Kambanat e BE-së hasin NË VESHËT E SHURDHËR - Lajme - Kosova Sot
Kambanat e  BE-së hasin NË VESHËT E SHURDHËR

Kambanat e BE-së hasin NË VESHËT E SHURDHËR

KRITIKA TË ASHPRA NË RAPORTIN E FUNDIT PËR KOSOVËN

KELMENDI: Që të kemi profesionalizëm në Prokurori dhe në Gjyqësor kërkohet riorganizimi dhe spastrimi i tërë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

"Kritikat e ditëve të fundit nga BE-ja janë vetëm një 'shuplakë' e lehtë për KGJK-në e KPK-në, përderisa flakaresha më e rëndë po u jepet padrejtësisht qytetarëve të vendit me getoizim të mëtutjeshëm për faj të dështimit dhe 'kapjes' së Gjyqësorit dhe Prokurorisë së Kosovës nga politika dhe mungesa e vullnetit për të lënë të funksionojë një drejtësi e pavarur e profesionale. Paralajmërimet e fundit të BE-së janë më se të qarta, ajo do t'i mbajë dyert e mbyllura për Kosovën, përderisa sistemi i drejtësisë të jetë i kontrolluar nga interesat politike dhe nuk guxon të luftojë korrupsionin e krimin e organizuar në profilet e larta politike dhe mafiooligarkike", u shpreh Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Analistët politikë dhe ekspertët e fushës së të drejtës po e shohin si shumë serioze shuplakën e BE-së drejtuar institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, KGJK-së e KPK-së, madje duke vlerësuar se pikërisht për shkak të papërgjegjësisë së këtyre institucioneve, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, BE po i ndëshkon qytetarët e Kosovës, për faj të dështimit dhe "kapjes" së Gjyqësorit dhe Prokurorisë së Kosovës nga politika.

Ekziston bindja e fuqishme sipas së cilës edhe për një kohë të gjatë BE-ja do t'i mbajë dyert mbyllur për Kosovën, përderisa sistemi i drejtësisë është i kontrolluar nga interesat politike dhe guxon ta luftojë korrupsionin e krimin e organizuar te profilet e larta politike dhe mafiooligarkike. Ana tjetër e këtij ndëshkimi do jetë edhe për faktin se akoma KGJK-ja dhe KPK-ja po hezitojnë të bëjnë një pastrim paraprak para ligjit të VETTING-ut, të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë etikë e profesionalizëm dhe nuk kanë pasur performancë dhe po i shërbejnë politikës.

"Hapi i munguar i KGJK-së dhe KPK-së për të bërë pastrimin e parë dhe paraprak të Ligjit të VETTING-ut, përveçse do të vazhdojë ndëshkimi i qytetarëve nga BE-ja, do të jetë një ndëshkim paralel edhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm me etikë profesionale që nuk janë në shërbim të politikës së inkriminuar kosovare", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Sipas analistit Florim Zeqa, nuk është hera e parë dhe as që do të jetë e fundit kur BE-ja adreson kritika të ashpra ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë."Kritikat e ditëve të fundit nga BE-ja janë vetëm një "shuplakë" e lehtë për KGJK-në e KPK-në, përderisa flakaresha më e rëndë po u jepet padrejtësisht qytetarëve të vendit me getoizim të mëtutjeshëm për faj të dështimit dhe "kapjes" së Gjyqësorit dhe Prokurorisë së Kosovës nga politika dhe mungesa e vullnetit për të lënë të funksionojë një drejtësi e pavarur e profesionale. Paralajmërimet e fundit të BE-së janë më se të qarta, ajo do t'i mbajë dyert e mbyllura për Kosovën përderisa sistemi i drejtësisë të jetë i kontrolluar nga interesat politike dhe nuk guxon të luftojë korrupsionin e krimin e organizuar në profilet e larta politike dhe mafio-oligarkike", u shpreh Zeqa për "Kosova Sot".

VETTING-u, i domosdoshëm

"Fajin a ka për gjendjen e drejtësisë në Kosovë edhe vetë BE-ja, pasi nuk e dëshiron as ajo seriozisht integrimin e shqiptarëve në BE-ja dhe prej kësaj djallëzie evropiane u jepet shansi dhe inkurajohet krimi, korrupsioni dhe padrejtësia si në Shqipëri ashtu edhe në Kosove", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Analisti politik Skënder Kapiti vlerëson se kritikat e fundit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Kosovë vërtetojnë plotë- sisht kritikat dhe konstatimet reale që ka bërë gazeta "Kosova Sot" , gazetarët e saj, opinionistët, analistët politikë dhe profesionistë të sferës së drejtësisë vazhdimisht dhe pandërprerë, e që drejtësia e dirigjuar nga politika nuk i ka marrë seriozisht.

Sipas Kapitit, këto ndryshime rrënjësore zor se do të mund të vijnë pa zgjimin e qytetarëve në protesta edhe kundër drejtësisë së kapur. " Por, fatkeqësisht, nuk ka akoma në Kosovë një lëvizje apo protestë të mirëfilltë qytetare, e cila duhet të ngrihet kundër këtij sistemi të kriminalizuar dhe të korruptuar politiko-juridik, i kapur nga mafio-oligarkia. Nëse BE-ja vendos sanksione për Kosovën për faj të sistemit të kapur dhe të korruptuar të drejtësisë, pasojat e kësaj embargoje nuk i vuajnë politikanët dhe as gjyqtarët, por i vuajnë qytetarët shqiptarë.

Është për t'u habitur me indiferencën e shqiptarëve si në Shqipëri dhe në Kosovë, pasi atyre u thuhet troç dhe drejtpërdrejt se as Shqipëria dhe as Kosova nuk integrohen në BE për shkak të mosndërtimit të shtetit ligjor dhe të mosfunksionimit të tij dhe për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit dhe pavarësisht këtyre populli nuk reagon", vijoi më tutje ai.

"Mos ta presin shqiptarët ndryshimin në favor të tyre nga ky sistem drejtësie, mos të presin se të kriminalizuarit dhe të korruptuarit, hajdutët dhe tradhtarët, do ta bëjnë ndryshimin duke ndëshkuar veten e tyre. Shqiptarët duhet të protestojnë dhe të kërkojnë miratimin e një Ligji të VETTING-ut si në Shqipëri, VETTING i kontrolluar dhe nën një monitorim të rreptë nga SHBA-ja deri edhe sikur të jetë i thellë si një protektorat deri në ndërtimin e një shteti modern në Kosovë. Vetëm kështu dhe po të veprohet e të arrihet kjo, atëherë do t'u mbyllet goja edhe institucioneve të BE-së, segmenteve të caktuara fanatike antishqiptare në gjirin e saj", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

Sipas tij, po të anëtarë- soheshin Shqipëria dhe Kosova në BE automatikisht dhe detyrimisht edhe në Shqipëri dhe Kosovë do të funksiononin mirë shteti ligjor dhe demokracia, shumë lehtë do të dekriminalizoheshin edhe politika dhe drejtësia.

Kërkohet riorganizim i sistemit 

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, vlerëson se çështja e një organizimi të sistemit juridik nuk fillon dhe nuk përfundon vetëm këtu, sepse nuk mundet sistemi i drejtësisë, përkatësisht prokuroria dhe gjyqësori, të funksionojnë në bazë të ligjit, nëse pushteti politik dhe policia nuk funksionojnë ashtu, sepse të gjitha këto mekanizma shkojnë bashkërisht.

"Në këtë gjendje duhet të kemi një ligj që bën spastrimin e politikës nga të korruptuarit, armiqtë e kombit dhe të shtetit, si dhe nga kriminelët, të cilët e kanë politikën, pushtetin në dorë dhe e diktojnë punën e policisë, të prokurorisë dhe të gjykatave në Republikë. Natyrisht se që të kemi profesionalizëm në Prokurori dhe në Gjyqësor kërkohet riorganizimi dhe spastrimi i tërë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës", u shpreh ai.

"Këtu kemi njerëz të regjimit pushtues, të korruptuar dhe tërësisht të paaftë në punën e vet juridike. Ne jemi dëshmitarë se si u akuzua edhe kryeprokurori i shtetit dhe ai mbahet nga presidenti, thjesht pse është vegël. Kjo për fat të keq është gjendje e njëjtë edhe në KGJK. Këtu ka elementë të ndryshëm, që vijnë nga ish-regjimi dhe të cilët janë korruptuar dhe vënë nën shërbimin e politikës", vijoi më tutje Kelmendi.

"Nga KGJK e KPK kërkohet të riorganizohen me një konkurs të ri dhe të përcjellë me transparencë zgjedhja e tyre. Duke bërë këtë e krijojmë bazën juridike për spastrimin e Prokurorisë në vend dhe të Gjyqësorit. Përndryshe, me strukturën e njëjtë, edhe nëse miliona e miliona euro u jep Qeveria, ky sistem vetëm trashet në korrupsion", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Me shtet të kapur ka vetëm dështime

 

Pa një sundim efikas të ligjit e drejtësi krejtësisht të pavarur, rruga për në BE do të jetë e mbyllur për Kosovën edhe sipas analistit Naim Kelmendi.

"Në vazhdimësi janë evidente kritikat në raportet e BE-së për Kosovën ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, mbase këto kritika të BE-së do të duhej marrë seriozisht KGJK-ja dhe KPK-ja për reforma shumë të thella në funksion të sundimit të ligjit në vend, në të kundërtën me sistemin e drejtësisë së kapur dhe pa sundim të rendit dhe ligjit zor se jemi afër hyrjes në BE", u shpreh ai.

"Fatkeqësisht sikur këto kambana të BE-së ende nuk po e trandin mendjen dhe vullnetin e politikës së inkriminuar nga "kapja" e Gjyqësorit dhe Prokurorisë së Kosovës për ta lënë më në fund në funksion një drejtësi të pavarur e profesionale dhe në integritetin e saj", ka thënë Kelmendi për "Kosova Sot".

"Pa pastrimin total të drejtësisë nga ndikimi politik dhe i nëntokës, që e them se janë të njëjtit njerëz, nuk do të ketë kurrë drejtësi juridike shtetërore dhe ligjore në Kosovë dhe për këtë pasojë do të ndëshkohet qytetari i Kosovës duke qenë ndër të vetmit qytetarë të izoluar në mes të Evropës", tha Naim Miftari.

Eksperti tjetër i fushës së të drejtës dhe sigurisë, Naim Miftari, thotë se derisa ta kemi një shtet të kapur kaq thellë nga politika e lidhur me krimin, që dirigjon edhe drejtësinë dhe pjesën dërmuese të medieve, atëherë është shumë hipotetikë të flitet se kur do ta kemi rrugën e hapur për në BE dhe shtetin ligjor.

"Dhe në këtë rrafsh më duhet ta them se nga aspekti medial këtë fakt po e potencon vazhdimisht vetëm gazeta "Kosova Sot", sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në organet e drejtësisë dhe të shtetit, që është bërë një pishtar i vetëm dhe shembull i mirë i gazetarisë reale, por edhe neutrale në punën e saj", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

Sipas tij, ky është shembull model për të tjerët, kur dihet se mbi 95% të medieve, shtypin dhe televizionin i ka në duar pushteti dhe politika e korruptuar në Kosovë.

(Kosova Sot)

16 orë e 32 minuta më parë
19/09/18