Dështimi i arsimit në Shqipëri, kjo është tortura e nxënësve...(VIDEO)

  • 11 February 2018 - 18:00
Dështimi i arsimit në Shqipëri, kjo është tortura e nxënësve...(VIDEO)

Në shkollat e Lushnjës, aty ka klasa kolektive, skema e arsimit “Tre lëndë në gjashtë ore” duket e parealizueshme.

Mësues dhe nxënës janë përfshirë në konfuzion.

Nxënëse e klasës së pestë në shkollën 9-vjeçare të Zgjanës në Lushnjë, Megi mëson në të njëjtën ambient me nxënësit e klasës së tretë.

Janë klasa kolektive, të grupuara e para me të dytën dhe të 4-n, ndërsa e pesta me të 3-n . Si në të gjithë vendin, skema, tre lëndë në gjashte orë, po zbatohet edhe këtu.

Për Megin dhe bashkëmoshatarët e saj, kjo metodë ka vetëm një lehtësi, atë të çantës.

Megi Kurti: “Kjo është më e mirë se kemi dhe më pak libra”.

Mësuesit e klasave kolektive janë në vështirësi. Ndryshe nga klasat e veçuara, ku puna kryhet vetëm me nxënës që mësojnë në të njëjtin vit, këtu gjithçka bëhet e ndërlikuar. Zgjidhja i lihet në dorë mësuesit, i cili duhet të shpjegojë njëkohësisht për dy klasa.

Aurora Bali: “Dy klasat, klasat kolektive do punë. Normalisht duhet të dashurosh profesionin që të mësosh në klasa kolektive”.

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit për metodën “Tre lëndë në 6 orë” është i detyrueshëm të zbatohet që nga një Shkurti i këtij viti. Konceptet e reja po i ngatërrojnë nxënës e mësues.

Bektash Gjolena: “Ka vështirësi. Është një punë që ka vështirësi me klasat kolektive. Qoftë për nxënësit dhe mësuesit, sepse atë që duhet ta dëgjojë klasa e tretë, e dëgjon dhe klasa e pestë, por të tilla janë kushtet, udhëzimet, mundi i nxënësve që jemi të detyruar ta zbatojmë”.

Në klasat kolektive, përdorimi i metodave, strategjive dhe i teknikave që u mundësojnë nxënësve të ndërtojnë vetë dijet dhe njohuritë e tyre duket i parealizueshëm. Këto klasa u krijuan nga sistemi i së kaluarës, për t’iu përshtatur regjimit të kohës, por jo metodave të reja të Ministrisë së Arsimit.

(Kosova Sot)