U arratis nga gjykata, babai nxjerr SMS: I kanë ngritur kurth, ish-gruaja i shkruajti ‘hajde se…’ - Lajme - Kosova Sot
U arratis nga gjykata, babai nxjerr SMS: I kanë ngritur kurth, ish-gruaja i shkruajti ‘hajde se…’

U arratis nga gjykata, babai nxjerr SMS: I kanë ngritur kurth, ish-gruaja i shkruajti ‘hajde se…’

Babai i 24-vjeçarit që tentoi të arratisej nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër bën thirrje për lirimin e djalit. Thoma Ahmeti pretendon se të birit i është ngritur kurth nga nëna dhe ish-gruaja e tij.

I ati i të riut rrëfen se, Saimiri ka qenë i martuar për rreth 8 muaj dhe më pas nga problemet në çift erdhi dhe ndarja. “Ishin të martuar dhe më 2 janar u nda me ish-gruan e tij. Pas 11 ditësh i dërgon mesazh, ‘hajde, se nuk jetoj dot më pa ty’. Dhe djali shkoi për ta takuar, por ato i bënë një kurth, e ëma bashkë me vajzën”, shprehet babai i 24-vjeçarit.

Thoma Ahmeti, duke pretenduar pafajësinë e djalit të tij, bën thirrje për zbardhjen e së vërtetës, ndërsa nga ana tjetër shprehet se çështjen do ta ankimojë deri te Presidenti i Republikës.

“Ne mezi e kemi rritur djalin. Atë e akuzon ish-vjehrra, sepse nuk do që të marrë vajzën e saj. Ne jemi familje e rregullt dhe ju mund të pyesni, se çfarë familje jemi ne. Djali është i pafajshëm dhe ai u tremb nga frika, sepse është akoma fëmijë dhe prandaj e bëri atë veprim duke u arratisur. Nuk e prisja të bënte këtë veprim. Unë do kërkoj dhe ndihmën e Avokatit të Popullit, sepse nëse djali im pëson gjë, atëherë Policia do mbajë përgjegjësi”, shprehet Ahmeti.

24-vjeçari rezulton se është arrestuar më 24 janar me urdhër të Prokurorisë Sarandë, pas denoncimit të bërë nga ish-gruaja e tij. Vendimin e Gjykatës së Sarandës për ta hetuar në arrest me burg, avokati i 24-vjeçarit e apeloi në Gjirokastër.

Por, edhe Gjykata e Apelit në Gjirokastër la në fuqi të njëjtin vendim. Në bazë të hetimeve, rezulton se 24- vjeçari ka përndjekur dhe kërcënuar ish-bashkëjetuesen e tij, Bleona H., 18 vjeçe, të dy banues në fshatin Vanë.

(Kosova Sot)

8 orë e 51 minuta më parë
28/05/18