Abdixhiku i reagon Shpend Ahmetit: Flamuri i Republikës së Kosovës po vendoset në tërë botën, në Prishtinë ende jo

  • 10 February 2018 - 22:10
Abdixhiku i reagon Shpend Ahmetit: Flamuri i Republikës së Kosovës po vendoset në tërë botën, në Prishtinë ende jo

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për debatin që po bëhet këto ditë lidhur me vendosjen e flamurit të Kosovës në hyrje të Prishtinës. Ai në një status në Facebook i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke i treguar se flamuri i Kosovës sot prezantohet në gjithë botën, vetëm në Prishtinë jo.

“Vetëm këtë javë,- Në New York, Empire State Building ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Kosovës; për nder të Kosovës.  Në Paris, Akili ngritë flamurin e Kosovës për medalje të artë në finalen e madhe të xhudos. Në Pyongyang të Koresë Jugore, sportistat kosovarë prezantojnë për herë të parë flamurin dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

 Ai tutje ka treguar se flamuri i Kosovës sot prezantohet në gjithë botën.

“Djemtë e vajzat më të mirë të këtij vendi po përkujdesen për të. Tek ne, ndërsa, ka ende të tillë që diskutojnë vendosjen ose jo të flamurit të Republikës. Sa keq për të tillët”.

Kurse, orë më parë Shpend Ahmeti në një deklaratë të tij ka thënë se nuk është përgjegjës për vendosjen e flamurit të Kosovës në hyrje të Prishtinës.

“ Ajo nuk ka qenë asnjëherë përgjegjësi e komunës së Prishtinës.  Nuk është e nënshkruar as me protokoll që flamurin atje duhet ta kemi kështu apo ashtu. Atëherë nuk e ka pas hequr komuna, atë e kenë bërë dhe qytetarët, edhe ata kanë marrë pjesë në vendosjen e flamurit kombëtar.  Kjo tregon se nuk është përgjegjësi e jona edhe kthimi i flamurit të Kosovës. Kjo mbetet edhe të diskutohet në ditët e ardhshme”, ka thënë Ahmeti.

(Kosova Sot)