Pentagoni po i shqyrton mundësitë për paradën ushtarake të kërkuar nga Trump

  • 08 February 2018 - 19:45
Pentagoni po i shqyrton mundësitë për paradën ushtarake të kërkuar nga Trump

Presidenti Donald Trump dëshiron zhvillimin e një parade ushtarake që të tejkalojë për nga madhështia atë të zhvilluar në Paris vitin e kaluar me rastin e “Ditës së Bastijës”.

Pentagoni po bën plane për një demonstrim të fuqisë ushtarake në kryeqytetin amerikan, raporton Zëri i Amerikës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes njoftoi të mërkurën se po punohet për zhvillimin e mundshëm të një parade ushtarake.

“Po punojmë mbi disa variante dhe do t’i çojmë për vendimmarrje në Shtëpinë e Bardhë”, tha zoti Jim Mattis.

Arsyet mbi kërkesën e papritur të presidentit variojnë.

Zoti Mattis thotë se është rrjedhojë e dashurisë që zoti Trump ka për trupat ushtarake.

“Respekti i presidentit, simpatia që ka ai për ushtrinë, mendoj se është arsyeja e kërkesës së tij”.

Por të tjerë e shohin si qasje narcisiste.

“Kjo nuk ka të bëjë me trupat, kjo është thjesht për të kënaqur egon e komandantit të Forcave të Armatosura”, thotë gjeneral majori Paul Eaton, një ish-ushtarak në pension.

Presidenti Trump ka thënë shpesh se do një paradë që tejkalon për nga madhësia atë të zhvilluar në Paris korrikun e kaluar.

Por paradat madhështore ushtarake në SHBA janë të rralla. Më e fundit u mbajt në fillimet e 1990 për të festuar fitoren e amerikanëve në Luftën e Gjirit.

Kritikët thonë se paradat ushtarake lidhen kryesisht me diktaturat, nga parakalimet me raketa të Koresë së Veriut, festimet dhjetra vjeçare në Sheshin e Kuq në Rusi, tek shfaqja që Kina dha për zotin Trump gjatë vizitës së tij atje.

Sipas gjeneralit Eaton, ushtria amerikane ka gjëra më të rëndësishme për të bërë.

“Me angazhimin në vazhdim në Afganistan, me tërheqjen graduale nga Iraku dhe ndoshta përgatitjet për Korenë e Veriut, trupat nuk kanë kohë. Pra kjo është thjesht dhe vetëm një ide jashtëzakonisht e keqe”.

Pas një marrëveshjeje për një financim të plotë të ushtrisë të miratuar në Senat, gjetja e parave për një sipërmarrje të tillë do të jetë e vështirë. Por presidenti Trump nuk njihet për tërheqje nga vendimet e tij.

(Kosova Sot)