Neziraj: Korporata e dështimeve të shumta

  • 11 February 2018 - 13:42
 Neziraj: Korporata e dështimeve të shumta

 

"Institucionet e vendit duhen në mënyre urgjente të detyrojnë KEK - un, që t'i kthejë paratë qytetarëve që i ka plaçkitur vite me radhë", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot" 

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se Korporata Energjetike e vendit tonë si Ndërmarrje Publike për të gjitha këto vite pas lufte është shembulli më i keq se si është qeverisur kjo ndërmarrje dhe ende askush nuk është përgjegjës për këtë gjendje.

"Përveç që edhe sot kemi reduktime të energjisë elektrike, çmimi është ndër më të lartët në rajon. "Kjo Korporatë i ka shumë borxhe qytetarit të vendit, ngase së pari ka marrë kredi nga buxheti i vendit, që nuk e ka kthyer kurrë, pastaj na ka detyruar për vite të tëra të paguajmë rrymë për komunat ku banojnë qytetarët serbë, pa e ditur askush dhe i vetmi shpërblim për qytetarin është reduktimet me energji elektrike", u shpreh ai.

"Është për çudi se si Kuvendi i Kosovës për këtë çështje ka diskutuar vetëm sipërfaqësisht në vend që të krijojnë një Komision Hetimor dhe të analizohet puna e kësaj Korporate që nga pas lufta e deri më sot dhe të adresojnë edhe problemet, por edhe përgjegjësitë që e kanë sjellë në këtë gjendje këtë kompani që kishte qenë dashur që të të jetë më profitabilja në vend", ka vlerësuar më tutje Neziraj.

"Është për keqardhje që KEK - u, në vendin tonë, ka shërbyer vetëm për punësim të militantëve të partive politike dhe për përfitime të tjera që janë bërë me rastet e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike dhe të tenderëve të tjerë që kanë shërbyer për përfitime personale të njerëzve të caktuar", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)