Kapiti: VETTING-u, i domosdoshëm

  • 10 February 2018 - 13:47
Kapiti: VETTING-u, i domosdoshëm

 

"Fajin a ka për gjendjen e drejtësisë në Kosovë edhe vetë BE-ja, pasi nuk e dëshiron as ajo seriozisht integrimin e shqiptarëve në BE-ja dhe prej kësaj djallëzie evropiane u jepet shansi dhe inkurajohet krimi, korrupsioni dhe padrejtësia si në Shqipëri ashtu edhe në Kosove", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Analisti politik Skënder Kapiti vlerëson se kritikat e fundit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Kosovë vërtetojnë plotë- sisht kritikat dhe konstatimet reale që ka bërë gazeta "Kosova Sot" , gazetarët e saj, opinionistët, analistët politikë dhe profesionistë të sferës së drejtësisë vazhdimisht dhe pandërprerë, e që drejtësia e dirigjuar nga politika nuk i ka marrë seriozisht.

Sipas Kapitit, këto ndryshime rrënjësore zor se do të mund të vijnë pa zgjimin e qytetarëve në protesta edhe kundër drejtësisë së kapur. " Por, fatkeqësisht, nuk ka akoma në Kosovë një lëvizje apo protestë të mirëfilltë qytetare, e cila duhet të ngrihet kundër këtij sistemi të kriminalizuar dhe të korruptuar politiko-juridik, i kapur nga mafio-oligarkia. Nëse BE-ja vendos sanksione për Kosovën për faj të sistemit të kapur dhe të korruptuar të drejtësisë, pasojat e kësaj embargoje nuk i vuajnë politikanët dhe as gjyqtarët, por i vuajnë qytetarët shqiptarë. Është për t'u habitur me indiferencën e shqiptarëve si në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi atyre u thuhet troç dhe drejtpërdrejt se as Shqipëria dhe as Kosova nuk integrohen në BE për shkak të mosndërtimit të shtetit ligjor dhe të mosfunksionimit të tij dhe për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit dhe pavarësisht këtyre populli nuk reagon", vijoi më tutje ai.

"Mos ta presin shqiptarët ndryshimin në favor të tyre nga ky sistem drejtësie, mos të presin se të kriminalizuarit dhe të korruptuarit, hajdutët dhe tradhtarët, do ta bëjnë ndryshimin duke ndëshkuar veten e tyre. Shqiptarët duhet të protestojnë dhe të kërkojnë miratimin e një Ligji të VETTING-ut si në Shqipëri, VETTING i kontrolluar dhe nën një monitorim të rreptë nga SHBA-ja deri edhe sikur të jetë i thellë si një protektorat deri në ndërtimin e një shteti modern në Kosovë. Vetëm kështu dhe po të veprohet e të arrihet kjo, atëherë do t'u mbyllet goja edhe institucioneve të BE-së, segmenteve të caktuara fanatike antishqiptare në gjirin e saj", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

Sipas tij, po të anëtarë- soheshin Shqipëria dhe Kosova në BE automatikisht dhe detyrimisht edhe në Shqipëri dhe Kosovë do të funksiononin mirë shteti ligjor dhe demokracia, shumë lehtë do të dekriminalizoheshin edhe politika dhe drejtësia.

(Kosova Sot)