Ish-drejtori i Shpend Ahmetit, Sali Zyba, e kishte hequr flamurin e Kosovës nga rrethi te spitali

  • 12 February 2018 - 10:52
Ish-drejtori i Shpend Ahmetit, Sali Zyba, e kishte hequr flamurin e Kosovës nga rrethi te spitali

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, akuzohej se kishte hequr flamurin e Kosovës nga rrethi i njohur “te Spitali”, në hyrje të Prishtinës. Për këtë veprim, ndaj ish-drejtorit të Komunës së Prishtinës, Prokuroria Themelore e Prishtinës në vitin 2016 kishte ngritur aktakuzë “për asgjësim, ose dëmtim të pasurisë”. Por, lënda pak muaj pas ishte mbyllur. 

Flamuri i Kosovës i vendosur në sheshin “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, ishte larguar mesnatën e 27 nëntorit 2013, duke u zëvendësuar me atë kombëtar. 

Për këtë veprim Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë “për asgjësim, ose dëmtim të pasurisë” ndaj ish-drejtorit të Shpend Ahmeti, i cili ishte arrestuar më 29 shkurt 2016, në vendin e tij të punës në Komunën e Prishtinës. 

Nga ana tjetër, së fundi kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës nuk e di se kush e ka vendosur. Madje, ka shtuar se flamuri në këtë rreth nuk është vendosur asnjëherë nga komuna.

Në aktakuzën e ngritur ndaj deputetit Zyba, Prokuroria pretendonte se në natën kur flamuri i Kosovës, i vendosur te rrethi qysh në Shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, ky simbol shtetëror ishte lënë në tokë, pasi ishte zëvendësuar me flamurin kuqezi. 

(Kosova Sot)