Kurti “lan” borxhin ndaj aktivistëve të burgosur: Mban fjalim për pafajësinë e tyre

  • 08 February 2018 - 17:03
Kurti “lan” borxhin ndaj aktivistëve të burgosur: Mban fjalim për pafajësinë e tyre

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për padrejtësinë që, sipas tij, i është bërë aktivistëve të VV’së të dënuar për terrorizëm, vetëm pasi ai ishte akuzuar nga krahu i Dardan Molliqajt se Kurti i kishte lënë krejtësisht anash të burgosurit dhe as nuk i kishte vizituar në burg.

Ishte deputeti Frashër Krasniqi, tani i dënuar me 8 vjet burg për sulmin e Kuvendit me zollë, që kishte akuzuar Albin Kurtin se nuk i kishte vizituar aktivistët e arrestuar dhe nuk i kishte mbrojtur.

“Edhe refuzimin e tij për t’më vizituar gjatë tre muajve të parë të arrestit (deri pas vdekjes së Astritit) e edhe mosparaqitjen e tij në asnjë konferencë apo intervistë për të na mbrojtur nga padrejtësia që po na bëhej. Të gjitha ia fala dhe për asnjë nuk jam pishman”, kishte shkruar Krasniqi në letrën e tij të dorëheqjes me plot akuza ndaj Kurtit.

E, lideri i Vetëvendosjes sot sic duket ka vendosur që të zëvëndësojë të gjitha herat për të cilat ishte akuzuar nga krahu i të dorëhequrve se kishte heshtur e nuk kishte mbrojtur aktivistët.

 Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se rasti i sulmit ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës ishte i montuar.

Ai gjatë debatit parlamentar për këtë rast, të kërkuar nga Vetëvendosje është shprehur se ata janë arrestuar dhe dënuar nga urdhri politik, por sipas tij kjo kishte të bënte me hakmarrje nga Policia e Kosovës ndaj protestave të këtij subjekti.

“Arrestimi i aktivistëve ishte hakmarrja e dytë ndaj Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

Sipas tij dënimi i aktivistëve me 21 vite burgim ishte arsyetim për vdekjen e Astrit Deharit në burg.

Nga 4 aktivistët e dënuar, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti janë rreshtuar kah Kurti, ndërsa Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi janë përkrahës të mëdhenjn të Dardan Molliqajt.

(Kosova Sot)