Gërxhaliu, marionetë e klanit "Pronto" dhe Devollëve - Lajme - Kosova Sot
Gërxhaliu, marionetë e klanit "Pronto" dhe Devollëve

Gërxhaliu, marionetë e klanit "Pronto" dhe Devollëve

OEK-u, instrument i mafiooligarkëve

Grapci: Safet Gërxhaliu po vazhdon të mbetet në këtë post për shkak se klani "Pronto" dhe vëllezërit Devolli ia kanë mbushur grykën me para që të punojë për ta dhe klanet e tjera të nëntokës

Përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë kanë bërë akuza në adresë të kreut të OEK-ut, duke e akuzuar se është në shërbim të bizneseve mafioze. Analistët pyesin se si mund të vazhdojë të mbetet edhe më tutje kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, i cili po punon ekskluzivisht për klanin "Pronto" dhe vëllezërit e inkriminuar Devolli, si dhe klanet e tjera të nëntokës. Veç saj, ata thonë se si mundet që kreu i një institucioni siç është Oda Ekonomike e Kosovës, me kaq traditë të gjatë, të vazhdojë të mbetet një shërbyes i mafio-oligarkëve, i cili mbron monopolet antiligjore, antikushtetuese dhe kriminale të Devollëve dhe të tjerëve, mbron po ashtu ishzëvendëskryeministrin Ramiz Kelmendi, të cilin në kohën kur ishte në garë me të për kryetar të OEK-ut e quante edhe kriminel, ndërkaq pasi që Kelmendi hyri në politikë Gërxhaliu e shpalli Kelmendin edhe "hero të bizneseve" duke e shpërblyer. Por, ky i fundit po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se gjatë vitit 2011 ka kryer veprën penale, "vjedhje e rëndë", vjedhje të energjisë elektrike, ku si pronar i kompanisë "Elkos", sipas prokurorisë, ka dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në shumën prej 22.801.19 euro. Veç saj, pas raportimeve të qytetarëve, afaristi Kelmendi u dënua edhe nga MTI-ja, pasi i njëjti i mashtroi konsumatorët dhe dëmtoi ata financiarisht në ETC, si dhe për shumë akuza të tjera më të rënda e të pazbuluara deri më tani. Analistët e ekonomisë janë të mendimit se Gërxhaliu duhet hetuar, sepse është ai që motivohet për të mbrojtur interesat e mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët në baza ditore shkelin ligjet dhe Kushtetutën, por për shkak se "lagin fytin" e politikaneve të inkriminuar, shpëtojnë "pa një ferrë në këmbë ". Me gjithë pyetjet e gazetës drejtuar në adresë të OEK-ut përmes postës elektronike, si dhe telefonatat dhe kontakte e bëra me Ramiz Kelmendin, por edhe pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë së Shtetit, gazeta nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli.

Shoqata e Ndërtimtarëve akuzon kryetarin

Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Ibrahim Selimaj, në një prononcim për "Kosova Sot", tha se sa i përket punës si kryetar i OEK-ut, bashkëpunimi i tij me shoqatën ka qenë nën çdo nivel. "Ndonëse jemi shoqata më e fuqishme në Kosovë dhe që më së shumti krijojmë vende të reja pune dhe që na duhet më së shumti përkrahje, për fatin e keq ndihma e z. Safet Gërxhaliu ndaj shoqatës sonë ka qenë barazi me zero. Përkundrazi, ai vetëm sa është munduar që ta shkatërrojë këtë shoqatë. Puna e tij ka qenë në stilin për dikë nënë e për dikë njerkë dhe është munduar që në postet kryesore të OEK-ut t'i favorizojë vetëm njerëzit e vet dhe disa shoqata me të cilat ai ka qenë në raporte të mira. Andaj, është një fat i madh që ai do të largohet, sepse më nuk ka të drejtë që të kandidojë në këtë post", potencoi ai. Sipas Selimajt, Safet Gërxhaliu e pati shndërruar Odën Ekonomike të Kosovës në një odë ekonomike private.

"OEK-u nuk meriton njerëz politikë e që vërejtja ime është se në Kosovë gjithçka është politike, edhe në mjekësi, biznes, fe, kulturë, e shumë sektorë kyçë, besoj që ka ardhur koha e ndryshimeve kulturore, politike dhe ekonomike, se ka ardhur koha e një transformimi gjithëpërfshirës", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për "Kosova Sot" se në Kosovë janë themeluar shumë subjekte ekonomike që thuhet se janë në shërbim të ekonomisë së vendit."Përfaqësues të këtyre organizatave theksojnë se vazhdimisht kontribuojnë në zhvillimin ekonomik përmes ndërmarrjeve private, por edhe me promovimin e resurseve kosovare në vende të ndryshme të botës", u shpreh ai."Roli i kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës është që të jetë i barabartë për të gjithë, ngase ai përfaqëson bizneset e anëtarësuara, mirëpo ka pretendime se ka anshmëri, çka edhe nuk është e drejtë, sepse ai ka një rol unifikues dhe jo përçarës dhe gjithmonë po flas në atë se çka po flitet në media dhe informata të tjera publike, andaj ky vend ka nevojë për barazi dhe respekt për secilin", theksoi Beqiri. "Duhet të ceket se të gjitha bizneset e anëtarësuara në OEK duhet që të kenë trajtimin e njëjtë, pavarësisht reputacionet që kanë dhe në të hyrat që kanë, pavarësisht ndikimit të tyre politik që kanë, prandaj mendoj se nuk është në rregull ky lloj veçimi apo privilegji përderisa një kohë e ka quajtur njërin nga ata mashtrues për një kohë të shkurtër hero, prandaj është e pakuptimtë që i njëjti person për një kohë kaq të shkurtër të bëhet edhe hero edhe manipulues nuk i ka hije një ode siç është OEK-u", vijoi më tutje ai.

Punëtori i klanit "Pronto"

"Kryetari Safet Gërxhaliu duhet të hetohet për mbrojtjen e personave të inkriminuar, të cilët çdo ditë i shkelin ligjin dhe Kushtetutën. Duke qenë se janë fajtorë, për të shpëtuar pa një ferrë në këmbë, po ua 'lagin fytin' politikanëve të inkriminuar", ka theksuar Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, ka thënë për gazetën "Kosova Sot" se kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, po vazhdon të mbetet në këtë post për shkak se klani "Pronto" dhe vëllezërit Devolli ia kanë mbushur grykën me para, që të punojë për ta dhe klanet e tjera të nëntokës."Nuk është diçka e re kjo që një punëtor sikur Safet Gërxhaliu të punojë me mafio-oligarkët duke i mbrojtur monopolet e tyre antiligjore dhe antikushtetuese kriminale të Devollëve. Gjithashtu, është për keqardhje që kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, po e mbron edhe ish-zëvendëskryeministrin Ramiz Kelmendi, i cili ka qenë në garë për pozitën e kryetarit të OEK-ut, të cilin dikur e quante kriminel, kurse sot e shpall hero të bizneseve", vijoi më tej ai. Sipas Grapcit, që e keqja të jetë edhe më e madhe tash është ish-zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi ai që po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke qenë i akuzuar për vjedhje të rëndë, për vjedhje të energjisë elektrike, ku si pronar i " Elkos-it", sipas Prokurorisë së Kosovës thuhet se Kelmendi e ka dëmtuar KEK-un në shumën 22.801.19 euro.

Shkaktar i përçarjes së bizneseve

"Gërxhaliu ka qenë një shërbëtor i kompanive mafioze dhe kompanive të nëntokës", tha për "Kosova Sot" Florim Rrudhani

Analisti i ekonomisë, Florim Rudhani, tha për "Kosova Sot" se është fat i madh për bizneset e Kosovës që Safet Gërxhaliu nuk ka më të drejtë statutore që të rikandidohet sërish për të parin e OEK-ut, sepse ky është mandati i tij i dytë në këtë post dhe që i përfundon sivjet. "Ajo që do të mbetet përherë në kujtesën e bizneseve vendore për të keq është fakti se Safet Gërxhaliu ka qenë kryetari më përçarës i bizneseve kosovare që ka qenë në këtë post pas lufte, si i pari i OEK-ut. Sepse është e ditur botërisht se Safet Gërxhaliu ka qenë në bashkëpunim vetëm me kompanitë e forta, si ajo e Devollëve, dhe bashkëpunëtor me klanin " Pronto", duke i injoruar publikisht të drejtat e kompanive të mesme dhe të vogla", theksoi ai.

"Ajo që do të mbetet përherë në kujtesën e bizneseve vendore për të keq është fakti se Safet Gërxhaliu ka qenë kryetari më përçarës i bizneseve kosovare, që ka qenë në këtë post pas lufte si i pari i OEK-ut. Sepse është e ditur botërisht se Safet Gërxhaliu ka qenë në bashkëpunim vetëm me kompanitë e forta, si ajo e Devollëve, dhe bashkëpunëtor me klanin 'Pronto', duke i injoruar publikisht të drejtat e kompanive të mesme dhe të vogla", theksoi Florim Rrudhani për "Kosova Sot"

"Oda Ekonomike gjatë këtyre viteve është dashur të bëjë trysni me shumë në qeveritë e vendit me këshilla dhe analiza ekonomike se si duhet të ndikojë në krijimin e një situate më të volitshme që të bëhet biznesi i suksesshëm në vendin tonë, e jo të mbrojë interesin e kompanive të caktuara dhe të jenë në shërbim të tyre", ka thënë Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

Ndërsa ish- deputeti Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se që nga paslufta është fakti se shumë institucione nuk e kanë kryer detyrën e vet, për çka janë themeluar. "Edhe Oda Ekonomike e Kosovës që nga paslufta nuk i ka përmbushur as për së afërmi detyrat dhe obligimet e saja si institucion, që ishte dashur të jetë në funksion të të gjitha bizneseve në mënyrë të pavarur", theksoi ai."Oda Ekonomike e Kosovës duhet që të jetë në shërbim të bizneseve me këshillat dhe veprimet e saja në mënyrë profesionale, që ato të jenë të suksesshme në bizneset e tyre. Oda Ekonomike që nga paslufta, pa marrë parasysh se kush ka qenë në krye të saj, ka bërë shumë pak që të mbrojnë interesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat gjatë këtyre viteve janë ballafaquar me shumë probleme dhe me burokraci nga ana e shtetit", vlerësoi Neziraj.

(Kosova Sot)

6 orë e 28 minuta më parë
20/05/18