Do të rigjykohen vrasësit e dyshuar të ish-presidentit serb

  • 10 February 2018 - 09:39
Do të rigjykohen vrasësit e dyshuar të ish-presidentit serb

Një gjykatë në Beograd do të shqyrtojë mundësinë e rigjykimit të burrave të dënuar për vrasjen e presidentit serb të viteve 1980 Ivan Stamboliq dhe për tentativën për vrasjen e ish-liderit të opozitës Vuk Drashkoviq.

Një mocion për rigjykim i paraqitur nga avokatët për Milorad Ulemekun dhe Branko Bercekun, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen e Ivan Stamboliqit dhe tentativën e vrasjes së Vuk Drashkoviqit në vitin 2007 dhe 2008, duhet të rishqyrtohet për shkak të dyshimeve për prova të reja, vendosi të enjten Gjykata e Apelit në Beograd.

Ulemekut dhe Bercekut, oficerë të lartë nga Njësia Speciale e Antiterrorizmit të Ministrisë së Brendshme Serbe, iu dhanë dënime maksimale me 40 vjet burg.

Mbrojtja e tyre pretendon se Bercek, i cili u dënua si autor i drejtpërdrejtë në tentativën e vrasjes së Drashkoviqit, ka grup gjaku ndryshe nga ai që u gjet në skenën e krimit.

Gjykata Speciale e Beogradit fillimisht e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për rigjykim të çështjes, duke e quajtur atë “jo të plotë”.

Por Gjykata e Apelit njoftoi të enjten se e ka rrëzuar atë vendim, duke thënë se mbrojtjes i duhet dhënë kohë që ta ndryshojë kërkesën e saj.

Ulemek, i njohur gjithashtu si Legija, u dënua edhe me 40 vjet të tjera burg për organizimin në vitin 2003 të vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

Ish-presidenti serb Stamboliq ishte aleat i ngushtë i Millosheviqit, por më vonë u bë një rival i mundshëm politik. Ai u zhduk në gusht të vitit 2000 dhe u mësua pas rënies së Millosheviqit se ai ishte vrasë.

Drashkoviq, lideri i Lëvizjes Serbe për Ripërtëritje, ishte një nga politikanët e përfshirë në protesta kundër Millosheviqit në vitet 1990.

Vuk Cvijiq, një gazetar i specializuar në zbatimin e ligjit dhe krime, tha për BIRN se shpreson që vendimi i ri i gjykatës të jetë marrë për “arsye procedurale” dhe që “askush të mos luajë me vendimin”.

“Ky vendim shqetëson më shumë anëtarët e regjimit të Millosheviqit, sepse ai e ekspozoi të gjithë natyrën kriminale të tij”, tha Cvijiq.

Ai shtoi se vendimi përcaktoi se Millosheviqi, i cili u rrëzua me anë të protestave masive në vitin 2000, urdhëroi vrasje politike të kryera nga shërbimi sekret, të ndihmuar nga ushtria dhe bandat e organizuara kriminale.

(Kosova Sot)