Hoxhaj në Strasbourg: Mosnjohja nga pesë vende të BE-së, po e sfidon agjendën e Kosovës - Lajme - Kosova Sot
Hoxhaj në Strasbourg: Mosnjohja nga pesë vende të BE-së, po e sfidon agjendën e Kosovës

Hoxhaj në Strasbourg: Mosnjohja nga pesë vende të BE-së, po e sfidon agjendën e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Parlamentit Evropian në lidhje me 10-vjetorin e shtetësisë së Kosovës, ku ka folur për të arriturat dhe sfidat që e shoqëruan shtetndërtimin e vendit tonë

Hoxhaj tha se është e paimagjinueshme që në vigjilje të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ende janë pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Agjenda kundër njohjes ndërkombëtare e Kosovës, është agjendë e Rusisë, dhe është absurde që në vitin 2018, shtetet e BE-së të mos kenë gjetur gjuhë të përbashkët sa i përket Kosovës.

Kjo mungesë e unitetit brenda BE-së, është reflektuar edhe në pozitën e Kosovës në strategjinë e re të BE-së, për zgjerim në Ballkan. Hoxhaj tha se BE-ja duhet të bëjë më shumë që pesë vendet e mbetura jonjohëse ta njohin Kosovën dhe ta pranojnë realitetin e ri në Evropë. 

Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli edhe në lidhje me kontekstin rajonal dhe pozitën e Kosovës. Ai tha se Kosova ka ndodhur të jetë fqinje me Serbinë, gjë që i ka vështirësuar shumë procese integruese. Me mbështetjen e Rusisë, Serbia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, por edhe në shumë organizata të tjera. 

“Përveç bllokadave në planin ndërkombëtar, është dëshmuar shumë herë se si Serbia gjithmonë ka gjetur një mënyrë për ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës, me qëllim që të shkaktojë destabilitet brenda për brenda vendit”, përfundoi Hoxhaj.

(Kosova Sot)

 

18 orë e 36 minuta më parë
17/08/18