Kush është amerikani që ka luajtur rol kyç për pavarësinë sipas ambasadores Çitaku

  • 08 February 2018 - 20:32
Kush është amerikani që ka luajtur rol kyç për pavarësinë sipas ambasadores Çitaku

Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku ka takuar në DC, Josh Black në kuadër të festimeve për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, të cilit ajo i ka bashkëngjitur edhe një foto, ambasadorja ka përshkruar punën e Black për pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur hero.

“Josh është hero i padëgjuar i pavarësisë sonë. Ai ka luajtur rol kyç dhe kur historia të shkruhet emri i tij do të jetë aty. Kosovarët do të mësojnë për të në librat e historisë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Joshua Black ka kaluar shumë vjet duke punuar në Departamentin Amerikan të Shtetit në çështjet e ish-Jugosllavisë.

Nga viti 2005 deri më 2008, ai ishte koordinator i Departamentit të Shtetit në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe ishte i pranishëm kur u shpall pavarësia më 17 shkurt.

Më parë, Black ishte zyrtar në deskun për Kosovën në Departamentin amerikan të Shtetit  dhe  përgjegjës për operacionet e NATO’s në Ballkan. Shërbeu në dy mandate në zyrën e SHBA në Prishtinë, menjëherë pas pavarësisë së Kosovës.

(Kosova Sot)