Pozitë e opozitë flasin për idenë e Limajt për demarkacionin - Lajme - Kosova Sot
Pozitë e opozitë flasin për idenë e Limajt për demarkacionin

Pozitë e opozitë flasin për idenë e Limajt për demarkacionin

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, është prej çështjeve që mbetet temë kryesore e institucioneve tona. Megjithatë, po zvarritet me vite edhe pse është njëri prej kushteve për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.

 

Së fundi është zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili ka zhvilluar një takim në Mal të Zi dhe thotë se ka një ide për zgjidhjen e këtij problemi.

Ai thotë se beson që në rast se të dy qeveritë, e Kosovës dhe Malit të Zi, tregojnë gatishmëri për korrigjimin e gabimeve eventuale, gjithmonë duke u bazuar në marrëveshjen e arritur, atëherë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kosova nuk do të duhej të paraqiste problem.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Limaj, ka shpjeguar se e gjithë kjo ide ende është duke u diskutuar me partnerët brenda Qeverisë së Kosovës.

Limaj: Ka mundësi që ende të gjejmë zgjidhje

“Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës ka mundësinë që të punojë ende së bashku me Qeverinë e Malit të Zi të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, e cila nuk do të prekte interesat e asnjërit vend, do të respektoheshin interesat e dy vendeve…Ka hapësirë të mjaftueshme që dy qeveritë tona t’i marrin zotimet dhe obligimet për të përmirësuar dhe korrigjuar çdo pikë, aty ku vlerësohet se ka lëshime apo gabime gjatë asaj marrëveshjeje, dhe aty ku gabime të korrigjohen, nëse ka”, ka shtuar ai.

E shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se nuk kanë parë ndonjë version tjetër për demarkacionin dhe se krejt çka ka parë për propozimin e Limajt, është ai që ka dalë në media, pasi që nuk janë ftuar nga askush dhe as nga Limaj që të diskutohet në lidhje me idenë e tij, për zgjidhjen e këtij problemi.

Konjufca: S’kemi parë asnjë version të sjellë në Kuvend

“Ne nuk kemi parë asnjë version të sjellë në Kuvendin e Kosovës, i cili do të ndryshonte prej versionit të mëparshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të zotit Meha dhe komisionit të tij shtetëror. Krejt çka dimë është puna e një komisioni tjetër, i cili ka shkruar një raport, të cilin na kanë prezantuar si deputet dhe i cili ka të gjetura, të cilat tregojnë se puna e komisionit paraprak të Meha ka bërë shkelje dhe gabime të mëdha dhe se këto duhet të përmirësohen dhe mos të votohet një version i cili është sjellë në Kuvend të Kosovës, në kohen e Qeverisë Mustafa dhe i cili është nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Skënder Hyseni. Vetëm ai version është në Kuvendin e Kosovës. Ta zëmë as nuk jemi ftuar nga z. Limaj apo kushdo që ka menduar për një zgjidhje tjetër, nuk jemi ftuar në ndonjë tryezë apo tavolinë bisedimesh, për ta shqyrtuar se ku është ideja e tij, krejt çka kam parë është në media, që z. Limaj ka thënë se e ka një zgjidhje por zgjidhje të cilën nuk e ka biseduar me askënd nga opozita dhe me forcat tjera politike”, tha ai.

Ai thotë se janë të gatshëm të bisedojnë me këdo që mendon që demarkacioni duhet të diskutohet, por është i bindur që versioni aktual duhet të rrëzohet.

Konjufca: Jemi të gatshëm të diskutojmë për demarkacionin

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me këdo që mendon që demarkacioni duhet të diskutohet. Të ulemi paraprakisht, përpara se ai të vijë në seancë sepse unë mendoj që ky version i demarkacionit, nëse veç kalon dhe vie në seancë, ai duhet gjithsesi të rrëzohet nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai. .

Edhe Ahmet Isufi nga AAK thotë se së pari duhet të vie në Kuvend, versioni i parë i demarkacionit dhe ai të rrezohet dhe të fillojnë procedura të reja. Ndërsa i pyetur për idenë e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, thotë se improvizimet nuk janë të mira në këtë rast.

Isufi: Improvizimet nuk janë të mira

“Në Kuvend duhet të vijë varianti i parë i komisionit të qeverisës së kaluar, të rrëzohet në Kuvend dhe të filloj procedura për një vlerësim të saktë të territorit të Kosovës me Malin e Zi. Pastaj të dy qeveritë të ulen dhe ta shqyrtojnë këtë nëse nuk ndodh ndonjë pajtim, atëherë do të shkoj në arbitrazh.. Ka pasur ide të ndryshme por nuk kanë vlejtur për shkak se deputetët janë të vetëdijshëm që Kosova ka humbur tokë, sa i përket variantit të parë, prandaj improvizimet nuk janë të mira në këtë rast”, tha ai.

Në LDK vazhdojnë të bëjnë thirrje që versioni aktual i demarkacionit të procedohet në Kuvend dhe të miratohet. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se LDK e mbështet plotësisht këtë marrëveshje.

Hoti: LDK e mbështet plotësisht demarkacionin

“Ne presim dhe kërkojmë që shumë shpejtë të procedohet në Kuvendin e Kosovës marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. LDK e mbështet këtë marrëveshje plotësisht. Ne jemi të vendosur që menjëherë pas votimit të demarkacionit Qeveria të jap dorëheqje”, tha ai.

(Kosova sot)

11 orë e 0 minuta më parë
23/09/18