Dhjetë vite pas pavarësisë, Kosova përballet me sfida të shumta - Lajme - Kosova Sot
Dhjetė vite pas pavarėsisė, Kosova pėrballet me sfida tė shumta

Dhjetė vite pas pavarėsisė, Kosova pėrballet me sfida tė shumta

Kosova gjatë dhjetë viteve si shtet, ka shënuar të arritura, por ka dhe shumë sfida para vetës. Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare “Festimi i dhjetë vjetorit të pavarësisë: Arritjet dhe aspiratat”, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Rejhan Vuniqi zëvendësministre e MPJ- së, tha se institucionet e vendit po punojnë që të zhvillohen shumë fusha të qeverisjes së brendshme.

“Synojmë të hapim ambasada në vende të shumta të botës. Jemi duke punuar të zhvillojmë shumë fusha të qeverisjes së brendshme, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë dhe sigurinë. Si pikë e interesit Kosova sot ka mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit e minierave. Sistemi ynë ligjor ofron mbrojtje te plotë, për investime të drejtpërdrejta. Kosova është nder shtetet e reja të Ballkanit. Kosova ka marrë 116 njohje si shtet i pavarur. Rruga drejtë pavarësisë ka qene e ndërlikuar…Vendi ynë po përballet me vështirësi ne arritjen e pranimit gjithë botëror si Kina e Rusia. Jemi përballur dhe me barriera për njohje nga disa organizata. Vendi përballet me shumë pengesa dhe si rezultat populli e çmon dhe njeh vlerën e paqes dhe harmonisë”, tha ajo.

Ndërkaq Abdulselami Shkodra, zëvendësministër i MPB së tha se 10 vjetori i pavarësisë, e gjen shtetin e Kosovës në një pamje të larmishme, sa i përket të arriturave dhe sfidave me të cilat aktualisht përballet.

Ai tha se përgjatë dhjetë viteve Kosova është anëtarësuar në shumë organizata dhe se ka dëshmuar se është shtet i përgjegjshëm, me qasje konstruktive në ndërtimin e paqes stabilitetit dhe zhvillimit rajonal. Shkodra thotë se shteti i Kosovës ka shënuar progres të prekshëm, gjatë dhjete viteve, por duke mos anashkaluar edhe sfidat, nëpër të cilat ka kaluar dhe me të cilat vazhdon të përballet dhe më tutje.

“ Kosova vazhdon të ketë shtrirje të kufizuar të autoritetit në pjesën veriore të Kosovës. Vazhdon të këtë ngecje në implementimin e ligjeve. Vazhdon të përballet me mungesë të kapaciteteve kadrovike. Vazhdon të ketë probleme të thella strukturore ekonomike. Papunësi të lartë, korrupsion e krim të organizuar. Cilësi të ultë në arsim si dhe fenomene të tjera. Kosova veçanërisht në muajt e fundit është sfiduar seriozisht në ruajtjen e partneritetit me aleatët për shkak të proceseve që lidhen me gjykatën speciale. Ruajtja e partneritetit me partnerët ndërkombëtar, është jetike për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq zëvendësministri i FSK-së Burim Ramadani tha se Kosova nuk synon që të jetë ushtarakisht neutral dhe se transformimi i FSK-së në forca të armatosura, duhet të shërbejë një hap më tutje, në rrugën drejtë NATO-s.

“Ne nuk jemi dhe nuk synojmë të jemi ushtarakisht neutral. Së dyti ne duam që sa më shpejte të anëtarësohemi në NATO dhe në të njëjtën kohë që NATO, të vazhdoj të qëndroj në Kosovë. Së treti, ne jemi në proces intensiv dhe jashtëzakonisht dinamik të përpjekjeve për transformuar FSK në forca të armatosura të Kosovës, bazuar në rishikimin e sektorit strategjik, që ka ndodhur vite më herët. E po ashtu bazuar në një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese me qëllimin kryesor që ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, për arritjen e konsolidimit të sektorit të sigurisë dhe të sektorit të mbrojtjes. Dhe së fundi ne synojmë që të arrijmë fazën e dialogut për anëtarësim në NATO në vitet e ardhshme”, tha ai.

(Kosova Sot)

19 orë e 50 minuta më parë
21/02/18