Gjykata rrëzon kërkesën në gjykimin e ish-drejtorit të bankës ekonomike - Lajme - Kosova Sot
Gjykata rrëzon kërkesën në gjykimin e ish-drejtorit të bankës ekonomike

Gjykata rrëzon kërkesën në gjykimin e ish-drejtorit të bankës ekonomike

Në gjykimin e ish-drejtorit të Bankës Ekonomike Valon Lluka si dhe menaxherit të kësaj banke Memli Saraqini u vendos që si dëshmitar të ftohet një ekspert financiar për ta përcaktuar ekzistimin e dëmit material dhe lartësisë eventuale të tij të cilin pretendohet se të akuzuarit ia kanë shkaktuar kësaj banke.

Një propozim i tillë erdhi nga mbrojtësi i Valon Llukës, avokati Besnik Berisha, i cili në procedurën e plotësimit të provave kërkoi që Gjykata të kërkonte nga Banka Ekonomike të konfirmonte nga librat e tyre financiarë nëse si rezultat i dy garancioneve për të cilat prokuroria pretendon se Valon Lluka e ka urdhëruar Memli Saraqinin, menaxher në Bankën Ekonomike, t’i lëshonte në dobi të firmës “Kulla Exim”, të vërtetohej fakti nëse kjo bankë me rastin e lëshimit të atyre dy garancioneve të ketë pësuar humbje materiale.

“Kërkesa jonë është që gjykata t’i drejtohet Bankës Ekonomike me kërkesën për të konfirmuar nga librat e tyre financiarë nga pasqyra e tyre financiare nëse si rezultat i këtyre garancioneve për “Kulla Exim” kjo bankë ka pësuar humbje materiale, po ashtu si rezultat i lëshimit të këtyre dy garancioneve të konfirmohet se sa ishte profiti i bankës në raport me “Kulla Exim”, relevanca e kësaj rezulton me faktin se në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se me rastin e lëshimit të këtyre dy garancioneve klienti im së bashku me kolegun e tij i kanë mundësuar “Kulla-Exim”-it që të përfundojë dobi pasurore të kundërligjshme sipas tyre me shumën e garancionit të pa regjistruar”, deklaroi avokati Berisha.

Ky propozim i avokatit u kundërshtua nga prokurori Kujtim Munishi.

“E kundërshtoj propozimin pasi që kjo provë tregon qe me vetë faktin se regjistrimi i garancionit bankar për klientin në sistemin e bankës dhe regjistrimin e kredive është regjistruar dhe raportuar dy mijë euro sipas vendimit të komitetit kreditor ndërsa shuma prej tre mijë eurove është mbuluar me hipotekë dhe garantues dhe që nuk ka qenë e lejuar dhe praktikë e Bankës Ekonomike lë për të kuptuar se këtu kemi pasur humbje dhe dëm i cili i është shkaktuar bankës”, tha prokurori Munishi.

Ndërsa më pas edhe trupi gjykues e refuzoi propozimin e avokatit Berisha me arsyetimin se dëmi material nuk është elementi qenësor i veprës penale për të cilën akuzohet Valon Lluka.

“Sa i përket propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Valon Lluka, Avokatit Besnik Berisha me shumicë votash trupi gjykues ka marrë aktvendim që nuk është e nevojshme sigurimi i pasqyrave financiare nga Banka Ekonomike me arsyetimin që dëmi material nuk është element qenësor i veprës penale”, tha kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri.

Kurse avokati Besnik Berisha tha se me anë të kësaj prove mbrojtja po mundohet që t’i provojë gjykatës nëse kanë ekzistuar favore për firmën “Kulla Exim” dhe nëse po, cilat kanë qenë ato.

“Ajo çfarë ne po synojmë me i provu gjykatës është pretendimi i parashtruar në aktakuzë se kinse klienti im i ka krijuar favore firmës “Kulla Exim” dhe vetë vetës, kjo është çfarë neve na duhet opinioni i Bankës Ekonomike për të parë se nëse kanë ekzistuar favoret kanë qenë për “Kulla Exim” ose cilat favore i ka pasur menaxhmenti, kjo është e vetmja mënyrë për të ofruar mbrojtje efektive dhe e drejta e secilit të akuzuar për të propozuar prova në raport me mbrojtjen e tij”, shtoi tutje avokati Berisha.

Po ashtu avokati tha se në bazë të dispozitivit të aktakuzës i mbrojturi i tij akuzohet për një vepër e cila është parashkruar që dy vite si dhe i apeloi Gjykatës që ta pushojë ndjekjen penale ndaj të mbrojturit të tij.

“Prokuroria ka bërë ri cilësim të veprës penale i cili nuk është ligj i favorshëm siç pretendohet në aktakuzë në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale ligji i zbatueshëm ka qenë kodi i përkohshëm penal i cili për veprën në objekt të aktakuzës ka paraparë dënim me gjobë apo dënim me burgim deri në një vit prandaj meqë kemi të bëjmë me një vepër të parashkruar dhe parashkrimi është arritur që dy vite ne i apelojmë gjykatës që këtë procedurë ta ndalojë qysh tani se dhe sikur të ishin plotësuar elementet tjera”, deklaroi avokati.

Edhe pse edhe më tutje një propozim i tillë u kundërshtua nga prokurori Munishi, trupi gjykues pas konsultimit për të dytën herë radhazi mori aktvendim me të cilin u aprovua kërkesa e mbrojtësit të Valon Llukës, Avokatit Besnik Berishës.

“Bazuar në këto rrethana të reja e për të cilat rrethana parashihet dëmi si element cilësues i ekzistimit të kësaj vepre penale, trupi gjykues bie aktvendim të caktohet eksperti financiar i cili do të urdhërohet për ta përcaktuar ekzistimin e dëmit material dhe lartësisë eventuale të saj”, tha kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri.

Valon Lluka, ish-drejtor gjeneral i Bankës Ekonomike, dhe Memli Saraqini, menaxher i kësaj banke, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës Valon Lluka në cilësinë e drejtorit të Bankës Ekonomike, e ka urdhëruar të akuzuarin Saraqini që në dobi të firmës “Kulla Exim” të lëshojë garancion bankar në vlerë prej 500.000 euro.

Në bazë të aktakuzës, të akuzuarit në regjistrin e kredive e kanë regjistruar garancionin bankar në vlerë prej 200.000 euro, ndërkaq shumën prej 300.000 euro e kanë fshehur.

(Kosova Sot)

3 orë e 52 minuta më parë
24/09/18