Qarri: Bisedimet me Serbinë ishin aq të paqarta dhe nënçmuese

  • 10 February 2018 - 13:21
Qarri: Bisedimet me Serbinë ishin aq të paqarta dhe nënçmuese

"Të gjitha zhvillimet e deritanishme flasin qartë se pa shkarkimin e gjithë kësaj kaste aktuale politike nga pushteti dhe pozitat udhëheqëse të Kosovës jo vetëm se nuk do të ketë ndryshim të qasjes në bisedimet me Serbinë, por edhe vendi nuk mund të shkojë përpara, as të arrijë sukses në asnjë drejtim", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

Sipas analistit politik Gani Qarri, bisedimet me Serbinë ishin aq të paqarta dhe nënçmuese saqë jo vetëm dëmtuan shumë perspektivën e vendit tonë, por ngulfatën tërë jetën në Kosovë. Ai thotë se fatkeqësisht dialogu i zhvilluar deri më tani bllokoi ecjen përpara të Kosovës dhe ndihmoi njëanshëm, vetëm Serbinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, sepse u shfrytëzua vetëm për interesat personale të presidentit të tanishëm Hashim Thaçi.

"Që në nisje të këtyre bisedimeve, negociatat me Serbinë filluan nga një pozicion tepër nënshtrues për Kosovën, madje vetë Hashim Thaçi bëri koncesione aq të dëmshme për vendin sa që masakroi keq edhe Pavarësinë tonë, duke e hijezuar atë me fusnotë, rast i paprecedent ky, i cili nuk haset tek asnjë shtet tjetër, çfarëdo qoftë fuqia e tij si vend dhe lloji i bisedimeve bilaterale që ai mund të zhvillojë me shtetet tjera përreth. Për popullin e Kosovës, në krejt këtë histori të bisedimeve, tërësisht jotransparente, shumica e marrëveshjeve jo vetëm se nuk janë realizuar asnjëherë nga Serbia, por ishin dhe mbeten vetëm gjysmake", u shpreh ai.

Sipas tij, pasi që dialogu i deritanishëm nuk dha rezultatet e pritura, për qytetarët e vendit mbetet e pakuptueshme se pse një dialog pa efekt dhe të cilit nuk i dihet fundi medoemos duhet të vazhdojë edhe më tej."Nga krejt ajo që kemi parë deri më tani, delegacionit kosovar, gjatë gjithë këtyre viteve i ka munguar tërë- sisht vendosmëria për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës, madje nuk ka informata se nga përfaqësuesit e shqiptarëve të jetë tentuar ndonjëherë që me Serbinë të negociohet si dy shtete të pavarura, siç është në të vërtetë edhe Kosova shtet, tash e dhjet vite me radhë. Shto kësaj, përpjekjet pa u ndalur të Serbisë që përmes dialogut ta luftojë pareshtur shtetësinë e Kosovës bllokojë njohjet e reja dhe pengojë anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, veprimet e tilla të zyrtarëve më të lart serbë ia humbin tërësisht kuptimin këtij dialogu, ndaj nga qytetarët dhe nuk mund të kuptohet realisht se pse në të vërtetë Kosova duhet medoemos që edhe më tej të negociojë me Serbinë", tha Qarri për "Kosova Sot".

Ai pohon se arsyeja e vetme e mbajtjes gjallë të këtyre bisedimeve është synim vetëm i liderëve të diskredituar të Kosovës."Fatkeqësisht, që kur njerëz të tillë uzurpuan të gjitha majat e pushtetit në vend, dëmet dhe pengesat, nuk u kufizuan vetëm në bisedimet nënçmuese me Serbinë, por u reflektuan me të madhe edhe në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit, si Parlamenti i Kosovës, i cili asnjëherë nuk arriti ta ushtronte rolin e vet si organi më i lartë mbikëqyrës i punës së qeverive dhe të presidentit, përfshirë këtu edhe dialogun e paqartë me shtetin serb", vlerësoi Qarri.

(Kosova Sot)