Dëmet u harruan, Kosova IU NËNSHTRUA SERBISË

  • 11 February 2018 - 00:11
Dëmet u harruan, Kosova IU NËNSHTRUA SERBISË

KOMPENSIMI I MILIARDAVE, MISION I (PA)MUNDUR ME KËTË KLASË POLITIKE

I gjithë procesi i deritanishëm i besimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë, vlerësuar nga këndvështrimi i analistëve politikë, sa i përket palës kosovare, është zhvilluar nga pozita e të përulurit dhe të nënshtruarit karshi palës serbe, pa as më të voglin guxim dhe nivel të reflektimit kombëtar e shtetëror për të mbrojtur interesat e Republikës sonë. Sipas gjykimit të analistëve, arsyeja e sjelljes së papërgjegjshme të palës kosovare në këtë dialog është synimi që liderët e diskredituar para bashkësisë ndërkombëtare të duken të moderuar dhe garantues të paqes dhe marrëveshjeve me Serbinë, por edhe në shkëmbim të sjelljes së tyre prej "qengjash të moderuar", këta liderë presin edhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, amnisti për paligjshmëri dhe krimet dhe me pas edhe trajtim të privilegjuar. Deri më tani, të gjithë pjesëmarrësit në këtë dialog vlerësohen të kenë qenë me këtë agjendë mjaft të suksesshëm, pra vetëm për veten e tyre, mirëpo Kosova ka humbur shumë, bile edhe pavarësinë në bisedime. Një përgjegjësi të madhe në këtë rrafsh e ka edhe Parlamenti i Kosovës që nuk e ka ushtruar rolin e vet si organ mbikëqyrës i punës së qeverive dhe të presidentit, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë. Ka një kohë të gjatë tani që po përflitet se një fazë e re e dialogut të normalizimit dhe pajtimit, do ta zëvendësojë dialogun e deritanishëm mes Kosovës dhe Serbisë, të ashtuquajtur teknik, prandaj analistët theksojnë se as që do të duhej futur tani në një proces të tillë pa u qartësuar saktë kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e çështjes së kompensimin e dëmeve të luftës, kur këtë po e bën Kroacia në mënyrë të vazhdueshme dhe këtë e bëri së fundi edhe kryeministri kroat, duke thënë se Kroacia nuk heq dorë nga pagesa për dëmshpërblimet e luftës, pavarësisht se Serbia refuzon ta pranojë atë. 

Munguan rezultatet

Sipas analistit politik Gani Qarri, bisedimet me Serbinë ishin aq të paqarta dhe nënçmuese saqë jo vetëm dëmtuan shumë perspektivën e vendit tonë, por ngulfatën tërë jetën në Kosovë. Ai thotë se fatkeqësisht dialogu i zhvilluar deri më tani bllokoi ecjen përpara të Kosovës dhe ndihmoi njëanshëm, vetëm Serbinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, sepse u shfrytëzua vetëm për interesat personale të presidentit të tanishëm Hashim Thaçi."Që në nisje të këtyre bisedimeve, negociatat me Serbinë filluan nga një pozicion tepër nënshtrues për Kosovën, madje vetë Hashim Thaçi bëri koncesione aq të dëmshme për vendin sa që masakroi keq edhe Pavarësinë tonë, duke e hijezuar atë me fusnotë, rast i paprecedent ky, i cili nuk haset tek asnjë shtet tjetër, çfarëdo qoftë fuqia e tij si vend dhe lloji i bisedimeve bilaterale që ai mund të zhvillojë me shtetet tjera përreth. Për popullin e Kosovës, në krejt këtë histori të bisedimeve, tërësisht jotransparente, shumica e marrëveshjeve jo vetëm se nuk janë realizuar asnjëherë nga Serbia, por ishin dhe mbeten vetëm gjysmake", u shpreh ai. Sipas tij, pasi që dialogu i deritanishëm nuk dha rezultatet e pritura, për qytetarët e vendit mbetet e pakuptueshme se pse një dialog pa efekt dhe të cilit nuk i dihet fundi medoemos duhet të vazhdojë edhe më tej."Nga krejt ajo që kemi parë deri më tani, delegacionit kosovar, gjatë gjithë këtyre viteve i ka munguar tërë- sisht vendosmëria për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës, madje nuk ka informata se nga përfaqësuesit e shqiptarëve të jetë tentuar ndonjëherë që me Serbinë të negociohet si dy shtete të pavarura, siç është në të vërtetë edhe Kosova shtet, tash e dhjet vite me radhë. Shto kësaj, përpjekjet pa u ndalur të Serbisë që përmes dialogut ta luftojë pareshtur shtetësinë e Kosovës bllokojë njohjet e reja dhe pengojë anëtarësimin e saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, veprimet e tilla të zyrtarëve më të lart serbë ia humbin tërësisht kuptimin këtij dialogu, ndaj nga qytetarët dhe nuk mund të kuptohet realisht se pse në të vërtetë Kosova duhet medoemos që edhe më tej të negociojë me Serbinë", tha Qarri për "Kosova Sot". Ai pohon se arsyeja e vetme e mbajtjes gjallë të këtyre bisedimeve është synim vetëm i liderëve të diskredituar të Kosovës."Fatkeqësisht, që kur njerëz të tillë uzurpuan të gjitha majat e pushtetit në vend, dëmet dhe pengesat, nuk u kufizuan vetëm në bisedimet nënçmuese me Serbinë, por u reflektuan me të madhe edhe në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit, si Parlamenti i Kosovës, i cili asnjëherë nuk arriti ta ushtronte rolin e vet si organi më i lartë mbikëqyrës i punës së qeverive dhe të presidentit, përfshirë këtu edhe dialogun e paqartë me shtetin serb", vlerësoi Qarri.

Parlamenti nuk e luajti rolin mbikëqyrës

Edhe analisti Bislim Aliu thotë se që nga fillimi i dialogut me Serbinë Kosova ka gabuar rëndë kur e ka pranuar dialogun pa asnjë kusht, thuajse Serbia nuk ka bërë asnjë të keqe në Kosovë. "Nuk ka kërkuar dëmshpërblime të luftës, nuk ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe që Serbia t'i kërkojë falje Kosovës për dëmet e shkaktuara. Pra, kemi hyrë në dialog jo të barabartë, shteti me shtet, por e kemi pranuar dialogun nënshtrues ndaj Serbisë, duke biseduar përherë për punët e brendshme të Kosovës!", u shpreh ai."Dua ta them hapur se ka munguar vendosmëria e palës kosovare, për ta mbrojtur Republikën e Kosovës. Kjo sjellje tërësisht e papërgjegjshme e palës kosovare ishte synimi i liderëve tanë, të diskredituar deri në fyt, të cilët para bashkësisë ndërkombëtare paraqiteshin si të moderuar dhe garantues të paqes për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë. Këta liderët tanë institucionalë, në këtë agjendë të treguar, ishin të suksesshëm vetëm për vete e shteti i Kosovës ka humbur shumë, bile edhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë rrafsh Parlamenti i Kosovës, si institucioni më i lartë i Kosovës, nuk e ka luajtur fare rolin e vet, si organ mbikëqyrës i punës së Qeverisë, Presidentit, e sidomos është dashur të përfshihet në çështjet e dialogut me Serbinë", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot". Edhe ai thekson se derisa po flitet e përflitet për një fazë të re të dialogut, për 'normalizim dhe pajtim' në mes të Kosovës dhe Serbisë, tani është koha e fundit që në këtë fazë të bisedimeve me Serbinë nuk guxohet të hyhet fare në dialog pa u qartësuar me saktësi kërkesat e Kosovës."Pushtetarët tanë të papërgjegjshëm asnjëherë nuk i kërkuan kompensim për dëmet e luftës, që i shkaktoi Serbia. Kjo duhet të bëhet patjetër temë e bisedimeve. Këta pushtetarë të papërmirësueshëm, që ua ka zënë 'rrota bishtin', të inkriminuar me padrejtësi deri në fyt, me krim të organizuar e me korrupsion, nuk guxojnë bile as t'i përmendin dëmet e luftës, e jo t'i kërkojnë zyrtarisht kompensimet për dëmet e mëdha që i shkaktoi Serbia", potencoi Aliu.

Interesat shtetërore u cenuan

Analisti Reshat Badallaj gjykon se Kosova karshi Serbisë është tepër e nënshtruar, sepse përfaqë- sohet nga njerëzit e padenjë, nga njerëzit që nuk janë të zgjedhur me votën e popullit dhe nuk janë të autorizuar nga populli, por flasin më së shumti në emrin e tyre personal për të marrë bajrakun."Ata mund të flasin vetëm në emrin e familjes së tyre dhe assesi në emër të shtetit të Kosovës. Janë njerëz shumë të pavendosur, njerëz tepër të papërgjegjshëm dhe që nuk i mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës. Shpeshherë është vërtetuar se kanë lëshuar pe ndaj Serbisë, duke i dëmtuar rëndë interesat shtetërore, bile edhe duke i tradhtuar ato. Vetëm ndaluni pak dhe shikoni përfaqësuesit e shtetit kroat karshi Serbisë, që nuk lëshojnë pe për asnjë milimetër dhe që nuk i bëjnë hesap as për pesë para se kush janë ata. Shikoni se cilat janë kërkesat e tyre kundër Serbisë dhe jo ashtu të nënshtruar si këto "pulat" tona ndaj faktorit ndërkombëtar, ndërkaq në Kosovë paraqiten me fodullëk dhe lehin si qenë të zgjebosur", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Ai shton se të gjithë kanë humbur në luftë materialisht nga Serbia, si Kroacia si Kosova, por Kroacia kërkon të gjitha dëmet të paguhen nga shteti kriminel serb, ndërkaq pala kosovare nuk e bën atë. Këtë nuk po ia kërkon ekipit kosovar në këto bisedime për ta bërë as Kuvendi i Kosovës, që sipas analistit Badallaj nuk është gjë tjetër veçse një institucion kukull.

Roli i Prishtinës u anashkalua

Analisti politik Blerim Burjani tha për "Kosova Sot" se negociatat janë udhëhequr në formë servile nga ky president, i cili nuk është marrë me profesionistët e fushave të caktuara në dialog. Këto bisedime teknike kanë mundur të jenë ndonjëherë të vështira edhe më shumë, por ndërhyrja përmendesh e Hashimit në këtë temë ka bërë që shumë procese të tejkalohen shkel e shko dhe pa kurrfarë benifiti nga Kosova."Madje dikur u fitua përshtypja se Kosova po negocion për të lehtësuar integrimin e Serbisë në BE, andaj u anashkalua shumë roli i Prishtinës në dialog, e cila vazhdimisht bënte gjëra të dëmshme për Kosovën. Negociatat janë zhvilluar dhe udhëhequr kryesisht nga presidenti i tanishëm në aspektin politik, ku edhe u bënë dëme jashtëzakonisht të mëdha me fusnotën që edhe sot është në fuqi, dëmi mjaft i madh u bë pa riparueshëm. Tani në përfaqësim e Kosovës, në çfarëdo takimi ndërkombëtar, Kosovën e gjeni në fusnotë, ky është dështim i madh politik, sikurse është edhe marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe. Janë këto dy lëshime të mëdha, këto dy skandale të mëdha në këtë drejtim edhe përplot të tjera, por që për nga natyra janë pak sa më minore. Krejt ky dështim vjen si rezultat i një ekipi joprofesional", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot". Burjani thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet tema e dëmeve të luftës që nuk u hap në këto bisedime, që si duket për palën kosovare ishte shndërruar në një gogol dhe frikësoheshin ta përmendin. "Askush kurrë deri më tani nuk e tha të vërtetën, pse asnjëherë nuk u nxit tema e kompensimit të dëmeve nga lufta dhe për çka Serbia nuk e ndien veten agresor në Kosovë dhe pse bashkësia ndërkombëtare nuk e shtyn atë të paguajë dëmet nga lufta. Po ashtu nuk është kërkuar asnjëherë as kthimi i fondeve për pensione apo çështja e sukcesionit", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)