Rasti Ivanoviq: Prokuroria kërkon paraburgim për policët që u arrestuan dje!

  • 11 February 2018 - 12:19
Rasti Ivanoviq: Prokuroria kërkon paraburgim për policët që u arrestuan dje!

Prokuroria e Mitrovicës ka paralajmëruar se sot do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për paraburgim për dy policët e arrestuar dje si të dyshuar për keqpërdorim të provave në rastin Ivanoviq.

Prokurori Njazi Rexha i ka thënë se kërkesa do dorëzohet sot gjatë ditës, ndërsa nuk ka dhënë detaje të tjera për rrjedhën e hetimit të deritanishëm.

Dy policët e Kosovës, D.M. (1970) dhe Zh.M (1970) u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se nuk ishin kujdesur për ruajtjen me kujdes të vendit të ngjarjes pak minuta pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit.

“Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha.

Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve.

Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur Inspektorati Policor.

Sipas komunikatës së Inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova.

Inspektorati njoftoi se përveç arrestimeve, ka bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës.

“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhej në komunikatën e mbrëmshme.

“Gjatë bastisjeve është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”.

Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

(Kosova Sot)