Qytetarëve nuk u kompensohen milionat e zhvatur

  • 11 February 2018 - 09:26
Qytetarëve nuk u kompensohen milionat e zhvatur

Veriu harxhoi, shqiptarët kanë paguar faturat

Deputetët nuk e adresuan shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut

Tash për tash, mbetet një mister se a do të kompensohen dhe si do t`u kompensohen qytetarëve paratë që u janë marrë pa i njoftuar fare, për energjinë e harxhuar nga katër komunat e veriut të Kosovës. Deputetët dhe analistët vlerësojnë se Kuvendi duhet që ta trajtojë këtë temë, kur bëhet fjalë për vjedhje sistematike që u është bërë qytetarëve tanë. Nuk dihet saktësisht se sa para u janë marrë qytetarëve për tërë këto vite në emër të shpenzimeve të papaguara të 4 komunave serbe. Por, flitet se janë rreth 8 milionë euro, që llogaritet vlera e energjisë elektrike të pafaturuar vetëm për vitin 2016 në pjesën veriore të Kosovës, shifër kjo që është paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës. Me gjithë përpjekjet e gazetës se çka thonë në ZRRE, Qeveri (MZHE), dhe çka thotë Avokati i Popullit, gazeta nuk ka marrë përgjigje. Edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e pranojnë se konsumatorët po ngarkohen në mënyrë të paligjshme. Lidhur me çështjen, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në 'Facebook' ka thënë kohë më parë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë elektrike nga mospagesa në veri. Por, sipas tij, mospagesa nuk duhet t'u faturohet konsumatorëve, të cilët paguajnë faturat. "Mospagesa e energjisë i shkakton humbje operatorëve të energjisë, mirëpo kjo nuk e arsyeton assesi faturimin e kësaj humbjeje qytetarëve të tjerë", ishte shprehur ai. 

Image

KEDS-KESCO, përgjegjësia te ZRRE-ja

Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it,Viktor Buzhala tha për "Kosova Sot", se "KEDS-i-KESCO nuk është institucion vendimmarrës, por ekzekutiv. "Pra, ne i ekzekutojmë vendimet që kanë të bëjnë me Distribuimin dhe Furnizimin me Energji Elektrike dhe çështjet përcjellëse rreth tyre", u shpreh ai. Ai ka sugjeruar se, për informata shtesë duhet që t'i drejtohemi Zyrës se Rregullatorit të Energjisë. Por, me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të ZRRE-së, lidhur me çështjen që trajtohet nga ana e gazetës, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ZRRE-ja. Ndërsa, deputeti i opozitës, Ali Lajçi (LVV), për "Kosova Sot", tha se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar, andaj edhe çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar. "Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë t'u kthehej qytetarëve. Andaj, është e drejtë kërkesa e Avokatit të Popullit për të bërë padi dhe në kompensimin e dëmit që u është shkaktuar qytetarëve dhe së këndejmi është detyrë e KEDS-it dhe ZRRE-së që qytetarëve t'u kompensohen dëmet në faturat e ardhshme", u shpreh ai. Sipas deputetit Lajçi, nuk ka asgjë të keqe që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë urgjentisht këtë temë dhe të merrte vendim lidhur me këtë çështje,ku bëhet fjalë për vjedhje sistematike që u është bërë qytetarëve të vendit tonë. 

Image

Kuvendi e injoroi problemin

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se është obligative që të kompensohen qytetarët e vendit për paratë e vjedhura me dijeninë e Qeverisë së vendit. "Thjesht, duhet të kompensohen, se cila do të jetë mënyra e kompensimit mbetet të shihet, por mendoj se Fondi i veçantë i Veriut është mundësia optimale. Nëse veç vendoset për t'u paguar borxhin e minoritetit serb, atëherë duhet të shfrytëzohet Fondi për Veriun dhe të paguhen faturat e energjisë elektrike", u shpreh ai. "Kuvendi i Kosovës nuk e ka trajtuar ende këtë temë, por mendoj se ky Kuvend veçse e ka humbur orientimin", tha më tutje Beqiri. Sipas tij, ka pasur raste kur serbët e veriut ngrohin edhe stallën e kafshëve me energji elektrike, e në anën tjetër qytetarët ngrijnë nga të ftohtët, por paguajnë për dikë që ka harxhuar pa kurrfarë kriteri. "Ndaj, mënyra më e mirë do të ishte që qytetarët të kompensohen përmes uljes së vlerës së faturave për një afat të njëjtë kohor sa ka qenë që i kanë grabitur, mirëpo sipas informatave, KEDS-i heziton të bëjë këtë, sepse janë në pyetje miliona euro dhe nuk është i gatshëm t'i marrë përsipër këto shpenzime, përderisa ka një marrëveshje me Qeverinë", vlerësoi ai."Qytetarët e vendit kanë paguar rreth 8 milionë euro në vit energji elektrike, apo diku rreth 42 milionë euro deri tani dhe kjo ka alarmuar edhe Avokatin e Popullit dhe qytetarët e vendit", potencoi Beqiri. Sipas tij, ZRRE-ja po luan rolin e mbrojtësit të investitorit, kurse në realitet ajo është e thirrur të mbrojë konsumatorin kosovar, por deri më tani asnjëherë nuk e ka mbrojtur. "Ka qenë Avokati i Popullit ai që e ka bërë të qartë se do kërkojë në të gjitha instancat qeveritare që paratë e vjedhura t'i kthejë pronarëve dhe për këtë duhet dhënë përgjegjësi dikush", ka thënë ai.

Image

Qytetarëve t'u kthehen paratë

Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci tha për "Kosova Sot", se nuk beson që do t'u kompensohen qytetarëve paratë, të cilat u janë marrë pa i njoftuar për energjinë e harxhuar nga katër komunat e veriut. "Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë apel te BE -ja, që Serbia ta paguajë borxhin e banorëve serbë që jetojnë në katër komunat e veriut, por edhe në qytetet e tjera me shumicë serbe, siç janë: Zubin- Potoku, Graçanica, një pjesë e Fushë-Kosovës dhe Gorazhdevci në Pejë", vlerësoi ai. Sipas Grapcit, mësohet se serbët që jetojnë në Kosovë kanë borxhe ndaj KEK-ut më shumë se 8 milionë euro. "Qytetarët e Kosovës duhet që të paguajnë më pak sesa që është e shënuar në faturë, sepse me pagimin e shumës së caktuar nga KEKu, ata nga ajo shumë paguajnë edhe për serbët e katër komunave të Veriut. Por, nëse Qeveria, e dhe Kuvendi i Kosovës vendosin që ato para t'u kompensohen qytetarëve të Kosovës, atëherë kompensimi duhet të bëhet me para në dorë e jo në zbritje të faturave", ka theksuar Grapci. 

Image

Korporata e dështimeve të shumta

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se Korporata Energjetike e vendit tonë si Ndërmarrje Publike për të gjitha këto vite pas lufte është shembulli më i keq se si është qeverisur kjo ndërmarrje dhe ende askush nuk është përgjegjës për këtë gjendje. "Përveçqë edhe sot kemi reduktime të energjisë elektrike, çmimi është ndër më të lartët në rajon. "Kjo Korporatë i ka shumë borxhe qytetarit të vendit, ngase së pari ka marrë kredi nga buxheti i vendit, që nuk e ka kthyer kurrë, pastaj na ka detyruar për vite të tëra të paguajmë rrymë për komunat ku banojnë qytetarët serbë, pa e ditur askush dhe i vetmi shpërblim për qytetarin është reduktimet me energji elektrike", u shpreh ai. "Është për çudi se si Kuvendi i Kosovës për këtë çështje ka diskutuar vetëm sipërfaqësisht në vend që të krijojnë një Komision Hetimor dhe të analizohet puna e kësaj Korporate që nga pas lufta e deri më sot dhe të adresojnë edhe problemet, por edhe përgjegjësitë që e kanë sjellë në këtë gjendje këtë kompani që kishte qenë dashur që të të jetë më profitabilja në vend", ka vlerësuar më tutje Neziraj. "Është për keqardhje që KEK - u, në vendin tonë, ka shërbyer vetëm për punësim të militantëve të partive politike dhe për përfitime të tjera që janë bërë me rastet e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike dhe të tenderëve të tjerë që kanë shërbyer për përfitime personale të njerëzve të caktuar", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)