Reagojnë ambasadat, u kërkojnë liderëve ta mbajnë fjalën për mosshfuqizimin e Speciales

  • 08 February 2018 - 12:13
Reagojnë ambasadat, u kërkojnë liderëve ta mbajnë fjalën për mosshfuqizimin e Speciales

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuar, përmes një deklarate të përbashkët, e kanë mirëpritur veprimin e liderëve kosovarë për heqjen dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Këto shtete u kanë kërkuar atyre që ta mbajnë këtë gatishmëri.

"Mirëpresim deklaratat e fundit të udhëheqësve politik Kosovarë ku zotohen se heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta nderojnë këtë gatishmëri", thuhet në njoftimin e tyre.

Siç shprehen këto pesë shtete, vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta afirmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për tu integruar tërësisht në Europë dhe komunitetin ndërkombëtarë. 

"Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia.", ka përfunduar njoftimi.

(Kosova Sot)