitet fizik

• Bëni gjumë të mjaftueshëm.

• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :

• Qëndroni në shtëpi.

• Qëndroni veç nga të tjerët

• Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

• Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

• Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtimi

• Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

• Evitoni kontaktet me njerëzit

(Kosova Sot)

22 orë e 52 minuta më parë
22/10/18