Prokuroria e Kosovës flet për dy hakerët e dyshuar, të kërkuar nga Amerika

  • 08 February 2018 - 14:00
Prokuroria e Kosovës flet për dy hakerët e dyshuar, të kërkuar nga Amerika

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Armend Hamiti, konfirmoi të enjten për KALLXO.com se dy të dyshuar për krime kibernetike të përmendur nëpër media si të kërkuar nga autoritetet amerikane, tashmë janë në paraburgim.

Ai tha se me kërkesë te ShBA-së përmes ndihmës juridike ndërkombëtare janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj këtyte dy personave të dyshuarve.

Gjatë ditës së djeshme,Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së ka publikuar listën me emrat e 36 personave të cilët janë akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje.

Në mesin e tyre gjenden edhe emrat e dy kosovarëve, Liridon Musliu dhe Besart Hoxha.

36 të pandehurit akuzohen për rolet e supozuara në organizatën kriminale transnacionale përgjegjëse për më shumë se 530 milionë dollarë humbje nga krimet kibernetike.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë bërë të ditur se ata kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tetë të pandehurve nga vendet jashtë ShBA-ve, e që njëra prej tyre është Kosova.

Aktakuza e ngritur nga prokurorët amerikanë liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi të hakerëve, e që përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet.

Për këtë operacion, Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së ka bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Shtetit në Kosovë.

Gjatë historisë së saj shtatëvjeçare, organizata ‘Infraud’ thuhet se ka shkaktuar rreth 2.2 miliardë dollarë humbje të planifikuara dhe më shumë se 530 milionë dollarë humbje aktuale, në një numër të gjerë të institucioneve financiare, tregtarëve dhe individëve privatë.

(Kosova Sot)