"Berisha dhe Rama kanë marrë lekë duke shitur vdekjen e tyre të parakohshme"

  • 10 February 2018 - 21:48

Avokat Spartak Ngjela njihet si ndër njerëzit më mbështetës të Reformës në Drejtësi, ndërsa shumë herë kë denoncuar edhe publikisht personat që do të hetohen për korrupsion.

Në një status të gjatë mbrëmjen e sotme, ka denoncuar atë që ai e quan ‘korrupsion kryeministror’, duke shtuar se si ish-kryeministri Sali Berisha po ashtu edhe kryeministri Edi Rama do të përgjigjen para drejtësisë.

Reagimi i Ngjelës

Korrupsioni i lartë shtetëror kryeministror në Shqipëri, ka kaluar nga frika tek e frikëshmja.

l.

Tani shihet se procesi i trembjes tërësore i të korruptuarve të mëdhenj në Shqipëri, i ka kaluar përmasat e parandjenjës dhe të frikës që vjen nga dyshimi. Ky proces tashmë ka kaluar nga frika tek e frikëshmja.

Frika është abstrakte, ajo qëndron brenda njeriut nga mendimi ose dyshimi se diçka e keqe mund t'i ndodhë, kurse e frikëshmja është konkreteja që të është shfaqur si rrezik i dukshëm; njëlloj si ajo dallnga e madhe e cunamit që ti e sheh nga larg dhe ke vetëm duart për ta përballuar.

Politika amerikanë pardje deklaroi hapur se Reformën në Drejtësi nuk e duan të gjitha palët politike në Shqipëri.

Ky konkluzion amerikan është një fitore e madhe për garancinë e Reformës në Shqipëri; sepse tani Rama nuk luan dot më me dy porta, dhe, më në fund, marrëveshja e tij me Berishën dhe Bashën tani duket se ka falimentuar.

Vetëm një i sëmurë për pushtet dhe bosh nga koka; që nuk ia ka haberin arsyes shtetërore, vetëm një i tillë mendon se do mbijetojë në politikë duke iu shmangur amerikanëve dhe perëndimorëve, dhe t'i rropasë shqiptarët si Enver Hoxha, për pushtetin e tij të korruptuar. Gjithë duke menduar se mund të marrë para në Stamboll apo në Moskë, dhe për t'i mbajtur shqiptarët në mbijetesë.

Rama i ka hyrë detit në këmbë dhe zbathur është nisur për në Stamboll e në Moskë.

Edhe Saliu duket se këtë ka si shpresë. 

Sigurisht që, Sanço Pançoja, e ka drejtuar më mirë Gubernën e tij. Është për të qeshur me këta komedinë të Enver Hoxhes.

ll.

Ndërkohë u formua edhe KLP edhe KLGJ. Kjo do të thotë se më në fund shumë shpejt do të shohim të ngritura edhe Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Speciale anti-korrupsion. Kuptohet se korrupsioni kryeministror tani hyri më në fund në procesin e likuidimit të tij.

As mos ju shkojë mendja se mund të ketë korrupsion shtetëror pa kryeministrin. Shqipëria vuan sot marrëzinë korruptive të katër kryeministrave radhë. Në fakt që të katër shpejt do t'i shihni që historia, me fakte, do t'i karakterizojë si basifondi i pështirë shqiptar.

Dhe shenjën e parë e dha arresti i dy drejtorëve të mëdhenj të rrugëve.

Hetimi kuptohet se ka filluar nga rrënjët për të dalë te trungu kryeministror.

ll.

Të dy drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve; duke u nisur nga vetë niveli i tyre, provojnë seata vetë janë fakti i korrupsionit kryeministror në Shqipëri. Dhe provat sot janë të plota.

Do të jetë një turp historik për qeverisjen shqiptare që iu ka lënë në dorë rreth një miliardë e gjysmë Euro dy individëve krejt të panjohur, të paaftë në profesion dhe pa asnjë personalitet shoqëror.

Po pikërisht ama, ky është edhe fakti që provon se ata dy derdimenë të burgosur tashmë, kanë punuar për ministrat dhe kryeministrat e tyre. Si mendoni ju; a do të mund ta vidhnin shtetin kryeministrat me njerëz me personalitet? Kurrë!

Po, këta njerëz anonimë janë drejtorët e arrestuar, pa të cilët nuk mund të funksiononte korrupsioni kryeministror.

Ja pra, prandaj mos u habisin nga dëshira e këtyre kryeministrave të marrosur ndaj paaftësisë absolute dhe injorancës që këta thërrasin në drejtim.

Pse, a nuk e vrau Enver Hoxha gjithë intelektin e madh shqiptar me injorancën që urrente dijen e lartë?

Mendoni se ka ndonjë ndryshim Berisha dhe Rama? Asnjë ndryshim në thelb, vetëm se Hoxha e thërriste injorancën për të vrarë kundërshtarët që, me frikë pastaj, të mbante pushtetin e tij patologjik; kurse, këta të dy, e thërrasin injorancën në drejtim që të vjedhin paratë e popullit dhe me to të mbajnë apo të marrin pushtetin.

E pra, ku kemi shkuar? Asgjëkundi.

Por tani gjithçka mori fund: politika amerikane ka marrë kushtetutën e Shqipërisë. Dhe korrupsioni kryeministror ka falimentuar në Shqipëri. Në organet e specializuara ai po bën likuidimin.

Janë identifikuar edhe paratë edhe pronat e korrupsionit të lartë shtetëror.

Kurse këta ende mendojnë se mund të bllokojnë kushtetutën për të bllokuar Reformën.

Mendje më fëminore nuk mund të ketë!

lll.

Tani që do shihet nga hetimi se cilët janë dy personat që kanë qarkulluar miliardat e shqiptarëve të varfër për rrugët, të gjithë do ta kuptojnë se kush është Sali Berisha dhe kush është Edi Rama. 

Por ky do të jetë vetëm fillimi. Keni shumë për të parë dhe për të dëgjuar.

Si fillim, gjithçka do të konstatohet gjatë gjyqeve dhe rrëfimeve të tyre, sepse janë mbledhur të gjitha provat, sigurisht jo për këta, por për kryeministrat dhe ministrat e tyre, se, pa këta mediokër të prirë ndaj vjedhjes, kuptohet se nuk mund të bënin dot gjë kryeministrat.

Por, të gjashtë personat: dy drejtorë të përgjithshëm, dy ministra dhe dy kryeministra do t'i shihni se si do ta hedhin me "kokën lart" vallen e turpit.

Po ku kanë turp këta dallkaukë!

Këta janë dy kryeministra që i urrejnë deri në vdekje shqiptarët, pikërisht se i kanë grabitur varfërisë ekstreme të shqiptarëve gati një miliardë e gjysmë dollarë vetëm me rrugët.

Por mos mendoni se kanë kaluar në parajsë me vjedhjet e tyre; tani kanë marrë rrugën për në ferr, dhe janë mu te pragu i tij.

Pse, si mendoni Ju, a mund të ketë në Europë një kryeministër që ti japë 800 milionë Euro një njeriu anonim, një farë Andi Toma, që nuk ka bërë asgjë për këtë vend; që akush nuk e njeh dhe që vetë shtypi e kontakton vetëm kur ky arrestohet?

Edhe kjo sigurisht që është një provë e plotë e korrupsionit kryeministror Berisha.

Pse, si mendoni ju, a mund të ketë në Europë një kryeministër që t'i japë mbi 700 milionë Euro, një njeriu anonim si Dashamir Xhika që askush nuk di se çfarë ka bërë, por që sigurisht që i duhet një kryeministri me ligësi të brendshme si Edi Rama që me këtë mediokër të përvetësojë paratë e shqiptarëve.

lV.

Ja, që të dy drejtorët e arrestuar janë prova e saktë e banditizmit kryeministror shqiptar në dymbëdhjetë vjetët e e fundit. Por nuk se janë provat e vetme.

Si mendoni ju, mund të tolerohet më një ministër shëndtesie si një farë Beqja, Beqja që pasurohet me vdekjen e parakohëshme të shqiptarëve, dhe këtë nuk e di kryeministri i tij? 

Si mendoni ju se gjithë kjo ligësi antishoqërore është vepër e një ministri basketbollist, apo është vepër direkte e një kryeministri sadist që i shet vdekjen e parakohëshme një shoqërie të varfër, dhe ndjen kënaqësi me budallaqet që iu imponon injorantëve bashkëpunëtorë që e dëgjojnë gojëhapur se marrin edhe ata diçka nga thërrimet e sadizmit të tij që akumulon para?

Dhe jo vetëm kaq: a e shihni sesi shqiptarët ushqehen me skadenca, me mallra ushqimore të skaduara; me pije apo verëra që janë kimikate madje që shiten me etiketa verërërash të shtrenjta?

Ende do vijojnë të "kurohen" shqiptarët me medikamente të skaduara për të pasuruar një ministre shëndtësie që bashkë me Beqen i "vunë zjarrin" shiptarëve në QSUT, kur kjo ministre që nuk mbush, ka qënë drejtoreshë e një korrupsioni gjigand dhe antinjerëzor aty?

Dhe në fund, a janë provat?

Provat janë të gjitha; po asnjë nga ato që do dëgjoni nuk mund të ndodhnin po të mos kish dashur kryeministri Rama dhe kryeministri Berisha.

A nuk na i jep kjo provën se këta dy kryeministra i bashkon sot falsiteti që kanë lejuar në tregun e mallrave dhe në tregun e ilaçeve?

Po, në fakt, janë marrë para duke iu shitur shqiptarëve vdekjen e tyre të parakohëshme , me medikamente të skaduara dhe më ushqime të skaduara.

Kjo në Europë nuk ka ndodhur as në mesjetë. Se, gjithsesi, asnjë pushtetar, mbret apo kryeministër mesjetar nuk ka pranuar që të pasurohet duke shitur në treg vdekjen e parakohëshme të qytetarëve të tij.

Këtyre bandave të tilla antinjerëzore, kur t'iu ekspozohen bëmat, do të tmerrohet i gjithë opinioni publik botëror.

(Kosova Sot)