"Etloni ka nënën me tumor, duhet t'i qëndrojë afër" Flet babai i të dyshuarit për vrasje

  • 08 February 2018 - 14:34

"E gënjyen tim bir, ai është i urtë, kanë përfituar nga pika e tij e dobët. Jemi shumë të varfër. I kam hequr shpresat. Nuk e kam takuar djalin që në momentin e arrestimit. Nuk e besoj që Eltoni është përfshirë në një grup kriminal, ku i njohu ata persona”.

Kështu u shpreh 75-vjeçari Hydai Halipaj, babai i Eltonit, njërit prej personave që ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet të jetë bashkëpunëtor në vrasjen e Devi Kasmit.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare“, 75-vjeçari tregon me lot në sy momentin e arrestimit të Eltonit dhe pamundësinë ekonomike për ta ndihmuar.

“Mamaja e Eltonit është e sëmurë me tumor, ka nevojë që t’i qëndrojë afër në çdo moment, jam 75 vjeç, nuk kam as fuqi dhe as para që të ndihmoj tim bir. Jam në gjendje shoku, por po përpiqem me sa kam mundësi që ta mbështes”, shprehet babai i Eltonit.

Si e përjetuat momentin e arrestimit të Eltonit, kishit dijeni që ai ishte i përfshirë në një grup kriminal?

Jam akoma në gjendje shoku, ditën që arrestuan Eltonin nuk më besohej që bëhej fjalë për tim bir. Ai asnjëherë nuk është shoqëruar më njerëz të tillë. Jam shumë i shqetësuar. Mamaja e djalit është e sëmurë me tumor, na ka sjellë një stres të madh në familje.

Si sillej Eltoni ditët e fundit përpara arrestimit, a vutë re diçka ndryshe tek ai?

Eltoni ka qenë gjithmonë i përkushtuar me familjen, sidomos ndaj mamasë dhe çdo moment interesohej për shëndetin e saj. Por pesë ditët e fundit përpara se të ndodhte e gjithë kjo, ai nuk vinte shpesh në shtëpi, veç telefononte i shqetësuar dhe pyeste si ishte e ëma, apo nëse i kishte pirë ilaçet. Nuk kishim dijeni se me çfarë po merrej.

A i njihnit personat e tjerë që janë arrestuar së bashku me djalin tuaj. Ishit të informuar me kë shoqërohej Eltoni?

Nuk e besoj që im bir është përfshirë në një grup kriminal, ai është i ndershëm, ku i njohu ata persona?1 Ai ka shoqëri tjetër, s’e kam parë kurrë të shoqërohej me ata. Ai rrinte me djemtë e lagjes këtu në Yzberisht. Thuhej nga policia që im bir ka siguruar mjetet, por im bir nuk i ka pasur aq lekë sa për të blerë fugonin. Ne jemi kaq të rënduar ekonomikisht, ai ishte gjithë kohës nëpër spitale, pasi mamasë së tij iu rikthye tumori.

Si është e shkuara e Eltonit, a ishte ai në marrëdhënie pune?

Im bir ka bërë punë të ndryshme, por gjithmonë kanë qenë të ndershme. Ne erdhëm nga Skrapari në Tiranë përpara 18 vitesh. Ishte shumë e vështirë, kam 8 fëmijë, m’u desh të punoja shumë për të mbijetuar. Eltoni ka qenë djalë i urtë dhe punëtor. Ai ka punuar në ndërtim, më pas te pishinat, te liqeni, madje edhe në furrë buke. Vitin e fundit ishte pa punë. Më këputet shpirti kur mendoj që im bir është mbrapa hekurave, akoma nuk arrij ta besoj.

Kush po e ndjek çështjen e Eltonit, keni siguruar një avokat?

Ditën që kanë arrestuar Eltonin, ka qenë me letrat e spitalit të së ëmës në xhep dhe me 700 lekë të vjetra. Me vështirësi i morëm edhe avokat. Jam 75 vjeç, nuk kam as fuqi dhe as para, por po e ndjek çështjen dhe po bëj çdo gjë për të ndihmuar tim bir, sepse ai është i urtë, nuk është marr kurrë me kriminelë.

A është i martuar djali juaj?

Djali ka qenë i martuar dhe ka një gocë të vogël, por një vit e gjysmë më përpara, në të njëjtën kohë që u operua e ëma pasi u sëmur me tumor, pati probleme edhe me bashkëshorten dhe u ndanë. Eltoni ka shumë shqetësime.

Eltoni i ka mohuar akuzat, çfarë reagimi keni për këtë gjë?

Jam në errësirë… Nuk di ç’të them.

(Kosova Sot)