Shumica e qytetarëve kërkojnë përfshirjen direkte të SHBA-së në dialog - Lajme - Kosova Sot
Shumica e qytetarėve kėrkojnė pėrfshirjen direkte tė SHBA-sė nė dialog

Shumica e qytetarėve kėrkojnė pėrfshirjen direkte tė SHBA-sė nė dialog

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencë për media ku u shpalosën rezultatet nga hulumtimi i pestë i opinionit publik lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, “Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, këndvështrimi i qytetarëve”.

Me këtë rast Jeta Krasniqi nga KDI, ka prezantuar të gjeturat e këtij hulumtimi sipas të cilit rreth 49% e qytetarëve mendojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen direkte të SHBA-ve në këtë proces.“Janë 45% e të anketuarve nga komuniteti serb që ndajnë qëndrimin se dialogu duhet të vazhdojë edhe pa përfshirje të SHBA-ve në këtë proces, kundrejt vetëm 29% të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe 24% nga komunitetet e tjera të cilët mendojnë të njëjtën gjë”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka theksuar se bazuar në këtë sondazh, mbi gjysma apo 51% e qytetarëve të anketuar nuk presin që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet gjatë vitit 2018. Qëndrim të ngjashëm ka thënë se ndajnë të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Njëkohësisht ka bërë të ditur se rreth gjysma e qytetarëve të anketuar (48%) janë përgjigjur se nuk presin njohje nga Serbia në përfundim të procesit të dialogut. “Vetëm 1% e qytetarëve të komunitetit serb presin që Serbia do të njoh shtetin e Kosovës në përfundim të këtij procesi, krahasuar me 34% të qytetarëve të komunitetit shqiptar dhe 23% e qytetarëve të komuniteteve të tjera”, plotësoi ajo.

Kurse Egzon Osmanaj nga KDI, ka theksuar se një përqindje shumë e lartë e qytetarëve, përkatësisht 67% e tyre, mendojnë se marrëveshjet e reja me Serbinë duhet të diskutohen në Kuvend para nënshkrimit të tyre në Bruksel. “Ndërsa janë 71% e komunitetit shqiptar dhe 56% e komuniteteve të tjera që ndajnë këtë qëndrim, vetëm 20% e komunitetit serb vlerësojnë që Kuvendi duhet të luaj këtë rol”, ka njoftuar ai.

Po ashtu ka bërë të ditur se janë 50% e qytetarëve që mendojnë se dialogu i Brukselit nuk ka arritur të përmirësoj marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Këtë qëndrim ka thënë se e ndajnë pjesa më e madhe e qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe komunitetet e tjera. Qytetarët e komunitetit serb përkatësisht 47% e tyre nuk e dijnë se çfarë pasojash ka pasur dialogu në marrëdhëniet në mes dy shteteve.

(Kosova Sot)

11 orë e 47 minuta më parë
18/02/18