Haradinaj, Konjufcës: Mos u viktimizoni si LDK'ja dikur

  • 08 February 2018 - 20:11
Haradinaj, Konjufcës: Mos u viktimizoni si LDK'ja dikur

Glauk Konjufca, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u përplasën sot në Kuvend, ku u diskutua dënimi i aktivistëve të VV-së për sulmin kundër Kuvendit.

Gjatë debatit parlamentar, Haradinaj tha se Vetëvendosja duhet të distancohet nga sulmi ndaj Kuvendit.

“M’jet pak hatri pse nuk u distancua Vetëvendosja mas pari për sulmin në Kuvend. U dashtë me thanë që është një sulm kriminel dhe si i tillë duhet të gjykohet. Pajtohem plotësisht që shumë fyese është dhe ndjenjë më të poshtër nuk ka sesa me folë unë sot këtu e Frashëri me qenë në burg. Por në të njëjtën kohë, në rast se janë të vërteta këto që po i thoni unë shpresoj që prokuroria është kah i dëgjon”, tha Haradinaj.

Kjo ngjalli reagim te Konjufca i cili e akuzoi Haradinajn se ka ndërruar qëndrimet e tij nga koha kur ishte në opozitë.

“VV nuk ka nevojë mu distancu. VV e ka dënuar. Është më shumë se distancim. Është pjesë e rezolutës së Kuvendit, ku ai sulm është quajtur i papranueshëm, i dënueshëm. Kjo është me shumë sherr dhe ka prapavijë politike bashkë me koordinata të këtij pushteti që po na dënon. Kur po u ulka njeri me një karrikë tjetër, po ja niska me menu ndryshe”, tha Konjufca, raporton kallxo.

Pas kësaj Haradinaj me një kundërreplikë iu drejtua Konjufcës duke e akuzuar atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për viktimizim.

“Kauzën e kemi të njëjtë. Thashë sot në këtë debat është mirë me dënu atë sulm, unë nuk e bona Frashër Krasniqin e VV-së pjesë në sulm. Këtë nuk e thashë. Edhe mos u boni viktimë burrë se na keni lodhë, si LDK-ja ktyneher”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot)